Realiteti i falënderimit

0
917

Realiteti i falënderimit

Ibn Kajjim rahimehullah thotë: “Falënderim është pranimi i mirësisë së Bamirësit (Allahut), me dashuri, me përulje e nënshtrim ndaj Tij. Nga kjo, themi se ai i cili nuk e pranon dhe nuk e njeh dhuntinë e mirësinë, nuk e ka falënderuar Allahun për to.

Ai që e pranon dhe e di se është mirësi që i ka ardhur, porse nuk e njeh dhe nuk e pranon se i ka ardhur nga Allahu, as ky nuk llogaritet si falënderues ndaj asaj mirësie. Ai që e njeh mirësinë dhe e di se i ka ardhur prej Allahut, mirëpo e mohon këtë, ky e ka mohuar atë dhunti të Tij.

Ai që e njeh mirësinë dhe e di se Allahu është Ai që ia ka dhuruar Atë, e pranon si dhe nuk e mohon atë, porse nuk tregohet i përulur ndaj Allahut dhe ajo nuk ia shton dashurinë e kënaqësinë ndaj Tij dhe për Të, as ky nuk e ka falënderuar Atë për atë mirësi. Ndërsa, ai që e njeh mirësinë dhe e di se ajo i ka ardhur prej Allahut, e pranon me zemër dhe tregohet i përulur ndaj Tij, e do dhe është i kënaqur me Të, si dhe e përdorë në ato gjëra që i do Allahu dhe në bindje ndaj Tij, ky e ka falënderuar Allahun për atë mirësi.” Tarikul hixhratejn.

Nga kjo kuptojmë se falënderimi ngritët mbi pesë shtylla:

  1. Përulja ndaj te Falënderuarit (Allahut),
  2. Shtimi i dashurisë ndaj Allahut për shkak të mirësisë,
  3. Njohja dhe pranimi se ajo mirësi është nga Allahu,
  4. Lavdërimi ndaj Allahut për atë mirësi,
  5. Përdorimi i mirësisë në gjëra që i do Allahu (e jo në ato që nuk i do).

Ne përgjithësi shohim se falënderimi duhet të bëhet me zemër, me gjuhë dhe me gjymtyrë. Ibn Kajjim thotë: “Me zemër bëhet duke treguar përulje e nënshtrim për shkak të mirësive që t’i ka dhënë. Me gjuhë bëhet kur e lavdëron për to dhe i pranon (i përmend).

Me gjymtyrë bëhet kur ato mirësi i shfrytëzon në bindjen ndaj Allahut.”

Të qenit mirënjohës e falënderues ndaj Allahut për mirësitë e Tij, kjo është detyrë për çdo mysliman. Kur ne veprojmë kështu, kjo është rrugë përmes se cilës ato mirësi do të vazhdojnë, nuk ndërpriten dhe do të shtohen. Kushdo që nuk e falënderon Allahun për mirësitë e Tij, kjo është shkak që ato të largohen prej tij. Dijetarët e mëhershëm kanë thënë: “Çdo falënderim sado i paktë që është, është çmim për dhuntitë e mirësitë e Allahut që t’i ka dhënë, sado të shumta që janë ato. Nëse njeriu nuk e falënderon Allahun, ai i ka ekspozuar mirësitë e tij para shkatërrimit (marrjes).” Disa të tjerë kanë thënë: “Falënderimi është litar i cili i lidh dhe i mban mirësitë që ke, dhe është litar me të cilin i gjahton mirësitë që nuk i ke.” Disa të tjerë kanë thënë: “Mohimi i mirësive të Allahut, i shkatërron ato dhe kjo është rrugë që të ikin prej teje.”

Bazuar në librin “Fikh el ed’ijeh uel edhkar” të shejkh AbduRrezak el Bedër