Falja e namazit me auret të zbuluar

0
1877

Një gabim i tillë frekuentohet nga disa lloje njerëzish:

[3/1] Së pari: Ai që vesh pantallona që tregojnë, përshkruajnë dhe konkretizojnë auretin, duke hedhur sipër tyre një këmishë të shkurtër, e cila gjatë rënies në sexhde apo ruku ngrihet lart dhe shfaq shpinën e atij që falet. Në shumicën e rasteve, ajo shfaq një pjesë të të ndenjurave të tij. Pra, i shfaqen pjesët e turpshme të auretit në çastin që përulet në ruku apo sexhde para Allahut të Madhëruar. Lusim Allahun të na ruajë nga injoranca dhe injorantët. E përmendëm këtë, sepse zbulimi i auretit në këtë rast shpie në prishjen e namazit, ku shkaktari kryesor janë pantallonat e importuara nga vendet e joislame.[1]

Shejh Abdullah bin Abdurrahman Xhibrini, duke kritikuar disa gabime që praktikohen nga disa namazli thotë: “Shumë njerëz që nuk përdorin rroba të gjera dhe të bollshme, veshin siruale dhe sipër tyre hedhin një këmishë që mbulon kraharorin dhe shpinën. Gjithsesi ky njeri, kur ulet për ruku, këmisha i shkon lart dhe i zbulohen pantallonat, duke u shfaqur në këtë mënyrë shpina dhe një pjesë e të ndenjurave. Në këtë mënyrë, ai që falet pas tij e shikon dhe dihet fare mirë se zbulimi i një pjese të auretit e prish namazin.”[2]

[3/2] Së dyti: Ato gra që nuk kujdesen për rrobat dhe nuk shqetësohen për të mbuluar të gjithë trupin kur qëndrojnë para Allahut, Zotit të tyre. Kjo gjë ndodh për disa arsye, si: mosdija, përtacia dhe neglizhenca. Pjesa më e madhe e dijetarëve janë të një mendimi, se rroba e mjaftueshme për gruan në namaz është manteli dhe hixhabi.[3] Ndonjëra mund të hyjë në namaz me flokët apo një pjesë të flokëve të zbuluara, me krahë apo këmbë të zbuluara, e si rrjedhojë detyrohet sipas mendimit të shumicës së dijetarëve që ta përsërisë namazin në kohë, ose edhe pasi të ketë dalë koha.

Dëshmi për këtë janë fjalët e përcjella nga Aishja r.a., se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Allahu nuk e pranon namazin e një Haide (gruaje që ka hyrë në moshën e pjekurisë), përderisa nuk është e mbuluar.”[4]

Me fjalën Haide nënkuptohet ajo grua që njihet se ka hyrë në rangun e grave që kanë menstruacione dhe jo gruaja, e cila në ato momente ka rrjedhje gjaku. Fjala Haid është përshkrim i përgjithshëm me të cilin cilësohet ajo grua, që ka filluar ta ketë këtë zakon, edhe pse në atë çast nuk ka rrjedhje menstruacionesh.[5]

Umu Seleme u pyet: “Me çfarë rrobash duhet të falet gruaja?” Ajo tha: “Duhet të falet me një hixhab dhe mantel të gjerë e të bollshëm, e cila ia mbulon shpinën e këmbëve.”[6]

Imam Ahmedi është pyetur rreth gruas, me sa rroba duhet të falet? Ai është përgjigjur: “Më e pakta një mantel dhe hixhab dhe t’i mbulojë këmbët e saj, pra, manteli duhet të jetë i gjerë, në mënyrë që t’i mbulojë edhe këmbët.”[7]

