Kishte ardhur koha për Profetin e mëshirës
(Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)
Sa të shumta janë mirësitë e Allahut ndaj robëve të Tij! Sa të nevojshme e kemi ne që t’i falënderojmë dhe të jemi mirënjohës për ato mirësi të panumërta që Ai na dhuron!
“Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot.” Ibrahim: 34
“Çdo mirësi që keni, është nga Allahu.” Nahl: 53
Mirësia më e madhe që Allahu i ka dhuruar këtij umeti (populli) është dërgimi i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!); i këtij Profeti fisnik, misioni i të cilit ishte që t’i udhëzonte njerëzit për arritjen e mirësive të kësaj bote dhe botës tjetër, dhe t’u tërhiqte vërejtje nga çdo gjë që mund t’i dëmtonte ata, në këtë botë dhe në botën tjetër.
Ai u dërgua pas një periudhe ndërprerjeje të dërgimit të profetëve, dhe pasi kishin kaluar disa shekuj që nga zbritja e librit (Inxhilit). Njerëzit ishin larguar nga besimi dhe ishin zhytur në mëkate dhe vepra të shëmtuara. Injoranca ishte shtuar së tepërmi, ndërsa moralet e mira dhe virtytet ishin harruar. Në shoqërinë njerëzore të asaj kohe kishte pllakosur errësira.
Me dërgimin e profetit Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), Allahu i Madhëruar i nxori njerëzit prej errësire në dritë dhe i udhëzoi në udhën e drejtë.
Nëpërmjet dritës së dijes dhe besimit njerëzit i orientuan zemrat e tyre drejt Allahut të Madhëruar; Krijuesit të tyre. Ata u kthyen tek Ai me gjithë qënien e tyre duke ia njohur vetëm Atij dhe askujt tjetër Madhështinë që i takon. Zemrat e tyre u mbushën plotë dashuri dhe frikërespekt për Të. Ata e kuptuan se kush shpreson tek Ai nuk zhgënjehet kurrë dhe kush mbështet tek Ai nuk humbet kurrë. E kuptuan se urdhërat e Tij duhen zbatuar, dispozitat e Tij duhen respektuar dhe nga çfarë Ai ka ndaluar, u duhej distancuar.
Disa nga sëmundjet shoqërore që ishin përhapur para dërgimit të Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe qasja e tij ndaj tyre
Allahu i Madhëruar e krijoi njeriun të përbërë nga shpirti dhe trupi, e për secilin nga këta komponentë ka bërë ushqim të përshtatshëm që ato të zhvillohen e të jenë të shëndetshëm. E në rast se atyre u shfaqet ndonjë sëmundje apo dobësi, Ai ka krijuar ilaç të përshtatshëm për secilin prej tyre. Kështu pra, Zoti ynë na ka mbuluar me mëshirën dhe mirësitë e Tij të panumërta, ashtu siç thotë në Kuranin fisnik:
“(Allahu) Është Ai që për ju ka krijuar çdo gjë që ka në Tokë.” Bekare: 29
Para dërgimit të Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në shoqërin e asaj kohe kishin hedhur rrënjët të gjitha sëmundjet shpirtërore, saqë shpirtërat ishin të përhumbur, thuajse të pajetë.
Allahu i Madhëruar i gjallëroi ata shpirtëra me dritën e Profetësisë me të cilën u dërgua Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).
“A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?!” En’amë: 122
Allahu i Madhëruar bëri që ilaçi për sëmundjet shpirtërore të jetë i gjithi tek shpallja dhe udhëzimi me të cilin e dërgoi Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Allahu i Madhëruar thotë:
“Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët” Isra: 82
Në një ajet tjetër thotë:
“Thuaj: “Ai është udhërrëfyes dhe shërim për besimtarët” Fusilet: 44
Kështu pra, Allahu i Madhëruar e dërgoi Profetin e Tij në mesin e një shoqërie të sëmurë shpirtërisht, ku më e rënda e atyre sëmundjeve ishte lidhja e zemrave me zota e idhuj që madhëroheshin e adhuroheshin në vend të Allahut. Profeti i mëshirës (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i kuroi ato sëmundje me durim e përkushtim të madh.
Fillimisht i kushtoi rëndësi saktësimit të çështjeve të besimit, duke hedhur poshtë të gjitha bestytnitë e kota që ishin përhapur shumë në atë kohë. Ai kultivoi mes njerëzve dashurinë për Allahun e Madhëruar. Ai ua bëri të qartë se adhurimi i duhet kushtuar vetëm Allahut të Madhëruar, e askujt tjetër përveç Tij.
