Perse bien termetet?

0
878

Pa dyshim që tërmetet të cilat po ndodhin këtyre ditëve janë ndër shenjat me të cilat Allahu frikëson robërit e vet. Të gjitha tërmetet dhe gjërat tjera që ndodhin dhe që u shkaktojnë dëm e vuajtje njerëzve janë për shkak të shirkut dhe mëkateve, siç thotë Allahu:

“Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, ajo është nga ajo çfarë kanë përfituar duart tuaja. Dhe Ai fal shumë” [el‐Nisa, 79];

“Çfarëdo e mirë që ju mbërrin, ajo është nga Allahu; çfarëdo e keqe që ju godet, ajo është nga vetë ju”. [el‐Nisa, 79]

Allahu ka thënë lidhur me popujt e së kaluarës:

“Dënuam secilin për mëkatet e tyre. Prej tyre kanë qenë ata mbi të cilët dërguam Hasib/erë të fuqishme me reshje gurësh [si popullit të Lutit]. Prej tyre kanë qenë disa që qenë kapur me anë të es‐Saiha/torturë – britmë e tmerrshme [si Themudin apo popullin e Shuajbit]. Prej tyre kanë qenë disa të cilët i bëmë që toka t’i gllabëronte [si Karunin]. Prej tyre kanë qenë disa të cilët i përmbytëm [si popullin e Nuhut, apo Firaunit]. Allahu nuk u bëri padrejtësi atyre, por ata i bënë padrejtësi vetvetes”. [el‐Ankebut, 40]

Ajo çfarë duhet të bëjnë muslimanët dhe të tjerët që janë të përgjegjshëm dhe me mendje të shëndoshë është që të pendohen, të kapen me përkushtim për fenë e Tij dhe t’u shmangen gjërave që Ai i ka ndaluar nga shirku dhe mëkati, për të qenë të sigurt dhe për të arritur shpëtimin nga të gjitha të këqijat në këtë botë dhe në tjetrën, si edhe që Allahu të zmbrapsë prej tyre gjithë dëmet e t’i bekojë me të mira. Allahu thotë:

“Po të besonin njerëzit e qyteteve dhe po të kishin devotshmëri, me siguri do t’i shpalosnim për ta bekimet nga qielli dhe toka, por ata përgënjeshtruan. Kështu që i dënuam për atë çfarë bënin [idhujtarinë dhe krimet]”. [el‐Araf, 96]

Dhe, Allahu thotë lidhur me Ithtarët e Librit:

“Po të vepronin sipas Teuratit, Ingjilit dhe çfarë u është zbritur nga Zoti i tyre [Kurani], atyre me siguri do t’u ofrohej furnizim nga lart dhe nga poshtë këmbëve të tyre” [el‐Maideh, 66];

“Atëherë, a ndjehen banorët e qyteteve të sigurt nga dënimi Ynë gjatë natës ndërsa flenë? Apo, a ndjehen të sigurt banorët e qyteteve nga dënimi Ynë në paradreke kur janë duke u argëtuar? A mos u siguruan nga plani i Allahut? Askush nuk ndjehet i sigurt nga plani i Allahut përveç të humburve”. [el‐Araf, 99]

El‐Alame ibn el‐Kajjim ka thënë:”Allahu nganjëherë i jep leje tokës që të marrë frymë, me ç’rast ndodhin tërmetet. Kjo i frikëson njerëzit, kështu që ata pendohen, i lënë mëkatet, i luten Allahut dhe ndjejnë keqardhje [për mëkatet e veta]. Kur kishte ndonjë tërmet, disa nga selefët thoshin:”Zoti juaj po ju paralajmëron”. Kur Medina qe goditur nga një tërmet, Umër ibn el‐Hatab [Allahu qoftë i kënaqur me të] iu adresua njerëzve dhe tha:”Nëse prapë bëhet tërmet, nuk do të qëndroj më mes jush”.

Ka edhe shumë transmetime të ngjashme nga te paret tane.

Reagimi ynë kur ka ndonjë tërmet apo ndonjë shenjë tjetër si eklipsi, erërat e forta e vërshimet, duhet të jetë që të ngutemi me pendim ndaj Tij, për shkak të sigurisë, dhe ta rikujtojmë Atë shumë dhe të kërkojmë falje prej Tij, siç ka thënë pejgamberi [salallahu alejhi ue selam], kur pati një eklips:”Nëse shihni diçka të këtillë, ngutuni që ta kujtoni Atë, luteni e kërkoni falje prej Tij”. [Pjesë e një hadithi të transmetuar nga el‐Buhari (2/30) dhe Muslim (2/628).]

