Gjëra që as nuk të mbrojnë nga mësyshi, magjia etj.

0
1218

Gjëra që as nuk të mbrojnë nga mësyshi, magjia e xhindët dhe as nuk të shërojnë, por përkundrazi të dëmtojnë dhe ta përkeqësojnë gjendjen:

 Kërkimi mbrojtje ose shërim e shëndet nga xhindët, nga të ashtuquajturat vende të mira, nga të ashtuquajturat njerëz të mirë etj., qoftë kur shkon tek vende a njerëz të tillë dhe kërkon një gjë të tillë prej tyre dhe qoftë kur lexon lutje kushtuar njerëzve dhe vendeve të tilla prej aty ku gjendesh, pasi një gjë e tillë është fenomen idhujtarie. Allahu i Lartësuar thotë:

“Në të vërtetë, ka pasur njerëz që kërkonin mbrojtje nga xhindët, por kjo vetëm sa i bëri xhindët edhe më gjynahqarë, më tiranë e më të dëmshëm” [el Xhinn: 6].

Idhujtaria konsiderohet edhe rasti kur dikush i lutet njerëzve ose vendeve të tilla, me pretendimin se ata ndërmjetësojnë për të te Allahu apo se ata e afrojnë te Allahu. Allahu thotë:

“Këta janë ndërmjetësit tanë te Allahu”! Thuaj: “A po i tregoni Allahut për diçka që Ai nuk e di në qiej dhe në Tokë?! I Dëlirë dhe i Lartësuar është Ai nga gjithçka që ia shoqërojnë Atij në adhurim!” [ Junus: 18]

  • Puthja e vendeve të ashtuquajtura të mirë, prekja e tyre, ngjitja e trupit me vende të tilla e të tjera të ngjashme. Këto janë veprime idhujtarësh, veprime njerëzish që hyjnizojnë krijesat dhe besojnë në fuqitë e tyre të fshehta.
  • Pajisja me sende, ose me dhe të marrë prej vendeve të përmendura më lart, për bereqet e begati, ose për qetësi shpirtërore, ose për mbrojtje nga të këqijat.
  • Mbajtja, varja, lidhja ose pajisja me nuskë, hajmali, varg të zi, dordolecë, vargje a thelbinj hudhrash, brirë dashi, fije peri, patkua, guaskë deti, rruaza, rreth (që vihet në dorë), lekurë kafshe si psh lëkurë fishnjari, lëkurë breshke etj., kokë gjarpri, thua këmbe etj. Këtu është fjala për rastin kur gjëra të tilla vihen, varen ose mbahen për t’u ruajtur nga e keqja ose për largimin e të keqes, si psh për ruajtje nga mësyshi dhe magjia. Zakonisht, gjëra të tillë njeriu i vë në trupin e vet ose të ndonjë tjetri, ua vë kafshëve, i var në arë, në shtëpi, sidomos në shtëpitë e sapondërtuara ose që janë në ndërtim e sipër, para makinës etj. Këto gjëra as nuk mund të të ruajnë nga e keqja dhe as nuk mund ta largojnë atë. Allahu i Lartësuar nuk i ka bërë ato sebep për të mbrojtur nga e keqja apo për të hequr të keqen. Ndërmjet tyre dhe ndërmjet të këqijave nuk ka kurrëfarë lidhjeje, qoftë për mbrojtjen nga e keqja dhe qoftë për largimin e saj. Ato janë thjeshtë besëtytni që janë përhapur për shkak të paditurisë dhe që gjejnë përkrahje vetëm nga të paditurit. Prandaj, besimi se gjëra të tilla kanë efekt, ose janë shkak për mbrojtjen nga mësyshi e magjia, ose për largimin e shqetësimeve që vijnë nga këto të fundit, është shirk (fenomen idhujtarie). Duke dënuar dukuri të tilla Muhamedi a.s. thotë:

“Kushdo që var rruazë, guaskë, fije peri, nuskë, hajmali, etj., ai i ka bërë shok Allahut”. Shënon: Ahmedi.

“Sigurisht që yshtjet, nuskat dhe ‘tiuele –ja’ janë idhujtari (fenomene shokvënie ndaj Zotit)”. Shënon: Ahmedi. Dijetarët kanë shpjeguar se ‘tiule –ja’ është diçka që bëhet për të bërë një person të dashur tek një tjetër.

Në periudhën paraislamike kur vjetërohej filli i harkut, njerëzit e merrnin dhe ua lidhnin kafshëve në qafë, duke pretenduar se ky varg i mbron nga e keqja, ndaj dhe i Dërguari i Allahut ndërsa ishte në një udhëtim çoi dikë që t’i urdhëronte njerëzit të mos linin asnjë varg të tillë në qafat e deve pa e këputur. Shënon: Buhariu dhe Muslimi.

Nga këto hadithe konkludon:

  • Vënia, varja, ose mbajtja e rruazava, guackave, vargjeve, nuskave etj. është shirk (fenomen idhujtarie), çka do të thotë se është e ndaluar rreptësisht dhe me pasoja shumë të rëndë.
  • Gjëra të tilla jo vetëm që nuk të ruajnë nga e keqja, por të bëjnë objekt të fatkeqësive, vuajtjeve dhe shqetësimeve, pasi Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush e lidh zemrën me diçka, duke shpresuar atë gjë, fati i tij do të lihet në dorë të asaj gjëje”. Kjo do të thotë se Allahu nuk e ndihmon një njeri të tillë, por përkundrazi e braktis atë, pasi ai në vend që t’i varte shpresat te Allahu dhe të kërkonte mbrojtje vetëm prej Tij e ka varur shpresën me gjëra të tilla, e për pasojë ky njeri nuk do ta realizojë dot qëllimin dhe as nuk do të qetësohet.
  • Këto gjëra janë besëtytni të cilat janë përhapur tek njerëzit për shkak të paditurisë dhe besimit të verbër.