Rendesia e namazit te nates

0
109

Transmetohet nga Abdullah bin Amër bin El-Asi radijAllahu anhuma se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “O Abdullah! Mos u bëj si filani, i cili u falte natën dhe pastaj e la atë (namazin e natës)”. Mutefekun alejhi

Fjala e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem “dhe e la atë (namazin e natës)” përftohet nga konteksti i saj se ai e ka lënë pa patur ndonjë arsye, sepse nëse do ishte (lënia e namazit të natës) me arsye, atëherë nuk do kritikohej për lënien e tij.

Dobitë që përfitohen nga hadithi:

E para: Hadithi është argument për qortimin e ndërprerjes së adhurimit pas fillimit të tij.

E dyta: Hadithi është argument për vlerën e vazhdimësisë në bërjen e veprave të mira. Prej këtyre mirësive është:

– Është më e dashur tek Allahu i Lartësuar. Siç ka thënë Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Vepra më e dashur te Allahut është ajo që është e vazhdueshme edhe nëse është e pakët”. Mutefekun alejhi.

– Është prej udhëzimit të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Transmetohet nga Aishja radijAllahu anha se: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur vepronte një vepër, ai ishte i qëndrueshëm (vazhdueshëm) në bërjen e saj”. Shënon Muslimi

– Është shkak për të fituar dashurinë e Allahut të Lartësuar. Siç ka ardhur në hadithin Kudsij ku Allahu i Madhëruar thotë: “…do të vazhdojë robi Im të më afrohet me nafile (vepra vullnetare) derisa Unë ta dua atë…”

E treta: Lejimi i përmendjes së dikujt (jo me emër) për shkak të ndonjë mangësie kur me të synohet tërheqja e vërejtjes nga vepra e tij.

E katërta: Kërkohet nga thirrësi që gjatë ndalimit nga e keqja mos të përmend (me emra) individë të caktuar. Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Lënia e përmendjes së emrit të personit përmban dy dobi:

Dobia e parë: Është mbulim për personin.

Dobia e dytë: Ndoshta në të ardhmen gjendja e personit ndryshon (dhe bëhet njeri vepër mirë) dhe s’e meriton më atë gjykim, ngase zemrat janë në duart e Allahut të Lartësuar.

E pesta: Këshillimi për të vërtetën dhe bërja durim në të.

E gjashta: Kujdesi i Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në këshillimin e shokëve të tij.

E shtata: Vlera e namazit të natës.

E teta: Kujdesi i Abdullah bin Amër radijAllahu anhu ndaj të mirës.

E nënta: Luftimi i nefsit për të qenë i vazhdueshëm në adhurim dhe bërjen e veprave të mira. Shejhul islam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Thuhet se shpirtrat janë tri llojesh:

1. En-Nefsul-emare bis-suë: Është për qëllim shpirti i cili kaplohet me pasimin e epsheve dhe të mëkateve.

2. En-Nefsul-levame: Është ai shpirt që bën mëkate dhe pendohet. Pra, prej tij buron e mira dhe e keqja, por nëse ai bën diçka të keqe pendohet. Quhet “El-Leuameh” ngase ai e qorton njeriun për mëkatin.

3. En-Nefsul-mutmeineh: Është ai shpirt që e do të mirën dhe veprat e mira dhe e dëshiron atë dhe urren të keqen dhe e lufton atë. Kështu që është i veshur me moral të lartë dhe aftësi. Këto janë cilësitë dhe situatat për të njëjtën gjë. Shpirti që ka secili njeri është një.”

Perktheu: Unejs Sheme