Një prej dijetarëve e kanë pyetur:
“Kujt t’ia japë vajzën?”
I thotë: “Jepja atij që është fetar (që ka frikë Allahun), sepse nëse do ta dojë, do ta respektojë e nëse nuk do ta dojë, nuk do t’i bëjë padrejtësi.”
Kur burri është fetar i mirë, kjo e pengon atë që t’i bëjë padrejtësi gruas së tij (në të ardhmen).
Ibn Tejmije rahimehullah ka thënë: “Atij i cili vepron mëkate haptazi (që është larg fesë), nuk lejohet t’i jepet vajza (me fe të mirë, e ndershme, e moralshme).”
Edhe për nga ana e vajzës, duhet të përzgjidhet një burrë që ka fe dhe sjellje të mirë.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka paralajmëruar:
“Nëse dikush, të cilin e pëlqeni në fe e moral, ua kërkon vajzën, martojeni. Në të kundërtën do të ketë kaos të madh në tokë.” Tirmidhiu.
Allahu thotë: “Jetoni e silluni mirë me to!” Nisa, 19. Kjo është porosi dhe urdhër prej Allahut. Myslimani është i obliguar që ta kalojë jetën mirë me gruan e tij. Kjo sjellje duhet të jetë ajo që është më e mira, duke përfshirë fjalë dhe veprat. Kështu, kur burri i drejtohet gruas, t’i drejtohet me fjalë të mira, me shprehje të bukura e të buta, jo me vrazhdësi dhe arrogancë. Gjithashtu, me veprime të mira e jo me ashpërsi.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Ju porosis që të silleni mirë me gratë e juaja!” do të thotë duhet të silleni mirë me to me të gjitha fjalët dhe veprat e juaja, vazhdimisht ta këshilloni porositni njëri-tjetrin për t’u sjellë mirë me gratë, duke qenë ky një lloj amaneti i përhershëm ndaj njëri-tjetrit. Ky urdhër vlen edhe më shumë në rastin kur personi e di se një burrë nuk sillet mirë me gruan e tij dhe shkon për ta këshilluar dhe porositur që të sillet mirë ngase kështu na ka porositur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem. Nëse ne e zbatojmë këtë urdhër, edhe jeta jonë bashkëshortore do përmirësohet (e nuk do të vazhdojnë brengat, shqetësimet, mosprehja në martesë etj.).