Si e keshilloi Muhamedi alejhi selam beduinin qe urinoi ne xhami

0
1060

Nuk bën që njeriu të thotë: Unë e kritikoj të keqen dhe nuk më intereson se çfarë ndodh më pas!

Kjo fjalë nuk ka asnjë lidhje me njohjen e objektivave të sheriatit. Përkundrazi njeriu duhet patjetër të shikojë se çfarë pasojash kanë veprimet e tij.

Shikoni vëllezër, një beduin hyri në xhami ndërsa Profeti,paqja qoftë mbi të, po qëndronte me shokët e tij në xhami.

Beduini u mënjanua në një cep të xhamisë. Dhe çfarë bëri? Ai urinoi në xhami!! Kjo gjë është një e keqe e madhe. Ku urinoi? Në xhaminë e Profetit të Allahut,paqja qoftë mbi të.

Para syve të Profetit ,paqja qoftë mbi të,dhe shokëve të tij! Çfarë bënë Sahabët? Ata u çuan drejt tij që ta qortonin sepse kjo që ai po bënte ishte diçka e keqe.

Por çfarë bëri i dashmi ynë,paqja qoftë mbi të!? Ai tha: Lëreni mos e pengoni?

Pasi kishte mbaruar së urinuari Profeti,paqja qoftë mbi të, kërkoi një kovë me ujë dhe atë e derdhën mbi vendin ku ai kishte urinuar.

Dhe pastaj e mësoi atë se xhamiat nuk janë vende ku bëhen gjëra të tilla të ndyra.

Shikoni vëllezër se si i shikonte Profeti,paqja qoftë mbi të, pasojat e veprimeve.

Nëse sahabët do të reagonin ndaj beduinit në kohën që ai po urinonte, çfarë dëmesh do të shkaktoheshin? Do të ndërpriste urinimin, gjë e cila do të ishte shumë e dëmshme për shëndetin e tij.

Ai mund të endej nëpër xhami dhe për rrjedhojë urina do të shpërndfahej në shumë vende të xhamisë. Mund të ndyente veten dhe rrobat e tij nëse do të çohej duke ikur.

Këto janë dëme të mëdha që shkaktohen nga kjo formë e të qortuarit. Kështuqë Profeti,paqja qoftë mbi të,i ndaloi ata nga kjo mënyrë e të qortuarit. Dhe i tha, lëreni mos e pengoni!

Kur mbaroi së urinuari, Profeti ,paqja qoftë mbi të,e largoi dëmin e e urinës nëpërmjet derdhjes së kovës së ujit mbi të. Pastaj Profeti,paqja qoftë mbi të, i mësoi atij normat e xhamisë.

Kështu pra, ai që urdhëron për mirë dhe ndalon nga e keqja duhet që të njohë mirë pasojat e veprimeve. Nëse ndalimi nga e keqja shkakton një të keqe tjetër më të madhe, atëherë atij nuk i lejohet që të ndalojë nga ajo.

Shejh Sulejman Ruhajli
Përktheu Rexhep Milaqi