Mos u sill kurre keq me prinderit.Ja si repsketohet prindi ne Islam

0
2170

Allahu xh.sh. thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë, që të mos adhuroni dikë tjetër përveç Tij dhe që të silleni mirë ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapluar pleqëria nën kujdesin tënd, atëherë mos u thuaj atyre, as “uf”, as mos u trego i vrazhdë ndaj tyre, po thuaju atyre fjalë të buta. Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun e përuljes dhe thuaj: “O Zoti im! Mëshiroji ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël.”[1]

Prinderit ne islam

Autori thotë: “Allahu xh.sh. urdhëron “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë, që të mos adhuroni dikë tjetër përveç Tij dhe që të silleni mirë ndaj prindërve.””

Muxhahidi thotë: “Thënia e Allahut a.xh.: “…ka dhënë urdhër të prerë” do të thotë: “Ka këshilluar.”” Këtë qëndrim ka mbajtur edhe Ebu bin Kabi, Ibn Mesudi e të tjerë. Ndërsa Ibn Xheriri përcjell nga Ibn Abasi se “…ka dhënë urdhër të prerë” do të thotë “ka urdhëruar”.

Fjala e Allahut a.xh.: “…që të mos adhuroni dikë tjetër përveç Tij” do të thotë që ta adhuroni Atë të vetëm, pa të tjerë, e ky është kuptimi i fjalës “Nuk ka Zot të adhuruar me të drejtë përveç Allahut (La ilahe il-lallah).

Ibn Kajimi – Allahu e mëshiroftë – thotë: “Mohimi i absolut (nuk ka Zot) nuk është njësim. Po kështu është edhe pohimi absolut (përveç Allahut), që nuk shoqërohet nga mohimi. Njësimi (Teuhidi) mund të realizohet vetëm nëse ai përmban pohimin dhe mohimin. Kjo është e vërteta e teuhidit.”

Fjala e Allahut a.xh.: “…që të silleni mirë ndaj prindërve” do të thotë se Ai a.xh. ka vendosur që të tregoheni bamirës me prindërit, ashtu siç ka vendosur që ta adhuroni Atë të vetëm e të pashoq, ashtu siç thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve të tu, sepse vetëm tek Unë është kthimi.”[2]

Thënia e Allahut a.xh.: “Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapluar pleqëria nën kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre, as “uf”, as mos u trego i vrazhdë ndaj tyre…” do të thotë mos i bëj ata të dëgjojnë fjalë të këqija prej teje, saqë edhe pasthirrma “uf” bën pjesë tek grada më ulët e fjalëve të këqija.

“…as mos u trego i vrazhdë ndaj tyre” do të thotë të mos burojë prej teje asnjë vepër e keqe karshi tyre, ashtu siç thotë Ata bin Rebahu: “Mos i shkund duart e tua para tyre.”

Kur Allahu i Lartësuar i ka ndaluar njerëzit që të flasin apo të sillen keq dhe i ka urdhëruar ata që të sillen dhe të flasin mirë, duke thënë: “…po thuaju atyre fjalë të buta”, që do të thotë të ëmbla, të shoqëruara me sjellje të mirë dhe respekt.

Fjala e Allahut xh.sh: “Dhe në shenjë mëshire, shtrije pranë tyre krahun e përuljes…” do të thotë: tregohu i thjeshtë me ta “dhe thuaj: “O Zoti im! Mëshiroji ata të dy…” pra në moshën e pleqërisë ose kur të vdesin “sikurse më edukuan mua kur isha i vogël.”

