Shirku i asgjëson të gjitha punët
Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit.”[1]
Ajeti tregon se nuk lejohet t’i shoqërosh Allahut diçka në adhurim; as engjëll, as profet, as ndonjë njeri të mirë prej evlijave dhe as ndonjë idhull. Shirku (shokvënia Allahut) është gjynahu më i madh, padrejtësia më e madhe në botë dhe trillimi më i madh. Allahu i Madhëruar thotë: “Padyshim, kushdo që i bën shok Allahut, ka trilluar gjynah të madh.”[2] Prandaj, kush i shoqëron diçka Allahut në teuhidin er-rububijeh, apo në teuhidin el-uluhije, apo në teuhidin el-esmau ues-sifat, ai konsiderohet mushrik, veprat e tij asgjësohen dhe vendi i tij është zjarri nëse vdes në atë gjendje.
Dobitë që përfitohen nga ajeti:
E para: Pohimi se Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është i Dërguari i Allahut. Bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed).”
E dyta: Thirrja për në teuhid dhe ndalimi nga shirku ka qenë misioni i të gjithë të dërguarve. Allahu i Madhëruar në librin e Tij thotë: “Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt!”[3]
E treta: Largimi nga shirku është kusht për saktësimin dhe pranimin e çdo vepre (adhurimi).
E katërta: Shirku është shkak për asgjësimin e veprave dhe humbja në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Allahu thotë: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit.”[4]
Po ashtu thotë: “E kushdo që i bën shok Allahut, ai me të vërtetë, ka humbur humbje të largët.”[5]
E pesta: Fjala e Allahut “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim)” -edhe pse i drejtohet të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem- është për qëllim umeti i tij.
Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme
[1] Ez-Zumer: 65
[2] En Nisa: 48
[3] En-Nahl: 36
[4] Ez-Zumer: 65
[5] En Nisa, 116