Sinqeriteti është të veçuarit e Allahut të Plotfuqishëm në nënshtrim dhe qëllim, e që nënkupton, me anë të nënshtrimit të tij, të dojë afrimitetin sa më afër Allahut të Lartësuar, pa patur synim asgjë tjetër, si dikush që e bën për shkak të ndonjë krijese, apo për të fituar ndonjë cilësi të lavdëruar tek njerëzit, apo nga dëshira për t’u lavdëruar nga krijesat, apo e bën për çfarëdolloj gjëje tjetër përveçse të afruarit më pranë Allahut të Lartësuar.
Gjithashtu mund edhe të thuhet se ai është pastrimi i veprës nga vështrimet e krijesave.
Po ashtu është thënë:“Sinqeriteti është të harruarit e vështrimeve të krijesave duke vazhduar në të shikuarit drejt Krijuesit. Kush zbukurohet për njerëzit me diçka që nuk është e tij, bie nga Sytë e Allahut.”
Ka thënë Ebu Uthman Seid Bin Ismail:“Sinqeriteti është që të duash me zemrën, punën dhe dijen tënde Kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. Kjo nga frika prej Zemërimit të Allahut, si të ishe duke e parë Atë me realitetin e dijes që Ai po të Shikon, derisa të të largohet syfaqësia prej zemrës. E pas kësaj ta njohësh dhe përkujtosh këtë mirësi të Allahut ndaj teje, që ta mundësoi e të dha sukses në këtë punë, derisa të të largohet vetëpëlqimi prej zemrës dhe të përdorësh butësinë në punën tënde, derisa të të largohet nxitimi prej zemrës.”
Tregon Imam Ibn el-Kajjim- Allahu e mëshiroftë – rreth kuptimit të sinqeritetit në dijen për Allahun:
“Të mos e përziejë punën e tij me diçka që do ia njolloste atij atë, qoftë me papastërtitë e qëllimeve të tij personale; ose duke kërkuar që ta stolisë atë për zemrat e krijesave, ose duke kërkuar lavdërimin e tyre duke u ikur ofendimit të tyre, ose duke kërkuar që të madhërohet, ose duke kërkuar përfitim prej tyre, ose shërbime apo dashuri prej tyre, ose që t’i paguajnë shpenzimet e nevojave të tij, e të tjera si këto sëmundje dhe papastërti, të cilat e bëjnë atë të ndryshojë, e që është të dëshiruarit me veprën e tij diçka tjetër përveç Allahut, cilado qoftë ajo.”
Përktheu: Bashkim Selmani