Si ta zbutësh zemrën e ngurtësuar

0
980

Dhikri e largon ngurtësinë e zemrës

Dhikri i largon sëmundjet e zemrës, është shërim për të dhe mjekim për sëmundjet e saj. Mekhul ibn Abdilah rahimehullah ka thënë: “Përmendja e Allahut është shërim për zemrën, kurse përmendja e njerëzve është sëmundje (shpirtërore).”

Prej sëmundjeve të zemrës është ngurtësia e saj, gjë kjo e cila pothuajse e ka goditur secilin prej njerëzve sot kur janë shtuar shkaqet e bërjes së mëkateve.

Mëkatet dhe neglizhenca në përmendjen e Allahut janë dy shkaqet kryesore që e ngurtësojnë zemrën. Andaj, të largohemi dhe të pendohemi për mëkatet e bëra, të kërkojmë falje për to dhe ta përmendim Allahun, kështu do të zbuten zemrat tona. Nuk ka gjë që e zbutë zemrën më shumë sesa përmendja e Allahut dhe nuk ka gjë që e ngurtëson atë më shumë sesa shkujdesja në këtë.

Allahu thotë: “A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur e të mos bëhen si ata, që iu është dhënë Libri më parë?!” Si ka qenë gjendja e tyre? Thotë: “Me kalimin e një kohe të gjatë…”, dijetarët thonë: pas një kohe pas pranimit të shpalljes, i kanë shtuar shpresat se do të jetojnë gjatë dhe se kanë kohë kur pendohen e kërkojnë falje etj., nuk e kanë përmendur Allahun, por kanë jetuar me shpresa të kota, duke e parë si të largët kohën kur do të takohen me Allahun. Pastaj tregon Allahu për pasojën e kësaj: “…zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë syresh janë të pabindur.” Hadid 16.

Abdullah ibn Mesudi tregon se kanë qenë pak persona (7-8) që e kanë pranuar Islamin kur ka zbritur ky ajet. Pra, shkaku i ngurtësimit të zemrës është kur njeriu për një kohë të gjatë nuk e përmend Allahun, nuk e kujton Atë dhe takimin me Të, nuk i kryen urdhrat e Tij dhe nuk u largohet ndalesave të Tij.

Sa më larg Allahut, zemra më e ngurtësuar. Gjallëria e saj vjen me kthimin tek Allahu. Thotë Allahu menjëherë pas ajetit më lartë: “Dijeni, se Allahu e ngjall tokën pas vdekjes së saj! Ne ju sqarojmë shpalljet, në mënyrë që ju të kuptoni!” Hadid 17.

Ashtu siç Allahu e ngjall tokën pas vdekjes së saj duke lëshuar shi, ashtu i ngjall dhe zemrat e vdekura kur ato mbushen me përmendjen e Tij.

Një person iu ankua Hasan el Basriut për ngurtësimin e zemrës dhe ai e këshilloi: “Zbute (shkrije) atë me përmendjen e Allahut!”