Askujt tjetër përveç Allahut nuk i drejtohemi me lutje dhe përgjërim. Vetëm tek Ai shpresojmë dhe vetëm Atë e adhurojmë. Allahu i Madhëruar është i vetmi Krijues. Ai i krijoi të gjitha krijesat, e natyrisht që vetëm Ai e meriton adhurimin.
Gjatë misionit të tij, Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hasi në kundërshtinë dhe armiqësinë e idhujtarëv, të cilët e persekutuan dhe e munduan me lloj-lloj mundimesh, por ai duroi me një durim të pashembullt, derisa feja islame u përhap anekënd gadishullit arabik (me ndihmën dhe suksesin e Allahut), dhe u duk qartazi se e ardhmja i përkiste Islamit dhe ithtarëve të tij.
“Krenaria i takon Allahut, të Dërguarit të tij dhe besimtarëve…” Munafikun: 8
“Dhe përfundimi i lumtur u takon atyre që i frikësohen Zotit (i ruajn dispozitat e Tij)”. Ta Ha: 132
Për persekutimet e idhujtarëve kundrejt Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe besimtarëve të parë që e pasuan atë, na tregon Kurani fisnik, ashtu siç gjendet në suren Haxher dhe Isra, si dhe në shumë sure të tjera në Kuran.
Në suren Sad, Allahu i Madhëruar thotë:
“A mos kërkon ai, që të gjithë zotat t’i bëjë një Zot të Vetëm? Vërtet që kjo është një gjë e çuditshme!” Paria e tyre largohet, duke thënë: “Mos ia vini veshin dhe qëndroni të durueshëm pranë zotave tuaj! Kjo është diçka e kurdisur (dashakeqe). Këtë (monoteizëm) nuk e kemi dëgjuar në fenë e fundit (fenë e krishterë). Ky është vetëm një trillim i gënjeshtërt. Pse, vetëm atij i është shpallur Fjala e Allahut ndërmjet nesh?!” Sad: 5-8
Idhujtarët e mbajtën këtë qëndrim për shkak të mendjemadhësisë dhe smirës. Qëndrim të ngjashëm me atë të idhujtarëve mekas kishte mbajtur kohë më parë populli i profetit Salih (alejhi selam!), ashtu siç tregohet në Kuran në suren Kamer. Allahu i Madhëruar thotë
“Edhe fisi Themud i përgënjeshtroi paralajmërimet Tona. Ata (themudasit) thanë: “Vallë, a të ndjekim një njeri nga mesi ynë? Atëherë do të ishim vërtet në rrugë të humbur dhe të çmendur. Vallë, vetëm atij mes nesh t’i dërgohet Shpallja? Jo, ai është gënjeshtar mendjemadh!” Kamer: 23-25
Metodika më efikase që ndoqi Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për trajtimin e kësaj problematike, ishte duke ua qartësuar idhujtarëve se Allahu, të Cilin ata e pranonin si të vetmin Zot, Krijues e Funizues, ishte i njejti që meritonte të veçohej me adhurim. Ai ua bëri të qartë këtë çështje, nëpërmjet ajeteve të Kuranit fisnik, në të cilat Allahu i Madhëruar thotë:
“Thuaj (o Muhamed): “Lëvduar e falënderuar qoftë Allahu dhe shpëtimi qoftë për robërit e Tij të zgjedhur. Kush është më i mirë, Allahu apo ata që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)?! A ka më të mirë se Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe lëshon për ju nga qielli ujë, me të cilin krijon kopshte të mrekullueshme?! Ju nuk mund t’i bëni pemët të rriten (pa këtë ujë). Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër?! Jo, por ata janë njerëz që i veshin (Allahut) të barabartë me Atë! A ka më të mirë se Ai që e ka bërë Tokën të qëndrueshme, ka bërë në të lumenj, ka ngritur në të male dhe ka bërë midis dy deteve pengesë të padukshme?! Vallë, a ka krahas Allahut, zot tjetër?! Jo, por shumica e tyre janë të paditur. A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen dhe ju bën juve trashëgimtarë në tokë?! Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër?! Sa pak që reflektoni! A ka më të mirë se Ai që ju rrëfen rrugën në errësirat e tokës dhe të detit dhe ju çon erërat si lajmëtare të mëshirës së Tij? Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër? I Lartësuar qoftë Allahu dhe i Lavdëruar mbi çdo gjë që ia shoqërojnë (në adhurim). A ka më të mirë se Ai, që zë fill krijimin dhe pastaj e ripërsërit atë, që ju jep mjete jetese nga qielli dhe toka?! Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër? Thuaj (o Muhamed): “Sillni provat tuaja, nëse ajo që thoni është e vërtetë!” Neml: 59-64
