Prioritetet që duhet të ketë muslimani

0
587

Të dimë dobinë që prekë edhe të tjerët (e jo vetëm vepruesin). Ne si muslimanë, duhet të dimë se ka gjëra dobia e të cilave nuk kufizohet vetëm tek ne, por kalon edhe tek të tjerët. Dhe ka gjëra dobia e të cilave kufizohet vetëm te ne (vepruesi). Pa dyshim i jepet përparësi të parës: dobisë së përgjithshme ndaj asaj individuale.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Të shkoj t’i ndihmoj një vëllai tim musliman, kjo është më e dashur për mua sesa të bëj itikaf në xhamin time një muaj rresht ” Itikafi ka vlerë të madhe, është një vepër e cila afron shumë tek Allahu, mirëpo është adhurim që kufizihet vetëm te vepruesi, shpërblimi i kthehet vetëm atij, ndërsa ndihma ndaj muslimanit ka shpërblim shumë të madh tek Allahu dhe dobia është e përgjithshme (prek tërë shoqërinë).

Ndër gabimet që bëjnë njerëzit: i japin më shumë rëndësi ndonjë namazi vullnetar ndaj ndonjë ligjërate fetare, i japin përparësi adhurimeve vullnetare ndaj raporteve me njerëzit e që janë obligative (përgjigja ndaj prindit, ndihmesa ndaj tij), i japin përparësi adhurimeve të pëlqyera ndaj adhurimeve të tjera etj. Të drejtat e njerëzve janë gjë madhështore dhe Islami i ka kushtuar vëmendje të madhe atyre.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem tregohej i ashpër kur jepte këshilla ndaj së drejtës së komshiut dhe tregonte se është mëkat i madh ta lëndosh atë dhe se mirësjellja e respektimi ndaj tij është më e mirë sesa shtimi i adhurimeve vullnetare. Është më mirë të tregohemi mesatarë në vepra dhe të mos i lëndojmë të tjerët sesa të jemi të atillë që shtojnë shumë adhurime ndërkohë u bëjmë padrejtësi të tjerëve (me gjuhë e veprime).

Patjetër duhet të plotësojmë të drejtat ndaj të tjerëve e të mos i lëndojmë, aq më tepër kur ato të drejta kanë të bëjnë me pasurinë e tyre, e me të tjerat gjëra që janë të përgjithshme.
Hoxhë Petrit Perçuku