Shikoni deri ne c`mase mund të arrijë efekti qe ka magjia

0
2582

Deri në ç’masë mund të arrijë efekti i magjisë

Duke qenë se magjia e jep efektin nëpërmjet ndihmës së xhindit, atëherë magjistari me anë të magjisë mund të arrijë të bëjë po aq sa ç’mund të bëjë xhindi dhe aspak më shumë. Më parë fola për aftësitë e xhindëve dhe vura në dukje faktin se aftësitë e tyre janë tejet të kufizuara. Xhindët janë krijesa të Allahut. Ata nuk mund të tejkalojnë limit që u është caktuar. Ata nuk e dinë të fshehtën, nuk dinë se ç’do të ndodhe në të ardhmen.

Allahu thotë: “Thuaj: “Askush, përveç Allahut, ne qiej apo në Tokë, nuk i di të fshehtat”. [En Neml: 65].

Është e vërtetë se xhindët mund t’i japin njëfarë shqetësimi ndonjë njeriu që nuk bën kujdes ndaj përmendjes së Allahut dhe leximit të Kuranit apo që është i shfrenuar në veprimin e gjynahave, por kurrsesë ata nuk mund të sjellin mrekulli e gjëra të jashtzakonshme si ato, me të cilat Allahu pajisi të dërguarit e Tij, si sfidë ndaj kundërshtarëve.

Allahu i Lartësuar për Kuranin thotë: “Atë (Kuranin) nuk e kanë zbritur shejtanët. Jo vetëm që kjo s’u takon atyre, por as nuk kanë fuqi të bëjnë një si ai” [Es Shuara: 210-211].

Po ashtu Allahu i sfidon xhindët dhe njerëzit, duke thënë: “Thuaj: “Sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhindet për të hartuar një libër si Kurani, ata nuk do të mund të hartonin një të ngjashëm me të, madje, edhe sikur ta ndihmonin njëri – tjetrin.” [El Isra’: 88].

I Dërguari i Allahut na ka bërë të ditur se shejtani nuk mund të shfaqet në ëndërr në formën e tij (Muhamedit a.s.). Ndër gjërat, për të cilat shejtani nuk ka fuqi është edhe ajo që Allahu e përmend në vargun e Kuranit: “O njerëz, është sjellë një shembull, andaj dëgjojeni atë: “Idhujt që ju i lutni në në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, edhe nëse bashkohen të gjithë për këtë.” El Haxh: 74].

Nga ky ajet kuptohet fare qartë se ata që adhurohen veç Allahut, mes të cilëve edhe xhindët, nuk kanë aftësi të krijojnë dhe të japin jetë apo të ngjallin, qoftë edhe një krijesë të vogël si miza. Këto janë atribute të veçanta të Allahut.

Pra, Xhindët nuk mund të përmbysin realitetet e gjërave apo sendeve, por mund të ndikojn në disa gjëra. Xhindët, po ashtu, nuk mund të bëjnë mrekulli si ato që sollën të Dërguarit e Allahut, pra ata nuk mund të çajnë hënën, gjë që Alllahu e bëri në kohën e Muhamedit a.s. si një shenjë për besnikërinë e Muhamedit a.s., as nuk mund të hapin ujin e detit, gjë që Allahu e bëri për Musain dhe popullin e tij, në mënyrë që të shpëtonin nga Firauni dhe ushtria e tij. Ata, gjithashtu, nuk mund të shpikin ushqim. Kush mendon se shejtanët mund të bëjnë gjëra të tilla, gabohet.