Në lidhje me temën e mirësisë ndaj prindërve janë përcjellë hadithe të shumta, ku disa prej tyre janë:

Hadithi i përcjellë me rrugët e transmetimit nga Enesi dhe të tjerë, se i Dërguari i Allahut u ngjit mbi minber dhe tha: “Amin, Amin, Amin.” Të pranishmit thanë: “O i Dërguari i Allahut, për çfarë bëre Amin?!” Ai iu tha: “Më erdhi Xhibrili dhe më tha: “O Muhamed! I poshtëruar qoftë (regime enfu)[3] ai njeri, në prani të të cilit ti përmendesh dhe ai nuk jep salavat (kërkon mëshirë) për ty. Thuaj: Amin.” Tha a.s.: “Dhe unë thashë: Amin.” Pastaj (Xhibrili) tha: “I poshtëruar qoftë ai, që i hyri muaji i Ramazanit dhe doli prej tij pa iu falur gjynahet. Thuaj: Amin.” Ai a.s. tha: “Dhe unë thashë: Amin.” Tha: “I poshtëruar qoftë ai njeri, që i ka gjetur (gjallë) të dy prindërit ose njërin prej tyre dhe nuk është futur në Xhenet. Thuaj: Amin.” Ai a.s. tha: “Dhe unë thashë: Amin.”[4]

Imam Ahmedi përcjell prej hadithit të Ebu Hurejres r.a. nga i Dërguari i Allahut se ka thënë: “I poshtëruar qoftë, i poshtëruar qoftë, i poshtëruar qoftë ai burrë, që i ka gjetur (gjallë) prindërit e tij; njërin prej tyre ose që të dy dhe nuk ka hyrë në Xhenet.”

Amad bin Kethiri thotë: “Në këtë formë është i saktë.”[5]

Na përcillet nga Ebu Bekrete r.a. se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “A t’ju njoftoj për më të mëdhatë e gjynaheve.” Thamë: “Po, o i Dërguari i Allahut.” Tha: “T’i shoqërosh shok Allahut, mosrespektimi i prindërve” dhe pasi ishte i mbështetur, u ul ndenjur dhe tha: “Fjala e rreme, dëshmia e rreme” dhe vazhdoi ta përsëriste këtë fjalë derisa thamë me vete: “Ah, sikur të heshtte.” E përcjell Buhariu dhe Muslimi.

Na përcillet nga Abdullah bin Amri r.a. se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Kënaqësia e Allahut është tek kënaqësia e prindërve dhe zemërimi i Tij është tek zemërimi i prindërve.”

Na përcillet nga Esid Saidiu r.a. se: “Kur po qëndronin ulur bashkë me të Dërguarin e Allahut, papritmas na erdhi një burrë nga fisi i Beni Selemesë dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! A ka mbetur ndonjë mirësi, që mund ta bëj unë për prindërit e mi pasi kanë vdekur?!” Ai a.s. tha: “Po. Të falësh namazin (e xhenazes) për ta, të kërkosh falje për ta, të zbatosh premtimet e tyre pas vdekjes, të vendosësh lidhjet farefisnore, që mund të lidhen vetëm nëpërmjet tyre dhe të tregohesh bujar me shokun e tyre.”[6]

[1] – Isra; 23, 24.

[2] – Lukman; 14.

[3] – Regime enfu është një shprehje arabe, që do të thotë të vendosësh hundën në tokë në shenjë poshtërimi dhe përuljeje. (sh.p).

[4] – Hadithin e ka përcjellë Hakimi në “El-Mustedrek” me zinxhir të saktë, Ibn Hibani tek “El-Thukat” dhe e ka cilësuar të saktë, Taberaniu në “El-Kebir”, Buhariu në kapitullin e Sjelljes së mirë ndaj prindërve, Bejhakiu në degët e besimit etj.

[5] – Hadithi i saktë, ose hadithi sahih është ai hadith, i cili e ka zinxhirin e tij transmetues të lidhur me një transmetues që gëzon një fe pa të meta dhe një kujtesë të plotë, i cili përcjell nga dikush tjetër me tipare si të tijat, deri në fund të zinxhirit transmetues, pa devijime dhe pa të meta serioze.

[6] – E përcjell Ibn Maxheh dhe hadithet me këtë kuptim janë të shumta.