“Atëherë mos adhuroni askënd tjetër përveç Allahut kur ju e dini (të vërtetën)!” Surja Bekare 22.
Ky ajet përmban në vetvete disa çështje:
1. Urdhrin për të adhuruar një Zot të vetëm.
2. Ndalimin nga adhurimi i çdo gjëje tjetër veç Tij.
3. Ai është provë e qartë dhe e padiskutueshme, që vërteton detyrueshmërinë e adhurimit të Allahut të Madhëruar.
4. Ai dëshmon se çdo adhurim që kryhet dhe i përkushtohet dikujt tjetër veç Allahut, është i kotë dhe i pavlefshëm.
5. Në këtë ajet përmendet dhe vërtetohet teuhidi rububije, ose besimi se Allahu i Lartësuar është Unik, i Vetëm dhe Absolut, në aspektin e krijimit, furnizimit,
administrimit dhe rregullimit të çështjeve të krijesave.
6. Ky ajet është ftesë për njerëzit që, ashtu sikurse ata pohojnë dhe janë të sigurt se Allahu i Lartësuar është i Vetëm, Unik, Absolut dhe i Pakrahasueshëm në aspektin e krijimit, furnizimit, administrimit dhe rregullimit të çështjeve të krijesave, në të njëjtën mënyrë duhet të pohojnë dhe të besojnë bindshëm, se ai është Unik, i Vetëm, Absolut dhe i Pakrahasueshëm edhe në aspektin e meritës së adhurimit. Ai është argumenti më i qartë logjik që, nga njëra anë, dëshmon unifikimin e Allahut në çdo aspekt dhe, nga ana tjetër, dëshmon kotësinë e adhurimit të të gjithë atyre që konsiderojnë si Zot dikë tjetër veç Allahut.
7. Ky ajet hedh poshtë shirkun, me të gjithë përmasat dhe format e tij.
Tefsir ibn Sidij.