Ruaje betimin tënd!

0
251

Rregulli i tretë: Ruaje betimin tënd!

Ky rregull ka lidhje me ato betime të cilat nuk përmbajnë njoftime, por përmbajnë premtime në emër të Allahut të madhëruar. Për shembull, kur dikush thotë: pasha Allahun do ta bëj këtë gjë, apo pasha Allahun nuk do ta bëj atë gjë!

Gjykimi i këtyre betimeve është se ato duhen ruajtur, veçse nëse janë të paqëllimta, siç thotë Allahu i madhëruar në Kuran:

“Allahu nuk ju kërkon juve llogari për betimet e paqëllimta, por ju kërkon llogari për betimet që i bëni me qëllim. Shlyerja e gjynahut për thyerjen e betimeve është: ose ushqyerja e dhjetë të varfërve me mesataren e ushqimit të familjes suaj, ose t’i vishni ata, ose të lironi një skllav. Ai që nuk gjen mundësi për këto, le të agjërojë tri ditë. Kjo është shlyerja për thyerjen e betimeve tuaja, nëse betoheni. Ruani betimet tuaja! Kështu jua shpjegon Allahu fjalët dhe ligjet e Veta, që të jeni mirënjohës”[1].

Ky ajet përmban disa gjykime në lidhje me këtë lloj betimesh:

Gjykimi i parë: Nuk ka përgjegjësi para Allahut për betimet e paqëllimta.

Allahu i madhëruar për ti lehtësuar robtë e Tij e ka hequr për ta përgjegjësinë e betimeve të paqëllimta, të cilat janë ato betime që thuhen nëpër biseda nga nxitimi dhe pa u menduar mirë, siç thoshte Aishja -radiallahu anha-: “Janë për qëllim fjalët e burrit: jo, pasha Allahun! Dhe: patjetër, pasha Allahun![2].

Kjo sepse këto betime janë të shpeshta në gojët e besimtarëve dhe nëse ata do të mbanin përgjegjësi për to do të ishte shumë e mundimshme për ta.

Në gjykimin e betimeve të paqëllimta futen edhe betimet e gabuara psh: kur dikush e mendon një gjë në një formë dhe ajo në realitet është ndryshe, apo betimet në momente zemërimi kur njeriu nuk e logjikon atë që thotë, apo betimet që shkelen nga harresa, veprim për të cilin Allahu i madhëruar e ka larguar përgjegjësinë siç është përmendur nga shumë prej komentuesve të Kuranit[3].

Kështu njerëzit për këto betime nuk kanë përgjegjësi çka do të thotë se atyre, as nuk u kërkohet medoemos ti zbatojnë ato dhe as u kërkohet ti shlyejnë në rast të shkeljes së tyre.

 

Gjykimi i dytë: Betimet e qëllimta duhen ruajtur dhe njeriu ka përgjegjësi për to para Allahut të madhëruar: ose zbatimi i tyre, ose shlyerja e tyre sipas punës për të cilën është betuar.

Betimet e qëllimta janë ato betime pas të cilave është kapur fort zemra, gjë e cila tregon se i betuari e ka dashur betimin dhe për këtë arsye ato duhen ruajtur sepse siç thamë më lart ato janë madhërime për Allahun e lartësuar .

Përgjegjësia për betimet e qëllimta ndryshon sipas veprave për të cilat është bërë betimi, kështu që kemi disa raste betimesh:

Rasti i parë: Kur vepra për të cilën është betuar dikush është detyrë prej Allahut të madhëruar.

Kur veprat në origjinë janë detyrë prej Allahut të madhëruar, atëherë betimi i besimtarit për kryerjen e tyre është forcim i përgjegjësisë së tij.

Shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- thotë:

Ai i cili betohet për të bërë një vepër e cila është detyrë për të si: namazi, zekati, agjërimi, haxhi, mirësia ndaj prindërve, mbajtja e lidhjeve farefisnore, bindja ndaj prijësit dhe këshillimi i tij, apo heqja dorë nga kryengritja dhe luftimi i tij, shlyerja e një borxhi të marrë, dhënia e të drejtave atyre që u takojnë, pengimi i padrejtësive dhe largimi nga moralet e ulta etj, të gjitha këto vepra para betimit janë detyrë dhe ato pas betimit janë detyrë më e fortë. Po ashtu edhe ajo punë e cila para betimit është e ndaluar pas betimit bëhet akoma më shumë e ndaluar[4]. Mbaron këtu fjala e tij.

Kështu nëse këto detyra para betimit nuk duhen neglizhuar, atëherë aq më tepër pas betimit, sepse betimi e ka shtuar përgjegjësinë ndaj tyre. Shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- përsëri citon:

Çdo akt përmbushja e të cilit është detyrë  pa betim, nëse betohet për të, atëherë betimi është forcim i përgjegjësisë ndaj nuk lejohet prishja e tij, madje është përmendur në hadithet e sakta nga profeti -alejhi selam- se ka thënë: [Katër cilësi kush i ka është hipokrit i plotë (munafik) dhe kush ka njërën prej tyre ka një cilësi të hipokritit derisa ta lërë atë: kur flet gënjen, kur i besohet diçka nuk e ruan, kur e jep fjalën e shkel dhe kur debaton shpërthen][5][6].

