Largimi nga zemërimi
Zemërimi ngjan në natyrën njerëzore, për ta mbajtur atë larg lëndimit dhe është hakmarrje ndaj atij që e lëndon.
Sidoqoftë, ajo që urrehet është zemërimi i tepërt, pasi ai e afekton shëndetin e njeriut, e bën atë të çekuilibruar dhe të papërmbajtur.
I tilli fillon të marrë vendime të gabuara, të cilat rrjedhimisht mund ta afektojnë më shumë të zemëruarin sesa atë ndaj të cilit zemërohet.
Zemërimi është temperamenti që shpërthen me vrull si kundërshtim dhe që nxitet nga veprimet e padrejta të dikujt.
Ai bënë që gjaku i dëshirës për hakmarrje të vlojë, dhe madje mund të shkaktojë ethe.
Arsyeja kryesore për zemërimin është zakonisht mendjemadhësia, sepse njeriu nuk zemërohet asnjëherë perveçse me atë që është më i lartë se ai.
Thënë kështu, kurë për të është që i zemëruari ta ndryshojë gjendjen e tij; nëse është duke folur, le të heshtë; nëse është në këmbë, le të ulet, dhe nëse është ulur, le të shtrihet në mënyrë që të qetësohet.
E në rast se largohet menjëherë nga vendi dhe e braktisë atë me të cilin është i zemëruar, do të ishte më mirë.
Ai, veç kësaj, duhet të reflektojë në përsosmërinë e frenimit të zemërimit, sepse Allahu i ka lavdëruar ata që e frenojnë zemërimin. Ai thotë:
“…që e frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve”.[16]
Dhe nëse ai reflekton mbi faktin se kjo mund t’i ketë ndodhur për shkak të një gjynahu, ose që e gjitha ka qenë e paracaktuar, atëherë çështja do të bëhet më e lehtë për të, ashtu siç diskutuam edhe më herët.
Hadith mbi zemërimin
Shumë hadithe janë transmetuar mbi zemërimin. Ebu Hurejre radijAllahu anhu transmeton: “Erdhi njëri te i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem dhe i tha: “Më këshillo!” Ai salAllahu alejhi ue selem ia ktheu: “Mos u zemëro!” Këshillë-kërkuesi vazhdoi me kërkesën e tij dhe Pejgamberi Muhamed salAllahu alejhi ue selem vazhdoi me të njejtën përgjigje: “Mos u zemëro!”[17]
I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem thoshte: “I fortë nuk është ai që i mposhtë njerëzit me fuqinë e tij, por ai që e kontrollon veten ndërsa është i zemëruar”.[18]
Buhariu dhe Muslimi shënojnë se Sulejman ibn Sardi radijAllahu anhu thoshte: “Isha ulur me të Dërguarin Muhamed salAllahu alejhi ue selem, ndërsa dy njerëz po e mallkonin njëri-tjetrin; njërit iu skuq dhe iu fry fytyra (për shkak të zemërimit të tij). Pas kësaj, i Dërguari salAllahu alejhi ue selem tha: “Unë e di një fjalë, të cilën, po ta thoshte ai, ajo që ndjen do t’i zhdukej. Nëse thotë: “Euudhu bilehi minesh shejtani rraxhim – Kërkoj strehim tek Allahu nga shejtani i mallkuar,” ajo që ndjen do t’i zhduket.” I thanë atij se ç’kishte thënë i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem, e ai ua ktheu: “Ju dukem gjë i çmendur unë?””
Ebu Davudi shënon në Sunenin e tij nga hadithi i Ebu Dherrit radijAllahu anhu se i Dërguari Muhamed salAllahu alejhi ue selem thoshte: “Nëse ndonjëri prej jush zemërohet ndërsa qëndron në këmbë, le të ulet. Nëse zemërimi i tij prapë nuk largohet, atëherë le të shtrihet”.[19]
El-Hatabi thoshte: “Ai që është në këmbë, është i gatshëm të bëjë çdo lëvizje, të lëndojë cilindo, ndërsa ai që është ulur, ka më pak të ngjarë të bëjë ndonjë gjë.”
Ibn Abasi radijAllahu anhu transmeton se i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem thoshte: “Nëse dikush prej jush zemërohet, le të qetësohet.”
El-Ahnafi thoshte: “Çdo gjë që e pengon njeriun nga vetë-kontrolli i gjendjes së tij të zemrës ndërsa zemërohet, është djalli i nxitimit.”
[16] Kur’an, Ali Imran: 134.
[17] Shënuar nga Buhariu.
[18] Shënuar nga Buhariu dhe Muslimi.
[19] Shënuar nga Ebu Davudi dhe Ahmedi. El-Bagavi tha: “Ai e urdhëroi atë që të ulet dhe të shtrihet, e në rast se nuk e bën këtë ndërsa është i zemëruar, do të pendohet më pas. Kjo për shkak se i shtriri, ka më pak të ngjarë të lëvizë ose të dëmtojë këdo në krahasim me dikë që është ulur ose në këmbë.”
Ibn Xheuzi