Pasojat e betimeve të rreme.

0
845

✍️Pasojat e betimeve të rreme.

▣—•Betim quhet përforcimi i një lajmi, apo i një dëshmie, apo i një veprimi duke përmendur Allahun e madhëruar.

▣—•Betimi është adhurim për Allahun e madhëruar dhe ai si i tillë duhet vlerësuar, nëse është për ndonjë lajm a dëshmi duhet thënë e vërteta dhe nëse është për ndonjë angazhim duhet të kryhet ose të shlyhet.

▣—•Mosvlerësimi i betimeve ka pasoja të rënda sidomos kur shkelen me to të drejtat e të tjerëve psh Profeti alejhi selam kur flet për betimet zhytëse (dmth: betimet e rreme me të cilat i merret dikujt diçka me të padrejtë dhe quhen zhytëse sepse e zhysin atë që është betuar në zjarrin e Xhehenemit), thotë:

“Betimet zhytëse i lënë shtëpitë bosh.”
E transmeton Bejhakiu dhe e saktëson sheijh Albani.
Fjala “Bosh” d.m.th. pa njerëz dhe pa begati që të kënaqet ai të cilit i është bërë padrejtësia.

▣—•Ja një ngjarje e vërtetë e treguar nga Ibn Abasi -radiallahu anhu- e cila vërteton në praktikë hadithin e Profetit -alejhi selam-.
Ibn Abasi -radiallahu anhu- tregon: “I pari betim i bërë në lidhje me një gjak në kohën e injorancës (dmth: koha paraislame) ka lidhje me ne, bijtë e Hashimit (emri i gjyshit të tyre dhe emri i fisit të afërt të Profetit -alejhi selam-).

•Një burrë prej bijve të Hashimit shkoi të punojë qiraxhi te një kurejshit i një barku tjetër ( dmth: rrjedh nga një degëzim tjetër i Kurejshëve).

•Ai doli me të dhe me devetë e tij dhe pranë tyre kaloi një burrë tjetër nga bijtë e Hashimit të cilit i ishte këputur lidhësja e torbës.

•Burri iu lut atij: Më ndihmo me një lak, të shtrëngoj mbajtësen e torbës që të mos më trembet deveja!

•Ai ia dha lakun dhe ai shtrëngoi me të torbën dhe iku.

•Kur ata qëndruan për të pushuar, i lidhën devetë me leqe me përjashtim të njërës dhe pronari i tha atij: Si është puna e kësaj deveje e cila nuk është lidhur si të tjerat?

•Ai i tha: Nuk ka lak.

•Pronari i tha: Ku është laku i saj?! Dhe i gjuajti atij me shkop, gjuajtje e cila do t’i shkaktonte vdekjen (dhe u largua).

•Aty më pas kaloi një burrë nga Jemeni dhe ai e pyeti atë: A do të prezantosh në haxh?

•Burri i tha: Jo nuk do të prezantoj, por edhe mundet.

•Ai i tha: A do të ma përcjellësh një porosi, kur të mundesh?

•Burri i tha: Po.

•Atëherë ai i diktoi dhe i tha: Kur të prezantosh në haxh, thirr: O Kurejsh!
Kur ata të përgjigjen, thirr: O bijtë e Hashimit!
Kur ata të përgjigjen, pyet për Ebu Talibin dhe njoftoje se filani më ka vrarë për një lak!
Dhe pastaj vdiq.

•Kur u kthye pronari i cili e kishte marrë atë në punë, shkoi Ebu Talibi dhe e pyeti: Çfarë i ka ngjarë të afërmit tonë?

•Ai i tha: U sëmur dhe vdiq. Jam kujdesur shumë mirë për të dhe e kam varrosur vetë me duart e mia.

•Ebu Talibi në shenjë mirënjohje i tha: Kështu e prisja prej teje!

•Pas një farë kohe erdhi burri të cilin e kishte porositur për të përcjellë lajmin e tij dhe qëlloi kohë haxhi.

Ai thirri: O Kurejsh! Dhe njerëzit i thanë: Ja ku janë Kurejshët!
Pastaj thirri: O bijtë e Hashimit! Njerëzit i thanë: Ja ku janë bijtë e Hashimit!
Pastaj pyeti: Ku është Ebu Talibi? Njerëzit i thanë: Ky është Ebu Talibi!
Atëherë ai i tha atij: Filani më ka porositur të të përcjell një porosi se filani e ka vrarë atë për një lak.

•Atëherë Ebu Talibi shkoi dhe i tha atij (vrasësit): Zgjidh njërën prej tre gjërave: ose na jep njëqind deve si shpagim, sepse ke vrarë të afërmin tonë, ose në daç të betohen pesëdhjetë burra nga të afërmit e tu se ti nuk e ke vrarë, e nëse refuzon do të të vrasim për të.

•Burri shkoi tek të afërmit e tij dhe ata i thanë: Do të betohemi.

•Një grua prej bijve të Hashimit e cila ishte e martuar me njërin prej tyre dhe i kishte lindur atij një fëmijë, shkoi te Ebu Talibi dhe i tha: O Ebu Talib, kërkoj për hir të djalit tim ta heqësh nga betimi një burrë prej të pesëdhjetëve dhe të mos i kërkohet betimi te vendi i betimit! Dhe ai e pranoi.

•Pastaj erdhi një burrë prej tyre dhe i tha: O Ebu Talib, kërkove pesëdhjetë burra për t’u betuar në vend të njëqind deveve dhe secilit prej nesh i takojnë dy deve. Ja ku i ke dy deve dhe pranoji ato prej meje dhe mos më kërko të betohem te vendi i betimit! Dhe ai ia pranoi.

•Pastaj erdhën dyzet e tetë veta dhe u betuan.

•Ibn Abasi thotë: Pasha atë që në dorën e tij është shpirti im, nuk kaloi viti dhe ndonjëri prej dyzet e tetëve të lëvizte sytë.”
E transmeton Buhariu.
▣—•Fjala e tij [të lëvizte sytë] do të thotë se ndëshkimi i tyre ishte i fortë dhe i shpejtë, Allahu na ruajt prej zemërimit të Tij!

📚Marrë nga libri “Betimet në këndvështimin e Islamit”
Dr. Abdullah Nabolli