Si të përfitojmë prej Kuranit?
Mrekullitë e çdo profeti kanë mbaruar me largimin nga kjo bote, ndërsa mrekullia e Muhamedit – lavdërimi dhe paqja qoftë mbi të – mbetet deri në Kijamet.
Argument për këtë është fjala e të Lartësuarit: “Dhe thanë: ‘Përse nuk i zbresin atij mrekulli nga Zoti i tij?’ – thuaju: ‘Mrekullitë janë tek Allahu (Ai e di kur i zbret ato), ndërsa unë nuk jam tjetër veçse vërejtje-tërheqës i hapët.’ A nuk u mjafton atyre (si mrekulli) Libri që ta shpallëm ty, i cili u lexohet atyre?!” (Ankebut: 50, 51).
Pra ata kërkuan mrekulli dhe Allahu u tregoi mrekullinë më të madhe: Kuranin.
Prandaj Kurani është i mjaftueshëm për këdo që mediton në të dhe ia di kuptimet, që i bëjnë dobi lajmet e tij dhe merr këshillë nga historitë e tij, ai mjafton ndaj çdo mrekullie.
Por ajo që na bën ne të pandjeshëm ndaj kësaj mrekullie është fakti se ne nuk e lexojmë duke medituar rreth tij, e për të marrë këshillë, por shumë muslimanë – për të mos thënë shumica e tyre – e lexojnë Kuranin vetëm për bereqet dhe për sevap.
Ajo që duhet është leximi për të medituar dhe marrë këshillë prej tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Ky është një Libër i begatë” – ky është shpërblimi – “të cilin Ne ta kemi shpallur që ata të meditojnë rreth mrekullive (argumenteve) të tij” – ky është fryti – “dhe që të përkujtohen të zotët e mendjeve” (Sad: 29
(Meditim që rezulton në zbutje të zemrës e pastaj në punë të mira).
Shpjegimi i Rijadus salihin i shejkh Uthejminit. 1/ 350-351. Me pak përshtatje dhe shtesa.
Emin Bilali