Përmirësimi i familjes është rruga e sigurisë së popullit në përgjithësi.
E si ka mundësi të përmirësohet e gjithë shoqëria kur sulmohen shtyllat e familjes, ndërsa Allahu i Madhëruar na dha këtë mirësi, mirësinë e bashkimit dhe formimit të familjes, lidhjeve dhe dashurisë mes tyre. Allahu në Kur’an thotë:
“Allahu i ka krijuar për ju gratë nga lloji juaj e nga gratë tuaja ju jep djemtë e nipat dhe ju furnizon me ushqime të mira. A mos vallë ata besojnë në gënjeshtra dhe mohojnë dhuntitë e Allahut?” (En Nahl: 72)
Bashkëshortët dhe raportet e tyre të mira, prindërit dhe ata që edukohen në gjirin e tyre, qofshin ata djem apo vajza, janë shëmbëlltyra e civilizimit dhe ardhmërisë, e pa dyshim se shejtani gëzohet dhe ia arrin qëllimit në ndarjen dhe prishjen e një familjeje, se me këtë nuk shkatërron një shtëpi të vetme dhe nuk bën vetëm një të keqe, por ajo e keqe reflektohet në popull në përgjithësi, në vuajtje dhe mizori të vazhdueshme.
Gjendja e sotme është argument shumë i qartë për këtë.
Allahu e mëshiroftë njeriun falënderues gjatë jetës së tij, i butë, i dëlirtë, i mëshirshëm me familjen e tij, i kujdesshëm në obligimet e tij, nuk kërkon të pamundurën, nuk e vështirëson të rëndën, nuk është i shkujdesur në përgjegjësitë e tij dhe Allahu e mëshiroftë gruan që nuk i kërkon llogari për gabimet, e mirë, e devotshme, ruajtëse e amanetit që Allahu i ka ngarkuar.
Kini frikë Allahun o ju bashkëshortë! Kini frikë Allahun o muslimanë, se kush ka frikë Allahun, Ai ia lehtëson punët atij.
Unejs Murati-Daku