Imam Shafiu ka thënë: “Gruaja në namaz duhet të mbulojë çdo gjymtyrë, me përjashtim të fytyrës dhe pëllëmbëve të saj.” Gjithashtu ka thënë: “Të gjitha gjymtyrët e gruas janë auret, me përjashtim të pëllëmbëve dhe fytyrës së saj. Edhe pjesa e sipërme e këmbës së gruas konsiderohet auret, prandaj nëse zbulohet gjatë namazit diçka ndërmjet kërthizës së burrit dhe gjunjëve të tij, ndërsa te gruaja diçka prej flokut të saj (i vogël apo i madh qoftë ky zbulim) dhe nga trupi i saj diçka, përveç fytyrës dhe pëllëmbëve të cilat përfshijnë edhe kyçet duke mos i kaluar ato. Të gjitha këto me vetëdije apo pa vetëdije, kushtëzojnë përsëritjen e namazit për të dyja gjinitë, me përjashtim të rastit, kur ato pjesë zbulohen nga era apo ndonjë rrëzim i mundshëm. Megjithatë duhet ta kthejë menjëherë në gjendjen e mëparshme pa distancë pritjeje, sepse nëse pret aq sa të ketë mundësi për ta kthyer në gjendjen e mëparshme, duhet të përsërisë namazin. Të njëjtat fjalë vlejnë edhe për gruan.”[8]

Duke u nisur nga kjo, themi se gratë muslimane duhet t’u kushtojnë kujdes rrobave që përdorin në namaz, e aq më tepër kur janë jashtë namazit. Shumë gra e teprojnë me mbulimin e sipërm të trupit, këtu kam për qëllim kokën, kur mbulojnë flokët dhe qafën, por nuk i kushtojnë rëndësi mbulimit të pjesëve të tjera të trupit. Si rrjedhojë, ato veshin rroba të ngushta dhe të shkurtëra, të cilat nuk bien poshtë gjysmës së kërcirit, ose pjesën tjetër e mbulojnë me çorape ngjyrë mishi, të cilat ua shtojnë edhe më shumë bukurinë. Disa prej tyre mund të falen në këtë gjendje dhe kjo nuk lejohet. Prandaj, ato janë të detyruara të shpejtojnë për ta bërë sa më të plotë mbulimin e trupit ashtu si i ka urdhëruar Allahu i Madhëruar, duke marrë si shembull gratë e Muhaxhirëve[9] të parë, të cilat kur zbriti urdhëri për të veshur hixhabet, filluan të grisnin përparëset e tyre, në mënyrë që të mbuloheshin. Ne nuk kërkojmë prej tyre që të grisin diçka prej rrobave, përkundrazi kërkojmë që t’i zgjasin dhe t’i zgjerojnë ato, me qëllim që të jenë rroba të plota dhe të mbulojnë plotësisht trupin.[10]

Kur pashë se në disa vende islame është përhapur në masë veshja e hixhabit të shkurtër, veçanërisht ndërmjet vajzave besimtare, vendosa që të sqaroja shkurtimisht, se këmba dhe kërciri i gruas janë auret. Duke i kërkuar suksesin Allahut them se, Allahu i Madhëruar ka thënë: “Dhe të mos i rrahin këmbët (përtokë), në mënyrë që të mos duken stolitë e tyre të fshehta.”[11]

Ajo në të cilën aludon ajeti, është se gratë janë të detyruara t’i mbulojnë edhe këmbët, ndryshe në atë kohë ajo do t’i kishte mundësitë të shfaqte atë që fsheh prej stolive (që janë byzylykët e këmbëve), pa pasur nevojë që t’i rrihte këmbët përtokë. Por ajo nuk mund ta bëntë një gjë të tillë (shfaqjen e stolive), sepse kundërshtimi që kjo vepër (shfaqja e stolive) i bën Sheriatit duket qartë. Kundërshtime të tilla nuk ishin të njohura në kohën e shpalljes. Për këtë arsye gruas i mbetej vetëm të përdorte dredhitë, duke rrahur këmbët përtokë, në mënyrë që burrat të dinin se çfarë stolish fshihte ajo. Kjo ishte edhe arsyeja për të cilën Allahu i ndaloi nga ky veprim.

