Mos e harro kurre kete lutje.

Porosi të bukura profetike

Transmetohet nga Muadh bin Xhebel radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e kapi atë prej dore dhe i tha: “O Muadh! Pasha Allahun unë të dua ty! Pasha Allahun unë të dua ty!” Dhe tha: “Të porosis o Muadh që në fund të çdo namazi mos e lë pa thënë (këtë lutje): Allahumme einni ala dhikrike ue shukrike ue husni ibadetike – O Allah! Më ndihmo të të përmend Ty, të jem falënderues ndaj Teje dhe që ta përsos adhurimin tënd!” Transmeton Ebu Daudi (1522) dhe Nesaiu (1303). Shih “Mishkatul-Mesabih” (949) dhe “Sahihul-Xhami” 7969 (3063). Hadithin e kanë konsideruar të saktë Shejh Ibën Bazi dhe Shejh Albani (Allahu i mëshiroftë!).

 

Kuptimi i përgjithshëm: Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e njofton Muadhin radijAllahu anhu se e do atë, dhe për shkak të kësaj dashurie ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tregon atij një lutje që ta thotë në fund të çdo namazi.

Dobitë që përfitohen nga kjo porosi profetike:

  1. Prej Sunetit është që personi kur e do dike, le ta njoftojë atë. Ngase kjo e shton dashurinë midis tyre dhe është prej shenjave të besimit.
  2. Vlera e këtyre fjalëve të bukura dhe të begata, të cilat kanë përfshirë të mirat e dynjasë dhe botës tjetër.
  3. Me thënien e kësaj lutje t’i kërkon nga Zoti yt të të ndihmojë që ta përmendësh Atë me zemër, gjuhë dhe gjymtyrë.[1]
  4. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk tha “ala ibadetike”, por tha “ue husni ibadetike”, ngase njeriu mund ta adhurojë Zotin e tij, porse adhurimi i tij nuk është i përsosur (saktë). E kjo, qoftë për shkak të mungesës së sinqeritetit ose për shkak të mospasimit të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Puna/adhurimi nuk pranohet tek Allahut i Lartësuar vetëm se me përmbushjen e dy kushteve:
  5. a) Sinqeriteti për Allahun e Lartësuar.
  6. b) Pasimi i të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.[2]
  7. Më e mira është që kjo lutje të thuhet para dhënies së selamit. Ngase kështu ka ardhur në disa transmetime dhe se lutjet bëhen para dhënies së selamit. Siç përmendet në hadithin që transmeton Ibën Mesudi radijAllahu anhu “ pastaj të zgjedhi çfarë të dojë prej lutjeve.” Nisur nga kjo “Allahumme einni ala dhikrike ue shukrike ue husni ibadetike” thuhet para dhënies së selamit. Ndërsa për pas selamit, çfarë ka thënë Allahu i Lartësuar?Pasi të kryeni namazin, përmendeni Allahun.” En-Nisa, 103. Dhe nuk tha: Luteni Allahun.[3]

 

Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme

 

[1] Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) “Sherh Mishkah el-Mesabih”, vëll. 2

[2] Shih për më shumë fjalën e Shejh Ibën Uthejminit (Allahu e mëshiroftë!) në “Sherh Mishkah el-Mesabih”, vëll. 2

[3] Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) në “Mexhmu fetaua ue Rasail”, vëll. 13

Read Previous

Xhumaja festa e muslimaneve

Read Next

Vlera e atij qe therret ezanin