Allahu thotë: “…zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” Rad 28.
Zemra qetësohet, rehatohet dhe mbushet me lumturi e dashuri, i largohen ankthet, brengat, pikëllimet e shqetësimet, atëherë kur njeriu e shton dhikrin. Andaj gjejmë se ata që e përmendin Allahun shumë (dhe vazhdimisht), qofshin në mirëqenie apo në vështirësi, në shëndet apo sëmundje, në varfëri apo pasuri, në çdo gjendje, kanë zemra të qeta; nuk ka mundësi që në to të depërtojnë brengat, dëshpërimet, ankthet dhe shqetësimet.
Ata që arrijnë të kenë zemra të qeta, janë ata të cilët e përmendin Allahun në çdo gjendje. Allahu thotë: “…për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë.” Ali Imran 191.
Kur besimtari vepron kështu, zemra e tij do të jetë e qetë (siç përmendet në ajetin e sipërpërmendur nga surja Rad), qetësi të cilën i gjithë njerëzimi e kërkon. Mirëpo, vetëm një kategori e njerëzve e arrijnë qetësinë e zemrës, e ata janë besimtarët të cilët e përmendin Allahun shumë.
Bazuar në librin “Fikh el ed’ijeh uel edhkar” të shejkh AbduRrezak el Bedër