Pastroje zemrën tënde

0
1071

Disa të devotshëm kanë thënë: “Vërtetë në këtë botë ka xhenet dhe kush nuk e përjeton xhenetin e kësaj bote, nuk e përjeton xhenetin e ahiretit.” Xheneti për të cilin flasin këta të devotshëm është xheneti i dhikrit (përmendjes së Allahut), është xheneti i njohjes së Allahut të madhëruar. Ata e kanë ndjerë kënaqësinë duke e përmendur Allahun e madhëruar. Kur ndonjëri prej tyre harronte t’i bënte dhikër Allahut të madhëruar, ka gjetur në vetvete mërzi e hidhërim.

Tregohet se një njeri, prej të parëve tanë të devotshëm, e ka bërë një mëkat, pas një kohe të gjatë që i bënte ibadet (adhurim) Allahut të madhëruar, dhe pas mëkatit i është dukur sikur e ka humbur zemrën e tij. Pra, e ka përjetuar këtë sikur ta ketë humbur të gjithë zemrën.

Thotë se një ditë kur po shëtiste në rrugë i thoshte vetes: “Ku e kam zemrën? Ku e kam zemrën?”

Por Allahu i lartësuar e pa sinqeritetin në zemrën e këtij njeriu (pra pendimin e sinqertë të tij) dhe deshi t’ia jepte atij një shembull. Ndërkohë që personi po shëtiste në rrugët e qytetit, pa se u hap një derë dhe në të një nënë nxori jashtë një fëmijë dhe më pas e mbylli derën. E pa se fëmija mbeti vetëm në rrugë duke shikuar majtas e djathtas pa e ditur se ku të shkojë, sepse nuk kishte tjetër përveç nënës. Fëmija trokiti në derë, por nëna nuk ia hapi atij derën. Filloi të qajë dhe e vendosi krahun e vet në pragun e derës por duke qarë e zuri gjumi. Në këtë çast doli nëna e fëmijës dhe e mori atë në kraharorin e saj dhe i tha: “O djali im! Ky është gabimi yt që e ke bërë dhe prandaj po të dënoj për të dhe unë e di që nuk kam tjetër përveç teje, mirëpo duhet patjetër të veproja me ty kështu, në mënyrë që ta dish vlerën time dhe të kthehesh tek unë.”

Në këtë çast, njeriu i devotshëm e kuptoi se çfarë donte t’i tregonte Allahu i madhëruar me këtë shembull dhe filloi të qante duke thënë: “O Allah! Nuk kemi tjetër përveç Teje! Na prano neve në derën tënde të pendimit!”

Këtë shembull e tregojnë dijetarët kur flasin për temën e pendimit.

Realiteti i pendimit është që të kthehemi tek Allahu i madhëruar dhe të dime se nuk kemi tjetër përveç Allahut të lartësuar. Nuk mbetet për ne që t’i bëjmë mëkat Atij në të mirat dhe begatitë që Ai na ka dhuruar.