Kthehu tek libri i Allahut. Kurani

0
902

Për sa i përket kthimit te Libri i Allahut, ai plotësohet atëherë kur muslimanët të kujdesen për të marrë kuptimin e saktë të tij, e pastaj të punojnë me çka ka ardhur në të, sepse Allahu i lartësuar thotë: “Këtë libër të bekuar ta zbritëm Ty, me qëllim që të thellohen në kuptimin e ajeteve të tij e të përkujtohen të zotët e mendjes së shëndoshë.”Sure Sad: 29.

Meditimi dhe thellimi në ajetet e Kuranit të çon në të kuptuarit e domethënies së tyre. “…e të përkujtohen të zotët e mendjes së shëndoshë”, “përkujtim” do të thotë të punuarit me këtë Kuran.

Ky Kuran ka zbritur për këtë qëllim dhe për këtë urti. E nëse ka zbritur për këtë, atëherë le t’i kthehemi që të thellohemi e të mësojmë kuptimet e tij, pastaj të praktikojmë atë që ka ardhur. Sepse me të vërtetë në të gjendet lumturia e kësaj bote dhe e tjetrës. Allahu i madhëruar thotë: “….atëherë kushdo që ndjek Udhëzimin Tim, nuk do të humbë e as që do të bjerë në mjerim. E kushdo që ia kthen shpinën Mesazhit Tim, pa dyshim që për të do të ketë jetë të vështirë e në Ditën e Kiametit do ta ringjallim të verbër.”Sure Taha: 123, 124.

Ndaj nuk mund të ndeshësh njeri më të qetë, më të çiltër e më të gëzuar sesa besimtari, asnjëherë! Edhe nëse ai është i varfër, sepse besimtari është nga njerëzit më të qetë shpirtërisht dhe më pak i stresuar se çdokush tjetër. Lexoni nëse dëshironi Fjalën e Allahut të Lartësuar: “Kushdo që bën të mira prej jush, qoftë mashkull apo femër, duke qenë se është besimtar, Ne do t’i japim jetë të mirë e do ta shpërblejmë për punën e tij më mirë sesa ai ka punuar.”Sure Nahl: 97.

Ç’është jeta e mirë?

A është jeta e mirë shtimi i pasurisë?

Apo është shtimi i pasardhësve?

Apo është siguria?

Jo, jeta e mirë është qetësia shpirtërore dhe rehatia e zemrës, edhe sikur njeriu të ndodhet në varfërinë më të madhe, por ai me besim është i qetë shpirtërisht. Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Çudi me gjendjen e besimtarit, çdo situatë për të është e mirë! E kjo nuk është veçse për besimtarin! Nëse i vjen ndonjë mirësi, falënderon e kjo është e mirë për të, por nëse i bie ndonjë fatkeqësi, duron dhe kjo gjithashtu është e mirë për të”Transmeton Muslimi (2999).

Nëse jobesimtarit i bie ndonjë fatkeqësi, a do të durojë? Sigurisht që jo. Përkundrazi, do të mërzitej e kjo botë do t’i dukej tepër e vogël, e ndoshta edhe mund të shkonte deri në vetëvrasje. Ndërsa besimtari duron dhe gjen kënaqësi në këtë durim, sepse shpirti e zemra e tij është e qetë dhe e mbushur me besim, prandaj jeta e tij është e mirë. Ndaj këtu mund të themi se Fjala e Allahut të Lartësuar: “…Ne do t’i japim jetë të mirë”, do të thotë: jetë në zemrën dhe shpirtin e tij.

Disa historianë që kanë folur për jetën e Hafidh ibn Haxherit, i cili ka qenë edhe gjykatës në Egjipt në kohën e tij, kanë treguar se kur ai vinte në punë në mëngjes, e sillte një karrocë e tërhequr nga kuajt. Një ditë kaloi pranë një egjiptiani çifut që ishte shitës vaji, zakonisht ata që merreshin me këtë punë rrobat gjithmonë i kishin të papastra. Çifuti i doli përpara, i ndaloi karrocën dhe i tha Hafidh ibn Haxherit –rahmet pastë-: Profeti juaj ka thënë: “Dynjaja është burg për besimtarin dhe xhenet për jobesimtarin.”Transmeton Muslimi (2956).Ndërsa ti je kryegjykatësi i Egjiptit, vjen në këtë shpurë, dhe ke gjithë këto të mira! Ndërsa unë jam në këto vështirësi e këtë mjerim që sheh! Hafidh ibn Haxher i tha: “Unë me gjithë këto të mira dhe kënaqësi që kam, përballë mirësive të xhenetit jam si në burg. Ndërsa ti me gjithë mjerimin në të cilin je, përballë mjerimit në zjarr je si në xhenet.” Çifuti kur i dëgjoi këto, tha: “Dëshmoj se s’ka zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij”, dhe u bë musliman.

Pra besimtari është në një mirësi të madhe, cilado qoftë gjendja e tij, sepse e ka fituar dynjanë dhe ahiretin.

Ndërsa jobesimtari është në mjerim dhe fatkeqësi, sepse e ka humbur dynjanë dhe ahiretin.

Allahu i madhëruar ka thënë: “Pasha kohën! Me të vërtetë njeriu është në humbje. Përveç atyre që besuan, bënë vepra të mira, këshilluan njëri-tjetrin për në rrugë të drejtë dhe këshilluan njëri-tjetrin për durim.”Sure El-Asr.

Jobesimtarët dhe ata që e kanë humbur fenë e Allahut dhe janë zhytur në kënaqësitë e dëfrimet e tyre, ata edhe sikur të ndërtojnë pallate të larta e kjo botë t’ju buzëqeshë, në të vërtetë janë në skëterrë.

Disa nga të parët tanë të mirë kanë thënë: “Sikur ta dinë mbretërit dhe pasardhësit e mbretërve lumturinë në të cilën jemi, do të na luftonin me shpata për të na e marrë atë.”

Besimtarët e gjejnë kënaqësinë tek i përulen Allahut dhe e përmendin Atë. Ata janë të kënaqur me caktimin e Allahut, nëse i kaplon ndonjë e keqe, bëjnë durim e nëse u vjen ndonjë e mirë, falënderojnë, kështu ata përherë ndodhen në gjendje të mirë. Në dallim me ata që lakmojnë këtë botë, Allahu i madhëruar i ka cilësuar si të tillë me fjalët e Tij: “e nëse marrin hise prej saj, kënaqen, e nëse nuk u jepet gjë prej saj, atëherë sillen si të tërbuar.”Sure Teube: 58.

Vëllezër! Librin e Allahut e kemi mes nesh, le t’i kthehemi pra atij, të meditojmë e të thellohemi në mësimin e tij dhe të punojmë me çka ai na këshillon.

Marrë nga libri “Rigjallërimi islam – Rregulla dhe udhëzime”

i Shejh Muhamed ibn Salih El-Uthejmin

Përktheu: Justinian Topulli