Lutja qe bente profetit Muhamed alejhi selam per te shlyer borxhet

I Dërguari i Allahut a.s. i është lutur Zotit të tij që t’ia shlyente borxhet.

Bile I Dërguari i Allahut a.s. e bënte shpesh këtë lutje.

Tek hadithi të cilin e ka cekur Muslimi nga Ebu Hurejreh r.a. thuhet se Profeti a.s. kur shtrihej në shtratin e tij kthehej në anën e tij të djathtë dhe thoshte: O Allah, Zoti i shtatë qiejve dhe Zoti i Arshit Madhështor….shlyma borxhin dhe shpëtomë nga varfëria!”Shlyma borxhin” ishte një ndër lutjet që Profeti a.s. ia drejtonte Zotit të tij saherë që shtrihej në shtratin e tij.

Bile Profeti a.s. i kërkonte Zotit të tij diçka më të madhe se aq,i kërkonte që ta mbronte atë nga borxhi, të mos i mundësohej që të hynte në borxh.Nuk e donte borxhin Profeti a.s.

Dhe kur hynte në borxh i lutej Zotit të tij që t’ia shlyente. Buhariu dhe Muslimi kanë cituar në dy Sahihat e tyre nga Enesi r.a. se Profeti a.s. i thoshte shpesh këto fjalë: ”O Allah, më mbro nga pikëllimi dhe mërzia, nga paaftësia dhe dembelizmi, nga koprracia dhe burracakëria, nga barra e borxhit dhe mbisundimi I burrave”

E dëgjuat se çfarë ka thënë Enesi? ”Profeti a.s. i thoshte shpesh”

Buhariu ka cituar në Sahihun e tij nga Aisheja r.a. se Profeti a.s. lutej në namazin e tij: ”O Allah, më mbro nga mëkati dhe borxhi!” Një burrë i tha: O Profet i Allahut, sa shumë që lutesh për mbrojtje nga borxhi! Profeti a.s. i tha: Ai person që hyn në borxh kur flet gënjen, kur premton nuk e mban fjalën”

Ky ishte qëndrimi i Profetit a.s. ndaj borxhit. I lutej Zotit të tij që ta mbronte prej tij. I përgjërohej Zotit të tij që ta ruante nga borxhi, nga barra e tij. Dhe saherë që shtrihej në shtrat i lutej Zotit të tij që t’ia shlyente atë.

Ky ishte qëndrimi i tij a.s. lidhur me borxhin, ndërsa qëndrimi i umetit të tij…!!! Ne e shpërfillim atë! Aq shumë e shpërfillim saqë kur ndonjëri prej nesh dëshiron të blejë një banesë e blen atë me borxh! Makinën… me borxh!.

Orenditë shtëpiake…me borxh! Martesën…me borxh! Përgatitjet e martesës…me borxh! Pushimet…me borxh! Kurbanin, kurbanin e Bajramit…me borxh!

Madje më ka thënë dikush tek fjala e të cilit nuk dyshoj se ka njerëz që posedojnë pasuri të konsiderueshme por kur blejnë diçka preferojnë që ta blejnë në formë borxhi!

Ky është kulmi i mendjelehtësisë! Është një mënyrë e çuditshme e shpërfilljes së borxhit.

Pas asaj që ju e dëgjuat mbi qëndrimin e Profetit a.s. në lidhje me borxhin. Madje Profeti i Allahut a.s. ka pas paralajmëruar dhe ka pas bërë vërejtje për borxhin.

Imam Ahmedi ka cituar një hadith serioz nga Xhabiri r.a. se ka thënë: Vdiq një person dhe ne e lamë, e parfumosëm dhe e qefinosëm, më pas e çuam tek Profeti a.s. që ai ti falte namazin e xhenazes.

I thamë: O Profet i Allahut, falja namazin e xhenazes! Profeti a.s. bëri disa hapa përpara pastaj u kthye me fytyrë nga ne dhe pyeti: A ka ndonjë borxh ai? I thamë: Po, dy dinarë. Atëherë Profeti a.s. u largua, nuk deshi që t’ia falte atij namazin e xhenazes.

