Porosi te bukura profetike

Porosi profetike

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e fundit, Muhamedin alejhis-selam, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë atë që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Fundit!

Porosia e parë

Sufjan bin Abdullah eth-Thekafij radijAllahu anhu e kërkoi nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që ta porosisë atë. Dhe Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha: “Thuaj: Zoti im është Allahu dhe pastaj qëndro fortë në të.” Transmeton Ibën Maxhe (3972), Tirmidhiu (241) dhe Ahmedi (3/413). Hadithin e ka saktësuar Tirmidhiu, Ibën Hibani dhe Shejh Albani (Allahu i mëshiroftë!).

Ndërsa në “Sahihun” e imam Muslimit: Një herë i thashë Profetit: O i Dërguari i Allahut! Më thuaj diçka për Islamin që të mos kem nevojë të pyes ndonjë tjetër pas teje.” Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u përgjigj: “Thuaj: I besova Allahut dhe më pas qëndro fort në këtë rrugë.

Kuptimi i përgjithshëm: Sahabi i nderuar Sufjan bin Abdullah eth-Thekafij radijAllahu anhu e pyeti Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që ta porosisë me diçka pas të cilës do kapet fort dhe nuk do ketë nevojë të pyes dikë tjetër pas tij. Kështu Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e orientoi atë për istikamen. Porosia e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem drejtuar Sufjanit është njëkohësisht porosi dhe për gjithë umetin e tij që të besojnë në Allahun dhe të qëndrojnë fort në këtë besim deri në vdekje.

Dobitë që përfitohen nga kjo porosi profetike

  1. Besimi në Allahun: Besimi në Allahun kërkon katër gjëra:

E para: Besimi në ekzistencën e Tij.

E dyta: Besimi në rububijen e Tij. Pra, se Ai është i vetmi Krijues, Funizues, Ai që jep jetën dhe e merr atë etj.

E treta: Besimi në uluhijen e Tij. Pra, Allahu është i vetmi që meriton të adhurohet me të drejtë.

E katërta: Besimi në emrat dhe cilësitë e Tij, për të cilat Allahu ka treguar në Kuran apo i Dërguari i Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në sunetin autentik.

  1. El-Isitkame/qëndrimi fort në dëshminë “la ilahe il-lAllah – Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut.” Prandaj edhe Ebu Bekri radijAllahu anhu në lidhje me komentimin e fjalës së Allahut të Lartësuar “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë” tha: “Qëndrojnë fort në dëshminë “la ilahe il-lAllah – Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut.”[1]

Dëshmia “la ilahe il-lAllah” është fjalë më madhështore që thotë njeriu, ajo është më e rëndë se qiejt dhe toka në peshoren e ditës së Gjykimit.

Fjalët e selefëve rrethe kuptimit të istikames:

Ebu Bekrin radijAllahu anhu ku e pyetën në lidhje me istikamen, tha: “Mos t’i shoqërosh asgjë Allahut.”[2]

Uthman bin Affani radijAllahu anhu: “T’i bëni veprat të sinqerta vetëm për Allahun.”[3]

Ali bin Ebi Talibi radijAllahu anhu: “Të kryeni obligimet.”[4]

Muxhahidi (Allahu e mëshiroftë!): “Qëndroni fort në dëshminë la ilahe il lAllah derisa të takoni Allahun.”[5]

  1. Kujdesi i sahabëve mbi të pyeturit rreth çështjeve që kanë të bëjnë me fenë e tyre.
  2. Allahu ua ka premtuar shpërblime të mëdha atyre që qëndrojnë fort në rrugën e drejtë. I Lartësuari thotë: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar. Ne jemi mbrojtësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Atje do të keni çfarë t’ju dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni dhuratë e pasur prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë.” Fusilet, 30-32

Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme

[1] Atharu edh-Dhunub alal-Efradi uesh-Shuub” Shejh Mesh’hur Al Selman

[2] Atharu edh-Dhunub alal-Efradi uesh-Shuub” Shejh Mesh’hur Al Selman

[3] Atharu edh-Dhunub alal-Efradi uesh-Shuub” Shejh Mesh’hur Al Selman

[4] Atharu edh-Dhunub alal-Efradi uesh-Shuub” Shejh Mesh’hur Al Selman

[5] Atharu edh-Dhunub alal-Efradi uesh-Shuub” Shejh Mesh’hur Al Selman

 

Read Previous

Si te shkaterron shoqeria e keqe

Read Next

Xhumaja festa e muslimaneve