Shumë domethënës është shembulli që sjell Allahu i Madhëruar në suren Haxh, në të cilin tregohet qartazi se idhujt që idhujtarët i adhuronin, ishin tërësisht të paaftë për të krijuar dhe për të vepruar. Allahu i Madhëruar thotë:
“O njerëz, është sjellë një shembull, andaj dëgjojeni atë: “Idhujt që ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, edhe nëse bashkohen të gjithë për këtë. E, nëse miza u merr atyre diçka, ata nuk do të mund t’ia marrin. I dobët është përgjëruesi (adhuruesi), por edhe ai të cilit i përgjërohen (idhulli).” Ata nuk e madhërojnë Allahun me madhërinë e Tij të vërtetë që e meriton. Vërtet, Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” Haxh 73-74
Siç e kemi theksuar më herët, në mesin e asaj shoqërie tek e cila u dërgua Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) si përgëzues dhe qortues, ishin përhapur shumë sëmundje shoqërore. Përveç idhujtarisë dhe paganizmit, anekënd kishte zënë vend zullumi, padrejtësia dhe grykësia. Varfëria ishte ulur këmbëkryq dhe askush nuk mendonte për varfanjakët e mjerë. Arabët ishin të ndarë ne fise, ku secili fis mburrte sojin e vet dhe përçmonte tjetrin.
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), iu qas këtyre problematikave me shumë urtësi dhe mençuri. Ai përhapi mes njerëzve drejtësinë aq shumë të munguar dhe vendosi si kriterë të fisnikërisë devotshmërinë ndaj Allahut të Madhëruar. Më i miri i njerëzve ishte më i devotshmi i tyre dhe jo ai që kishte prejardhjen dhe sojin më të mirë.
Këtë e theksoi edhe më fortë në ‘haxhin e lamtumirës’, kur u mbajti njerëzve një fjalim të paharrueshëm, e ku ndër të tjera tha: “Arabi nuk është më i mirë se joarabi, dhe as i ziu nuk është më i mirë se i bardhi, përveçse në bazë të devotshmërisë. Kush është më i devotshëmi ai është më i miri ndër ju tek Zoti juaj.”
Një tjetër shembull ku vërehet qartazi drejtësia që praktikoi i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ishte edhe rasti kur sollën para tij Mahzumijen; një grua e cila e kishte vjedhur. Ajo i përkiste një familjeje fisnike, kështu që të afërmit e saj futën si ndërmjetës Usame bin Zejdin që të ndërhynte tek Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në mënyrë që dënimi i caktuar të mos zbatohej kundrejt saj. Usame bin Zejdi ishte një djalosh të cilin Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e donte dhe e nderonte shumë, kështu që menduan se ai nuk do ta refuzonte kërkesën për falje, sidomos nëse i paraqitej nëpërmjet tij. Por, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e refuzoi kategorikisht atë kërkesë, dhe e qortoi Usamen për një veprim të tillë, dhe tha fjalën e tij të njohur: “Betohem në Allahun, sikur Fatimja, e bija e Muhamedit të kishte vjedhur, do të zbatoja kundrejt saj dënimin e merituar.”
Pastaj ua bëri të qartë të gjithë njerëzve, madje të gjithë njerëzimit, se mosmbajtja e drejtësisë dhe diferencimi i njerëzve në dhënien e së drejtës, është shkaku që i shkatërroi popujt e hershëm. Ai tha: “U shkatërruan ata që jetuan para jush, se kur vidhte ndokush me prejardhje fisnike, ia falnin gabimin, ndërsa kur vidhte ndonjë i vobektë, shpejtonin ta dënonin.”
Qëndrimi i tij i paluhatur dhe këto fjalë të drejta e të vërteta, ia thyen kurrizin padrejtësisë dhe ia prenë shpresat çdo keqbërësi zullumqar se mund t’i shpëtonte drejtësisë.
Shkëputur nga libri:
Morali i Profetit Fisnik
(Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)
Autor
Abdul-Muhsin El Abadi
(Allahu e ruajttë!)