Sipas një versioni tjetër Profeti a.s. tha: Faljani ju namazin e xhenazes! D.M.TH. Ai vetë nuk ia falte namazin e xhenazes atij që kishte borxhe pa shlyer, atyre u tha që t’ia falnin.

Ato dy dinarët i mori përsipër Ebu Katadeja r.a. dhe i tha Profetit a.s. se i kam marrë unë përsipër ato dy dinarët. Ai tha: A i është dhënë haku borxhdhënësit, dhe është shkarkuar nga përgjegjësia i vdekuri?

Ai i tha: Po. Atëherë Profeti a.s. ia fali namazin e xhenazes. Të nesërmen, pikërisht të nesërmen Profeti a.s. e pyeti Ebu Kataden: Ç’farë u bë me dy dinarët? Ebu Katadeja i tha: O Profet i Allahut, ai dje vdiq! Ditën tjetër Profeti a.s. e pyeti përsëri dhe ai i tha që i kishte paguar ato.

Atëherë Profeti a.s. tha: Tani i është freskuar lëkura! E dëgjuat! Tani iu freskua lëkura, pasi iu shlye borxhi. Me një fjalë, njeriu që vdes pa shlyer borxhet nuk i freskohet lëkura derisa ato të shlyhen.

Supozo se nuk i shlyhen! Nuk i freskohet lëkura. Allahu na ruajtë! Borxhi është i rrezikshëm, i rrezikshëm!!! Ibn Maxheh ka cituar nga Ibn Umeri r.a. se Profeti a.s. ka thënë: Kush vdes duke pasur një borxh pa shlyer qoftë një dinar apo një dirhem ai do të shlyhet nga të mirat e tij, ska atje as dinar e as dirhem! Muslimi ka cituar në Sahihun e tij nga Abdullah bin Amr bin Asi r.a. se Profeti a.s. ka thënë: I falet shehidit çdo mëkat përveç borxhit! ”përveç borxhit”

Por borxhi nuk i falet! Njerëz, nuk duhet ta konsiderojmë si diçka të lehtë borxhin, kurrë! Ky që thamë është statusi i borxhit kur njeriu synon që ta shlyej atë.

Ndërsa ai që e merr borxhin dhe nuk synon që ta shlyej atë atëherë kjo gjë është shumë herë më e keqe! Buhariu ka cituar në Sahihun e tij nga Ebu Hurejreh r.a. se Profeti a.s. ka thënë: Ai që i merr pasuritë e njerëzve duke dashur që ti shlyej ato Allahu do ti shlyej ato nga ana e tij, ndërsa ai që i merr pasuritë e njerëzve duke dashur që ti shkatërrojë ato Allahu do ta shkatërrojë atë! Më e rëndë se kjo që thamë është ajo që ka cituar Tabrani në ”Mu’xhem es Sagir” se Profeti a.s. ka thënë: Ai burrë që martohet me një grua në këmbim të një mehri të paktë apo të shumtë duke mos dashur në vetvete që t’ia japë asaj mehrin që i takon, e mashtron atë, ndërkaq ajo vdes duke mos ia dhënë asaj mehrin, do të përballet me Allahun në ditën e Gjykimit në statusin e imoralit!!!

Dhe ai burrë që merr një borxh duke mos dashur që t’ia kthejë atë atij që i takon, e mashtron atë, ndërkaq vdes duke mos ia kthyer atij atë që i takon, do të përballet me Allahun në statusin e hajdutit!!!

Hadithet që përcillen në këtë kuadër janë të shumtë. Ato që ju citova janë të mjaftueshëm për atë që posedon zemër (të shëndoshë) ose për atë që dëgjon duke qenë i vëmendshëm!

Shejh Seid el Kemili
Përktheu Rexhep Milaqi

Read Previous

6 veprime në namaz janë prej shenjave të HIPOKRIZISË

Read Next

Betimet në këndvështrimin e Islamit.