Pra, thyerja e betimit në këtë rast është hipokrizi dhe në lidhje me të nuk bëhet fjalë për shlyerje me dëshirë të betimeve, veçse nëse besimtarit në momente dobësie i bie vullneti dhe e shkel betimin, atëherë ai duhet të pendohet për këtë cilësi dhe pastaj ta shlyej betimin e tij siç thonë disa dijetarë[7], pastaj të angazhohet përsëri në kryerjen e detyrave, sepse ato vepra janë detyra me porosinë e Allahut të madhëruar pavarësisht nga betimi i tij.

Rasti i dytë: Kur vepra për të cilën është betuar dikush është punë e lejuar (dmth: jo detyrë dhe as e ndaluar).

Kur veprat në origjinë janë punë të lejuara prej Allahut të madhëruar, atëherë betimi i besimtarit për kryerjen e tyre është forcim i vullnetit të tij për përfshirjen e tij në ato punë. Nëse ato vepra janë punë që përmbajnë mirësi të cilat i do Allahu i madhëruar si lëmosha, apo kurbani, apo namazi vullnetar, apo ndihmesa e të tjerëve etj. Atëherë ato është më mirë të mbahen se sa të shlyhet betimi, sepse profeti -alejhi selam- thotë: “Kush zotohet për t’iu bindur Allahut ti bindet atij[8].

E nëse ato vepra për të cilat betohet përmbajnë pengim nga veprimi i këtyre mirësive, atëherë betimi është më mirë të shlyhet, sepse Allahu i madhëruar thotë:

وَلَا تَجْعَلُوا اللَّهَ عُرْضَةً لِأَيْمَانِكُمْ أَنْ تَبَرُّوا وَتَتَّقُوا وَتُصْلِحُوا بَيْنَ النَّاسِ وَاللَّهُ سَمِيعٌ عَلِيمٌ

Mos e bëni betimin në Allah pengesë për kryerjen e veprave të mira, largimin prej të ligave dhe për pajtimin e njerëzve! Allahu i dëgjon dhe i di të gjitha[9].

Kështu ka vepruar Ebu Bekri -radiallahu anhu- në lidhje me një sahabi që quhet Mistah i cili i kishte përfolur bijën e tij Aishen -radiallahu anha-. Kur u qartësua në Kuran se Aishja ishte e pafajshme, atëherë Ebu Bekri u betua se nuk do ta ndihmonte më Mistahun. Më pas zbresin disa ajeti Kurani ku Allahu thotë:

Njerëzit e ndershëm dhe të pasur ndër ju të mos betohen se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve dhe të mërguarve në rrugën e Allahut; le t’i falin ata dhe të mos ua marrin për keq! Vallë, a nuk doni ju që t’ju falë Allahu? Allahu është Falës e Mëshirëplotë[10].

Atëherë Ebu Bekri -radiallahu anhu- tha: Po, pasha Allahun, dua të më falë Allahu! Dhe ia vazhdoi atij ndihmën dhe e shleu betimin[11].

E nëse ato vepra nuk përmbajnë mirësi dhe as pengim mirësish, atëherë i betuari, edhe mund ta mbajë betimin, edhe mund ta shlyej atë nëse e sheh se shlyerja është më e mirë për të, sepse  profeti -alejhi selam- thotë: “Nëse betohesh për ndonjë gjë dhe pastaj e sheh se tjetra është më e mirë se ajo atëherë shlyeje betimin tënd dhe bëje atë më të mirën[12].

Rasti i tretë: Kur vepra për të cilën është betuar dikush është punë e ndaluar.

Kur veprat në origjinë janë punë të ndaluara prej Allahut të madhëruar si psh: shkëputja e lidhjeve farefisnore, apo vrasja e tjetrit etj, atëherë betimi i besimtarit për kryerjen e tyre nuk ndryshon gjë nga origjina e këtyre veprave.

Profeti -alejhi selam- thotë: “Nuk ka zotime dhe betime, as për çfarë nuk e ke në pronësi, as për kundërshtime dhe as për shkëputjen e lidhjeve farefisnore[13].

Dhe thotë gjithashtu: “Kush zotohet për ta kundërshtuar atë (Allahun), të mos e kundërshtojë Atë![14]

Madje ky veprim në një hadith tjetër është quajtur punë për shejtanin dhe jo punë për Allahun siç tregon Ibn Abasi -radiallahu anhu- se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Zotimet për të kundërshtuar Allahun janë për shejtanin dhe nuk kërkohet për to zbatim. Ato shlyhen si shlyerja e betimit[15]

Shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- në lidhje më këtë rast betimi thotë: “Nëse ajo punë për të cilën është betuar dikush përmban lënie të një detyre apo veprimin e të një ndaluare, atëherë nuk lejohet zbatimi i saj sipas mendimit të të gjithë dijetarëve dhe bëhet detyrë shlyerja e betimit te shumica e tyre[16].

