“I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i veçonte dhjetë netët e fundit të Ramazanit me përpjekje shtesë në adhurim, gjë që nuk e bënte në njëzet ditët e para të tij. Aisha (radijAllahu anha) thotë: “I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) përpiqej në kryerjen e adhurimeve gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, më shumë se në ditët tjera të tij.”
Po ashtu thotë: “Kur hynin dhjetë ditët e fundit, ai e gjallëronte tërë natën (me adhurim), e zgjonte familjen dhe shtrëngonte rripin (përpiqej fort në adhurim).”
Zakonisht, ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) hynte në i’tikaf në këto dhjetë ditë.
Në Kuran lexojmë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe që e përmend Allahun shumë.” (El-Ahzab, 21)
Aisha (radijAllahu anha) e pyeti: “O i Dërguar i Allahut, nëse e arrij natën e Kadrit, çfarë të them gjatë saj?” Ai tha: “Thuaj: “O Allah, vërtetë Ti je Falës dhe e do faljen, andaj më fal mua!”
Shokët e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe brezat pas tyre, i madhëronin këto net dhe përpiqeshin fort gjatë tyre në kryerjen e llojeve të ndryshme të mirësive.
Andaj, për secilin musliman, kudo qoftë, është e ligjësuar që të marr si shembull Profetin, shokët e tij dhe brezat e parë e të mirë të muslimanëve, duke i gjallëruar këto net me namaz, lexim të Kuranit, me lloje të ndryshme të dhikrit (përmendjes së Allahut) e të adhurimeve, me besim në Allahun dhe me shpresë në shpërblimin e Tij, në mënyrë që të triumfojnë me falje të mëkateve, me shlyerje të gabimeve dhe me lirim nga zjarri i Xhehenemit, me mirësinë, bujarinë dhe fisnikërinë e Allahut të Lartësuar.”
(Ibn Baz “Mexhmu’u El-Fetaua” 15/472)
Përktheu: Hoxhë Petrit Perçuku