Po ashtu është mustehab [e rekomanduar] që të kihet dhembshuri për të varfrit dhe nevojtarët, si dhe t’u jepet lëmoshë, ngaqë pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] ka thënë:

“Po treguat mëshirë, do të mëshiroheni” [Transmetuar nga Imam Ahmed, 2/1665.];

“Mbi Ata që janë të mëshirshëm do të ushtrohet mëshirë” [Transmetuar nga el‐Buhari (5/75) dhe Muslim (4/1809).]

Është transmetuar që kur ka patur tërmet, Umer ibn AbdulAziz [Allahu e mëshiroftë] u ka shkruar guvernatorëve të vet që të jepnin lëmoshë. Një nga gjërat që do të ndihmonin në sigurimin e njerëzve është që autoritetet të vejnë masa energjike ndaj elementeve negative në shoqëri, duke i detyruar të sillen si duhet dhe duke zbatuar ligjet sheriatike ndaj tyre, si edhe duke urdhëruar për mirë dhe duke ndaluar nga e keqja. Allahu thotë:

“Besimtarët dhe besimtaret janë eulija [ndihmës, përkrahës, miq] të njëri‐tjetrit. Ata urdhërojnë për mirë [dmth njësinë islamike dhe gjithë çfarë urdhëron Islami] dhe ndalojnë nga e keqja [dmth të gjitha llojet e idhujtarisë dhe mosbesimit, dhe gjithë çfarë ndalon Islami]. Ata falin namazin dhe japin zekatin, dhe i binden Allahut dhe të dërguarit të Tij. Allahu do t’i mëshirojë ata. Vërtet, Allahu ka mundësi për gjithçka, është i urtë” [Teubeh, 71];

“Vërtet, Allahu i ndihmon ata të cilët e ndihmojnë Atë [çështjen e Tij]. Vërtet, Allahu është i plotfuqishëm dhe ka mundësi për gjithçka. Ata [sundues islamikë] të cilëve nëse u japim pushtet në tokë, urdhërojnë për namaz, për zekat dhe urdhërojnë për mirë dhe ndalojnë nga e keqja. Te Allahu është përfundimi i të gjitha çështjeve” [el‐Haxh, 41];

“Kushdo që e ka frikë Allahun dhe i kryen obligimet ndaj Tij, Ai do të ofrojë rrugëdalje për të [nga çdo vështirësi] dhe do ta furnizojë nga nuk e kujton fare. Kushdo që i mbështetet Allahut, Ai do t’i mjaftojë”. [el‐Talak, 2‐3]

Mbi këtë temë ka shumë ajete.

Pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] ka thënë:”Kushdo që plotëson nevojat e vëllait të vet, Allahu do t’i plotësojë të tijat”. [El‐Buhari, 3/98; Muslim, 4/1996.]

Dhe, ai [salallahu alejhi ue selam] ka thënë:

”Kushdo që e liron një besimtar nga ndonjë shqetësim i kësaj bote, Allahu do t’ia largojë disa nga shqetësimet e Ditës së Ringjalljes. Kushdo që ia lehtëson çështjen atij që po përjeton vështirësi, Allahu do t’ia lehtësojë çështjet atij në këtë botë dhe në botën tjetër. Kushdo që fsheh gabimet e një muslimani, Allahu do t’i fshehë gabimet e tij në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu e ndihmon njeriun për sa kohë që ai e ndihmon vëllain e vet”. [Transmetuar nga Muslim, 4/2074.]

Mbi këtë temë ka shumë hadithe.

Allahu është Ai të cilit i lutemi që t’i ndreqë punët e të gjithë muslimanëve dhe t’i bekojë me të kuptuarit e drejtë të Islamit, dhe t’i ndihmojë të kapen fort për të dhe të pendohen përpara Allahut për mëkatet e tyre. Lusim Atë që t’i ndreqë të gjithë ata që janë përgjegjës për çështjet e muslimanëve dhe ta ndihmojë të Vërtetën e ta asgjësojë pavërtetësinë nëpërmjet tyre, dhe t’i ndihmojë ata për të sunduar sipas ligjeve të sheriatit, dhe t’i mbrojë ata dhe të gjithë muslimanët nga drejtimi i keq dhe nga ngasjet dhe dredhitë e shejtanit. Sepse, Ai është i aftë për gjithë këtë.

Nga shejh Bin Baz