Së pari, nëse e di se cili të ka marrë mësysh, do të kërkosh prej tij të marrë abdes, e pastaj do ta marrësh ujin e abdesit të tij dhe do të lahesh me të. Aishja tregon se i Dërguari i Allahut e urdhëronte atë që kishte parë me sy të keq dikë që të merrte abdes, pastaj ujin e abdesit e merrte ai që kishte rënë mësysh dhe lahej me të”. Nëse një gjë të tillë e bën me bindjen se është e dobishme dhe jo thjeshtë për provë, do të shërohesh me lejen e Allahut. Kjo është mënyra më e mirë për t’u shëruar nga mësyshi. Mirëpo, shpeshherë është e vështirë që t’i kërkosh atij që të ka marrë mësysh të marrë abdes, sidomos kur ka gjasë që të të keqkuptojë, e për pasojë të krijohet urrejtje e armiqësi, në një rast si ky mund të merret një rrobë e cila është bërë me djersë prej trupit të tij, pastaj zhytet në ujë dhe lahet me këtë ujë i sëmuri, ose lan një gjymtyrë të trupit të vet. Po ashtu mund të merrret edhe mbetja e pijes a kafes së atij që ka marrë mësysh, të futen në një sasi uji dhe të pijë prej tij i sëmuri, e më pas të lahet me sasinë e mbetur. Kjo gjë është provuar dhe ka dhënë rezultate në moment.
Një burrë ra mësysh, e për pasojë humbi ndjenjat. Vinte në vete për pak kohë dhe përsëri i humbte ndjenjat. Familjarët e tij e morën vesh se cili e kishte ngrënë mësysh, por në të njëjtën kohë e dinin se ishte tejet e vështirë të merrnin ujin e abdesit nga ai person. Andaj, prenë një copë nga rroba e këtij personi duke u kujdesur që të mos e merrte vesh, pastaj e vunë në zjarr si temjan pranë të sëmurit, duke e tymosur të sëmurin me tymin që dilte nga kjo copë. Në atë moment i sëmuri erdhi në vete dhe u çua me shpejtësi në këmbë.
Së dyti, nëse nuk arrin të gjesh se cili të ka marrë mësysh, atëherë duhet të lexosh dhe të dëgjosh Kuran rregullisht, të bësh dhikër dhe të bësh lutje derisa të qetësohesh. Në lidhje me leximin dhe dëgjimin e Kuranit apo disa pjesëve të Kuranit dhe të lutjeve ndiq rekomandimet që dhashë më parë për rastin e shërimit nga magjia. Nëse nuk di të lexosh Kuranë, përpiqu të mësosh disa sure dhe disa lutje dhe ti lexosh vetë, sepse kjo është më e mirë. Rekomandime më të hollësishme mund të marrësh prej atyre që njohin mirë Kuranin e që fryjnë me Kuranë. Mund të marrësh edhe kaseta ose disqe Kurani dhe t’i dëgjosh rregullisht me bindjen dhe besimin se Kurani është shërim, sepse me lejen e Allahut do të gjeshë qetësi. Kam porositur disa njerëz të shqetësuar të dëgjojnë Kuran, dhe pasi kanë dëgjuar Kuran, rregullisht, më kanë informuar se janë qetësuar. Po ashtu për t’u shëruar nga mësyshi mund të lyhesh edhe me vaj ulliri origjinal. Rekomandohet gjithashtu të lexosh edhe lutjet e transmetuara nga Pejgamberi a.s., të cilat i gjen tek libri “Mburoja e muslimanit”, ose tek libri “Shërimi sipas Kuranit dhe Sunetit”.