Përmendja e Allahut është më e madhja vepër
Allahu thotë: “Lexo (o Muhamed) atë që të është zbritur ty prej Librit (Kuranit) dhe fale namazin! Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe!” Ankebut 45.
Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme se çfarë nënkupton Fjala: “Përmendja e Allahut është më e madhja!”
-Disa kanë thënë: përmendja e Allahut që ua bën njerëzve kur ata e përmendin Atë (në adhurimet e tyre), është shumë më e madhe sesa përmendja e tyre ndaj Tij. (Kemi thënë në mësimet e kaluara se Allahu e përmend atë i cili e përmend Atë).
-Disa të tjerë kanë thënë: përmendja e Allahut në namaz dhe në leximin e Kuranit, është më e madhe dhe më e vlefshme se çdo vepër tjetër.-Disa të tjerë kanë thënë: përmendja e Allahut është më e vlefshme se të gjitha adhurimet e tjera në të cilat nuk përmendet Allahu apo përmendet pak.
-Disa të tjerë kanë thënë: vazhdimësia në përmendjen e Allahut ndalon prej gjërave të pahijshme (imoralitetit) dhe të shëmtuara më shumë sesa namazi.
Ibn Tejmije rahimehullah thotë: “E vërteta se si duhet të kuptohet ky ajet është se namazi është ligjësuar për dy qëllime shumë madhështore, ku secili prej tyre është më i madh sesa tjetri. E para: namazi ndalon prej gjërave të pahijshme dhe prej mëkateve. E dyta: namazi e përmban/përfshin përmendjen e Allahut. Kurse, përmendja e Allahut të cilën e përmban namazi, është shumë më e madhe sesa e para.”
Selman el Farisiu radijAllahu anhu është pyetur: “Cila prej veprave është më e vlefshmja?” Është përgjigjur: “A nuk e lexon Kuranin?! Allahu ka thënë në Kuran: “Përmendja e Allahut është më e madhja!”
Bazuar në librin “Fikh el ed’ijeh uel edhkar” të shejkh AbduRrezak el Bedër