Femra është një krijesë njerëzore sikurse edhe mashkulli dhe janë të të njëjtit lloj, siç thotë Zoti ne Kuran në suren Nisa, ajeti 25: “Ju jeni nga njëri- tjetri (të një origjine)”.
Nje nga shkaqet që Zoti krijoi femrën është se mashkulli te gjej prehje tek ajo gjatë martesës. Nëse martesa është e lumtur dhe e suksesshme, atëherë pa marrë parasysh shqetësimet që mund të ndodhin, pa marrë parasysh vështirësitë që dalin në jetë, pa marrë parasysh sëmundjet dhe rrethanat e padëshiruara, të martuarit do t’i presin ato duke qenë të sigurt, pasi ndodhen brenda një kalaje, brenda mureve të së cilës do të mund të harrojnë qoftë edhe për pak çaste vështirësitë e ndryshme dhe do të kenë dashurinë e njëri-tjetrit.
Është shumë e rëndësishme që në një martesë të mirë bashkëshortja ta respektojë bashkëshortin e saj dhe anasjelltas. Në të kundërtën, martesa e tyre do të jetë vetëm një përvojë e keqe.
Njëra prej rregullave themelore në një martesë është që bashkëshorti të respektoj gruan e tij dhe te kujdeset per te.
Disa nga detyrat e bashkëshortes ndaj bashkëshortit:
– Gruaja duhet t’i degjoj bashkëshortit për ato gjëra që nuk e kundërshtojnë Zotin e Madhëruar, siç thuhet në Kuranin Fisnik: “E nëse ju respektojnë, atëherë mos u sillni keq ndaj tyre” (Nisa, 34)
Dhe siç ka thënë i Dërguari i tij, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të: “Nëse gruaja nuk i shkon burrit kur ky e fton në shtrat, dhe ai gdhihet i zemëruar me të, atë e mallkojnë engjëjt deri në agim.” (Hadith i saktë, përzgjedhur nga Ebu Daudi, Hakimiu, Imam Ahmedi dhe Tirmidhiu, i cili e ka cilësuar hadithin të vërtetë.)
Të ruajë nderin e burrit dhe të sajin, të kujdeset për pasurinë, fëmijët dhe punët e shtëpisë, sepse Zoti ka thënë: “Gratë e mira janë respektuese dhe besnike ndaj së fshehtës….” (Nisa, 34)
Ndërsa Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të ka thënë: “Ndërsa gruaja është kujdestare e shtëpisë së burrit të saj dhe e fëmijëve të tij.” (Buhariu dhe Tirmidhiu).
“Detyra e tyre ndaj jush është që të mos fusin në shtretërit tuaj tjetër kënd, veç jush, dhe të mos lejojnë të hyjnë në shtëpitë tuaja ata që nuk i doni”. (përzgjedhur nga Taberaniu me sened të besueshëm – sahih).
– Të mos flasë keq dhe bertas, të sillet mirë ndaj prindërve dhe të afërmve të burrit.
I Dërguari i Allahut paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të ka thënë: “Gruaja më e mirë është ajo që, kur e sheh të gëzon, kur i flet të bindet dhe kur largohesh, ruan për ty nderin e saj dhe pasurinë tënde.” (hadith i vërtetë). Përzgjedhur nga Tabariu dhe Kurtubiu.
– Gruaja duhet të jetë e dëgjueshme ndaj burrit të saj. I Dërguari i Allahut, Muhamedi alejhi selam ka thënë: “Kur gruaja i zbaton pesë kohët e namazit, agjëron gjatë Ramazanit, e mbron nderin e saj dhe e dëgjon burrin e saj, ajo mund të hyjë në xhenet nga cila derë të dëshirojë.” (Transmeton Ibën Hibani, el-Bezari, Imam Ahmedi ibën Hanbeli, et-Tabarani dhe el-Bani)
– Gruaja e mirë është arsyeja e lumturisë në këtë botë. Ajo e ndihmon burrin e saj ta adhurojë Zotin, i afron atij qetësi shpirtërore dhe paqe.
I Dërguari ka thënë: “Kjo botë (jetë) është kënaqësi dhe kënaqësia më e mirë e saj është gruaja e mirë.” (Transmeton Muslimi).