Llojet e ushqimive që jepen për zekatin e fitrit

0
541

Ajo që është obligim të jepet si zekatul fitr duhet të jetë ushqim për të varfrit, nga ushqimet që i përdorin banorët e vendit, si: hurma, miell, oriz, rrush i thatë etj. Ibn Umeri radijAllahu anhu ka treguar: “I Dërguari salAllahu alejhi ue selem e ka bërë obligim zekatul fitrin kur të përfundojë Ramazani një sa’a hurma dhe një sa’a elb.” Në atë kohë elbi ka qenë ushqim me të cilin njerëzit kanë përgatitur bukën për ta ngrënë. Po ashtu Ebu Sejid el Hudriu radijAllahu anhu ka treguar: “Në kohën e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem si zekatul fitr kemi nxjerrë një sa’a prej ushqimit, në ditën e Bajramit. Ushqimi ynë atëherë ka qenë elbi, rrushi i thatë, qumështi i tharë (në formë të djathit) dhe hurmat.” Buhariu dhe Muslimi.

Nga kjo kuptojmë se nuk lejohet nxjerrja e zekatul fitrit si ushqim i kafshëve, ngase Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka bërë obligim që të jetë ushqim për njerëzit e varfër, e jo për kafshët. Po ashtu, nuk lejohet nxjerrja e tij si rroba, apo enë, e gjëra të kësaj natyre. Çfarë nuk është ushqim i njerëzve, nuk lejohet të nxjerrët si zekatul fitr. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka caktuar dhe e ka bërë obligim që zekatul fitr të nxjerrët si ushqim, andaj nuk lejohet të tejkalohet ajo që e ka përcaktuar dhe e ka bërë obligim ai salAllahu alejhi ue selem. Gjithashtu nuk lejohet nxjerrja e zekatul fitr si monedhë në vlerën e ushqimit.[2]

Arsyet se pse nuk lejohet nxjerrja e zekatul fitrit në diçka tjetër përveç ushqimit:

-kjo është në kundërshtim me atë që na ka urdhëruar Pejgameri salAllahu alejhi ue selem, i cili ka thënë: “Ai që e vepron një gjë që nuk është prej fesë sonë, ajo refuzohet.” Buhariu dhe Muslimi, dhe: “Ai që shpik në fe diçka që nuk është prej saj, i refuzohet.” Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka urdhëruar dhënien e ushqimit (si zekatul fitr), e nëse ne e kundërshtojmë urdhrin e tij (duke dhënë diçka tjetër), kjo vepër nuk na pranohet tek Allahu.

-është në kundërshtim me veprën e sahabëve. Ata e kanë nxjerrë atë si ushqim. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kapuni për sunetin tim dhe të udhëheqësve të drejtë që vijnë pas meje.” Tirmidhiu, ibn Maxheh dhe të tjerë. Zekatul fitr është adhurim i obliguar i një lloji të caktuar (Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka caktuar se në çfarë lloji të nxjerrët), andaj nuk lejohet të nxjerrët prej një lloji tjetër, përmes të cilit e adhuron Allahun. E dimë se lejohet të jepet lëmoshë nga parat kush ka mundësi, e ndërsa te zekatul fitri është caktuar lloji. Ashtu siç nuk lejohet nxjerrja e dhënia e zetatul fitrit jashtë kohës së tij (të përcaktuar), po ashtu nuk lejohet të jepet prej një lloji tjetër.

-kur Pejgameri salAllahu alejhi ue selem e ka caktuar (se çfarë të nxjerrët) dhe e ka bërë obligim zekatul fitrin, ka caktuar lloje të ndryshme prej ushqimeve, siç pamë hadithin më lartë. Zakonisht këto llojet e ndryshme të ushqimeve kanë dallime në vlera, disa janë më shtrenjtë e disa më lirë, në çdo kohë. Sikur të ishte çështja që të merret në konsideratë vlera e ushqimit, atëherë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem do ta caktonte një lloj të ushqimit për t’u dhënë si zekatul fitr, e pastaj llojet e tjera do t’i llogariste në bazë të vlerës së atij ushqimi, mirëpo ai nuk ka vepruar kështu, por ka caktuar lloje të ndryshme të ushqimeve për t’u nxjerrë si zekatul fitr.

-me këtë gjë (me nxjerrje të diçkaje tjetër si zekatul fitr, e jo si ushqim) zekatul fitrin e përjashton nga të qenit një simbol i dukshëm e shenjë dalluese e muslimanëve në Ramazan dhe bëhet një lëmoshë e fshehur, që nuk e sheh askush përveç atij që e jep. Kur jepet një sa’a nga një ushqim, një sa’a nga një ushqim tjetër, atëherë kështu bëhet diçka e dukshme, e njohur, që shihet qartë në mesin e myslimanëve, gjë të cilën e dallon çdokush, edhe nëse është fëmijë apo i rritur; shohin matjen, shpërndarjen etj. E do të ishte ndryshe nga kjo nëse secili do ta jepte (si diçka tjetër) në vlerë të ushqimit. Kështu, këtë do ta dinte vetëm ai që e ka dhënë dhe ai që e ka marrë, duke mos pasur të tjerët njohuri.

L. Perçuku – Libri “Ndejat e Ramazanit”