Gjykimi i tretë: Mënyra e shlyerjes së betimeve.

Në këtë ajet ka gjithashtu qartësim të plotë edhe për mënyrën e shlyerjes së betimeve, rregull me të cilin është veçuar ky ymet siç thotë shejhul-Islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë-: “Kur në ligjet e mëparshme të Allahut (dmth: ligjet para islamit) nuk kishte shlyerje, betimi e bënte detyrë zbatimin e veprës për të cilën janë betuar dhe prandaj Allahu i madhëruar e urdhëroi Ejubin -alejhi selam- të marrë tufë fijesh (bistaku i frutave të palmës) për të gjuajtur me to dhe të mos e thyej betimin e tij, sepse ai nuk kishte në ligjin e tij shlyerje betimi dhe sikur të kishte pasur një gjë të tillë do ta kishte më të lehtë ta bënte atë se sa të ndëshkonte gruan e tij qoftë edhe me një tufë fijesh[17].

Shlyerja e betimeve në islam sipas ajetit të lartpërmendur është me një nga këto veprime:

Ose ushqyerja e dhjetë të varfërve me mesataren e ushqimit që përdor i betuari për familjen e tij, ose veshja e tyre, ose lirimi i një skllavi nga skllavëria. Nëse i betuari nuk ka mundësi për ndonjërën nga këto të treja, atëherë ai duhet të agjërojë tri ditë në kompensim të saj. Përderisa në kohët e sotme skllavëria nuk është e pranishme, atëherë mbetet vetëm e drejta për të zgjedhur mes dy të parave: ose ushqimi i dhjetë të varfërve, ose veshja e tyre.

Të varfërit siç thotë shejhu i islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë-: “Janë ata të cilët nuk e sigurojnë dot mjaftushmërinë dhe kush është kështu prej myslimanëve e meriton të përfitojë prej sadakave[18].

Pra, ai i cili nuk ka mjaftueshmëri në të ardhurat e tij dhe gjithmonë mbetet peng i nevojës, atij i jepet nga mesatarja e ushqimit apo e veshjes me të cilat ushqen apo vesh i betuari familjen e tij, siç ka ardhur nga të paret e këtij ymeti në lidhje me mesataren e tyre: një vakt me buke e qumësht, apo buke me gjalp, apo bukë me vaj ulliri, apo bukë me uthull, apo bukë me mish, ndërsa në lidhje me veshjen thonin: ajo veshje që ta mundëson për ta falur namazin (dmth: këmishë dhe pantallona). Ky ka qenë zakoni i tyre në lidhje me shlyerjen e betimeve dhe është një shembull i mirë për ne për të shlyer betimet tona në kohën tonë.

Pastaj ajeti përfundon me porosinë [Ruani betimet tuaja! Kështu jua shpjegon Allahu fjalët dhe ligjet e Veta, që të jeni mirënjohës] çfarë do të thotë se sipas  ligjeve të islamit edhe shlyerja e betimit është prej ruajtjes së tyre me përjashtim të rastit kur vepra për të cilën është betuar njeriu në origjinë është detyrë prej Allahut -siç u tha më lart- sepse ajo në këtë rast nuk varet nga betimi. Pastaj  kjo gjë e shtynë besimtarin të jetë mirënjohës i Zotit të tij i cili ia ka sqaruar atij fenë dhe e ka udhëzuar atë për devotshmëri siç është edhe kujdesur për të që në rregullat e saj t’ia largojë atij mundimet dhe vështirësitë “Uel-Hamdulilahi Rabil-Alemijn” dhe lëvdatat i takojnë Allahut, Zotit të botëve!

 

[1] Suretu El-Maide: 89.

[2] E transmeton Buhariu.

[3] Shih tefsirin e Taberiut: 4/427-449.

[4] Shih fjalët e autorit te libri “Mexhmu El-Fetaua”: 33/145.

[5] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[6] Shih fjalët e autorit te libri “Mexhmu El-Fetaua”: 33/146.

[7] Shih çfarë thotë imam Neveviu -Allahu e mëshiroftë- në librin e tij Raudatu Et-Talibijn: 11/20.

[8] E transmeton Buhariu.

[9] Suretu El-Bekara: 224.

[10] Suratu En-Nur: 22.

[11] E transmeton Bejhakiu.

[12] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[13] E transmeton Nesai dhe e saktëson shejh Albani.

[14] E transmeton Buhariu.

[15] E transmeton Bejhakiu dhe e saktëson shejh Albani.

[16] Shih fjalët e autorit në librin “Mexhmu el-Fetaua”: 35/253.

[17] Shih fjalët e autorit në librin “Mexhmu el-Fetaua”: 33/148.

[18] Shih fjalët e autorit në librin “Mexhmu el-Fetaua”: 11/68.

Dr Abdullah Nabolli