Ta përkëdhelë me fjalë dhe veprime
Prej detyrave të bashkëshortit ndaj bashkëshortes është që ta ledhatojë me fjalë, edhe nëse ekzagjeron, edhe nëse e lavdëron tepër, edhe nëse i shfaqë dashuri më shumë sesa dashuria reale që ka ndaj saj, sepse i Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka toleruar gënjeshtrën në mes bashkëshortëve, në atë masë sa realizon lumturi në shtëpinë e tyre. Ai ia përmend edhe atë bukuri që nuk e ka, ia përmend edhe dashurinë ndaj saj të cilën nuk e ka në atë masë. Nëse ajo kërkon t’ia sjellë një gjë që ai nuk mund ta bëjë, ndërsa ka drojë të trazohet gruaja dhe jeta t’i bëhet ferr, atëherë në këtë situatë i lejohet t’i thotë: “Do të ta sjell insha Allah”, e nëse ajo prapë këmbëngulë në kërkesë, i thotë: “Nuk e kam gjetur”, apo thotë: “E kam gjetur me një çmim të lartë, që tani nuk mund ta paguaj”.
Kjo është gënjeshtër e mirë, nëse realizon lumturinë mes bashkëshortëve.
Bashkëshorti i mirë zbukurohet për gruan e tij, me zbukurimet që u takojnë burrave, me parfumosje dhe rregullim të dukjes, sepse Allahu ka thënë:
“Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë”. El Bekareh, 228.
Ibnu Abbasi, shpjeguesi i Kuranit, ka thënë dmth: “I zbukurohem gruas siç kam dëshirë që edhe ajo të zbukurohet për mua.”
Pjesë e ledhatimeve të tij ndaj bashkëshortes është që të marrë pjesë së bashku me të në shërbimet e shtëpisë.
I Dërguari i Allahut, të cilit i ka zbritur shpallja, “bënte punët e shtëpisë, ndërsa kur vinte koha e namazit shkonte të falej”.
I Dërguari salAllahu alejhi ue selem kishte sjellje të bukur me familjen, ishte gjithmonë i hareshëm, dëfrehej me bashkëshortet, sillej me ëmbëlsi me to.
Ai garoi në vrapim me Aishen (radijAllahu anha), kur mosha e tij kishte arritur pesëdhjetë e tre vjeç, siç është përcjellë nga Aishja, ndërsa ajo ishte vajzë e re.
Kur në një udhëtim me të Dërguarin, ai u tha shokëve të ecnin më përpara, e më pas i tha asaj: “Eja të garoj me ty!”, garuan dhe Aishja doli e para.
Shikoni mirësjelljen e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem me familjen e tij!
Më pas thotë Aishja: “I Dërguari salAllahu alejhi ue selem heshti dhe priti derisa shtova në peshë, ndërsa kisha harruar këtë ngjarje. Kur dolëm në një udhëtim tjetër, u tha shokëve: “Ecni përpara”, kur ata shkuan më tha: “Eja të garoj me ty!”, i thashë: “Si mund të garoj? dmth kur jam në këtë peshë?!”, më tha: “Do ta bësh gjithsesi!” Garuam dhe ai doli i pari, ndërsa filloi të qeshte e tha: “Kjo fitore është për atë fitoren e parë!”
Aishja e kishte harruar këtë ngjarje, por i Dërguari nuk e kishte harruar. Kështu, u argëtua gruan e tij, i shfaqi dashuri dhe garoi me të.
Me gjasë kjo ka ndodhur diku nga fundi i jetës së të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem.
Ndër sjelljet bashkëshortore të të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem, është rasti kur një ditë Aishja rënkon nga dhembja e kokës e thotë: “Oh, koka!”, ndërsa ai ia kthen: “Oh, koka ime se!”
Po ashtu Aishja thotë: “Kafshoja mishin dhe e ndaja nga eshtrat, ndërsa isha në kohën e të përmuajshmëve, më pas ia jepja të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem.
Ai e kafshonte në atë vend ku e kafshoja unë. Kur pija ujë, e më pas ia jepja enën atij, ai i vente buzët në pjesën ku i veja unë.”
Ajo thotë: “I dërguari e vente kokën në prehrin tim dhe lexonte Kuran, ndërsa isha në periudhën e të përmuajshmëve.”
I Dërguari flinte në një shtrat me gruan e tij, edhe nëse ajo ishte në kohën e të përmuajshmëve. E nëse prekej rroba e tij me gjakun e të përmuajshmëve, e lante atë pjesë.
I Dërguari lahej bashkë me gruan e tij me një enë.
Këto ishin sjelljet bashkëshortore të të Dërguarit tonë salAllahu alejhi ue selem, i cili ishte i dërguar nga Allahu, tek ai kemi shembullin më të mirë.
Sikur disa bashkëshortë thonë: “Nuk kemi kohë, jemi plakur, na ka kaluar koha!
Nuk kemi nevojë për këto gjëra.” Ndërsa i Dërguari kishte barrë të rëndë, të cilën nuk mund ta bartin miliona burra, ai kishte barrën e umetit, e bartte shpalljen e Allahut.
Edhe pse kishte arritur bukur në moshë ai garonte në vrapim me gruan e tij, e kërkonte rastin për ta bërë këtë. Sa gjë e bukur është, o vëllezër, që njeriu të dalë me gruan e tij në një vend e të luaj me të, të garojë me të dhe t’i hyjë në hatër!
Aishja ka thënë: “Flinim me të Dërguarin në një shtrat, ndërsa isha në kohën e të përmuajshmëve. Nëse rroba e tij prekej nga gjaku i të përmuajshmëve, ai e lante atë pjesë dhe falej me të.”
Aishja e cila ka thënë: “Laheshim me të Dërguarin me një enë, të dytë i mbushnim grushtat në të.”
Prej detyrave të bashkëshortit ndaj gruas është që të mos e shajë, të mos e fyej, të mos i thotë se pamja dhe veprimet e saj janë të shëmtuara, sepse i Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka thënë:“Prej detyrave të bashkëshortit ndaj gruas është që të mos i thotë: “E shëmtuar!”
Titulli i librit:Detyrat mes bashkëshortëve
Autor:Dr. Sulejman Ruhejli
Përktheu:Jeton Bozhlani