Mos të përhapë sekretet e saj
Të mos e përhapë sekretin e saj, të mos flas për gjërat që ndodhin brenda dyerve të saj, sidomos për gjërat intime, për të cilat i kemi përmendur hadithet kur folëm për të detyrat e gruas ndaj burrit.
Mos ta urrejë
Të mos e urrejë, të mos i shikojë të këqijat e saj, por duhet të shikoj në të mirat e saj. T’i zmadhojë të mirat e saj e t’i zvogëlojë të këqijat, të përpiqet që brenda mundësive t’i shohë vetëm të mirat, sepse i Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
“Besimtari nuk duhet ta urrejë besimtaren. Nëse urren një sjellje të saj, do të jetë i kënaqur me shumë sjellje tjera të saj.”
Bashkëshorti duhet të kërkojë nga gruaja e tij atë që është më e lehta, të jetë i kënaqur me gjëra të lehta, duke pasur parasysh natyrën e saj. I Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
“Silluni mirë me gratë, sepse gruaja është krijuar nga brinja e lakuar e njeriut, ndërsa pjesa më e lakuar e brinjës është pjesa e sipërme. Nëse përpiqesh ta drejtosh, do ta thyesh e nëse e lë ashtu siç është, mbetet e lakuar. Prandaj silluni mirë me gratë!”
Po ashtu ka thënë:“Gruaja është krijuar nga brinja e lakuar. Ajo nuk do të të drejtohet në asnjë rrugë. Nëse je i kënaqur me të, do jesh i kënaqur edhe nëse është e lakuar. Nëse përpiqesh ta drejtosh, do ta thyesh, e thyerja e saj është shkurorëzimi.”
Qëllimi me këtë hadith është që: njeriu duhet ta dijë natyrën e gruas e të jetë i kënaqur ndaj saj aq sa mundet, duke pasur parasysh natyrën e saj, të mos e ngarkojë më tepër sesa që ajo mundet, t’ia falë lëshimet, sepse ajo është krijuar nga brinja e lakuar.
Titulli i librit:Detyrat mes bashkëshortëve
Autor:Dr. Sulejman Ruhejli
Përktheu:Jeton Bozhlani