Kurani është quajtur dhikër

0
379

Kurani është quajtur dhikër

I gjithë Kurani është Libër i dhikrit (përmendjes së Allahut). Dhikri është shpirti, origjina dhe esenca e Kuranit, si dhe është kulmi i qëllimit se pse Allahu e ka zbritur atë (Kuranin). Ai thotë: “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.” Sad 29. Dhe thotë: “Vërtet, këtu ka këshillë për këdo që ka zemër, dëgjon me vëmendje dhe dëshmon.” Kaf 37. Dhe thotë: “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh.” Isra 9. Dhe thotë: “Prandaj këshillo me Kuranin këdo që ka frikë paralajmërimin Tim!” Kaf 45. Allahu i Madhërishëm e ka quajtur Kuranin dhikër. Ai thotë: “Ndërsa ky (Kuran) është Këshillë e bekuar, të cilën Ne e kemi shpallur, prandaj, si mund ta mohoni ju atë?!” Enbija 50. Dhe thotë: “Ndërsa ty (o Muhamed) të zbritëm Përkujtesën (Kuranin), me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë.” Nahl 44. Dhe thotë: “Këto që po t’i tregojmë ty (o Muhamed) janë vargje dhe këshilla të larta (nga Kurani).” Ali Imran 58. Dhe thotë: “A po çuditeni që këshilla e Zotit tuaj t’ju vijë nëpërmjet një njeriu prej jush, i cili ju tërheq vërejtjen, që të kini frikë (Allahun), në mënyrë që të mëshiroheni (prej Tij)?!” Araf 63. Dhe thotë: “Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.” Hixhr 9. Dhe thotë: “Betohem në Kuranin plot këshilla…” Sad 1. Sufjan eth Theuriu rahimehullah thotë: “Na është transmetuar se leximi i Kuranit është dhikri më i mirë, më i vlefshëm, nëse njeriu pastaj punon me atë që e lexon.”

Bazuar në librin “Fikh el ed’ijeh uel edhkar” të shejkh AbduRrezak el Bedër