Nuk ka besim ai që nuk e mban amanetin

0
1140

Kryerja e amanetit është argument i besimit

I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, thotë:

“Nuk ka besim ai që nuk e mban amanetin. Nuk ka fe ai që nuk e mban premtimin (pra e shkel premtimin)”.

Zoti ynë i Madhëruar ka përshkruar banorët e xhenetit dhe përmend se një prej cilësive të banorëve të xhenetit është se ata e çojnë në vend amanetin.

Thotë Allahu, subhanehu ue teala:

“Dhe ata të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve që kanë marrë përsipër, ata e kryejnë rregullisht namazin, pikërisht këta janë trashgimtarët , ata që do të trashëgojnë xhenetin Firdeus në të cilin do të qëndrojnë përjetësisht.”

I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, në një hadith thotë:

“Më garantoni gjashtë gjëra që t’ju garantoj xhenetin…” dhe ka përmendur një ndër cilësitë që kërkohet prej këtyre gjashtë gjërave, është ruajtja e amanetit. Pra, duke mbajtur amanetin besimtari fiton xhenetin e Allahut, subhanehu ue teala.

Kryerja e amanetit është shkak për të fituar dashurinë e Allahut, subhanehu ue teala

I Dërguari i Allahut në një hadith thotë:

“Nëse dëshironi që Allahu dhe i Dërguari i Tij t’ju duan, atëherë ruajeni amanetin, flisni të vërtetën dhe silluni mirë me komshinjtë.”

Amaneti është gjëja e parë që do të largohet nga njerëzi.

Ka thënë i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem:

“E para gjë që do të largohet prej njerëzve është amaneti. Dhe gjëja e fundit që mbetet nga feja e tyre është namazi.”

Dhe në një hadith tjetër thotë Profeti, salallahu alejhi ue selem:

“Do të vijë një kohë kur njerëzit do t’i japin besën njeri-tjetrit, por nuk do ta mbajnë amanetin, saqë do të thuhet se në filan fis është një njeri i besueshëm.” Do të humbasë amaneti…

Kastriot Bardhi