Duke u nisur nga ajo që përmendëm, Ibn Hazmi ka thënë: “Ky ajet është një tekst i prerë, që tregon se këmbët dhe kërciri duhet të mbulohen dhe se nuk lejohet zbulimi i tyre.”[12]

Për këtë çështje dëshmojnë disa hadithe:

Hadithi i Ibn Omerit, i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Kush i tërheq zvarrë rrobat e tij me mburrje dhe mendjemadhësi, Allahu nuk do t’ia hedhë sytë Ditën e Gjykimit. Pas kësaj Umu Seleme tha: “Si të veprojnë gratë me fundin e rrobave të tyre?” Ai a.s. tha: “Duhet t’i lëshojnë një pëllëmbë.”[13] Umu Seleme përsëri pyeti: “Atëherë do të zbulohen këmbët e tyre!” I Dërguari i Allahut a.s. tha: “Atëherë le t’i lëshojnë në masën e një parakrahu dhe të mos shtojnë më shumë se kaq”.

Në një version tjetër thuhet: “I Dërguari i Allahut a.s. u lejoi nënave të besimtarëve që t’i lëshonin rrobat një pëllëmbë, por ato i kërkuan që t’ua shtonte dhe ai ua shtoi edhe një pëllëmbë tjetër. Kur i dërgonin rrobat te ne për t’ua qepur, ua qepnim dhe fundin e rrobës ua linim të lëshuar në masën e një parakrahu.”[14]

Ky version na jep të kuptojmë masën e parakrahut të lejuar, që është dy pëllëmbë të një dore mesatare. Bejhakiu ka thënë: “Versioni në fjalë është argument për domosdoshmërinë e mbulimit të këmbëve të gruas.”[15]

Nga thënia: “I Dërguari i Allahut a.s. u lejoi nënave të besimtarëve” dhe nga pyetja e Umu Selemes që u përmend më lart: “Si të veprojnë gratë me fundin e rrobave të tyre?”, fjalë të shprehura në çastin kur dëgjoi dënimin për atë që i tërheq rrobat zvarrë, me të gjitha këto versione, u kundërpërgjigjemi atyre që thonë se hadithet e përgjithshme, që tregojnë për dënimin e zvarritjes së rrobës (tek burrat) janë të veçuara me hadithe të tjera, të cilat tregojnë qartë se ky dënim është vetëm për ata që i tërheqin nga mendjemadhësia.

Këtyre u kundërpërgjigjemi dhe u themi, se sikur fjalët tuaja të ishin me vend, pyetja dhe sqarimi që kërkoi Umu Seleme për dispozitën e zvarritjes së fundit të rrobës te gratë, nuk do kishte kurrfarë kuptimi. Përkundrazi ajo kuptoi se çdo lloj zvarritje që i bëhet rrobës, me apo pa mendjemadhësi, është e ndaluar. Ajo pyeti për dispozitën e këtij veprimi, sepse e kishin të domosdoshme tërheqjen zvarrë të rrobës për ta mbuluar më mirë auretin, meqë këmba e saj konsiderohej auret. I Dërguari i Allahut a.s. ia sqaroi, se në këtë çështje ju gratë nuk keni të njëjtën dispozitë dhe se vetëm në këtë kuptim ndryshon nga ai i burrave. Kadi Ijadi ka pohuar mendimin unanim të dijetarëve, se kjo gjë është e ndaluar vetëm për burrat e jo për gratë. Qëllimi i Profetit a.s. ishte të ndalonte zvarritjen e rrobës (tek burrat), e kjo u kuptua nga miratimi që ai i bëri Umu Selemes dhe të kuptuarit të saj.

Si përfundim, themi se për burrat ekzistojnë dy gjendje:

E para: E pëlqyeshmja, që do të thotë mbajtja e izarit deri në gjysëm të kërcirit.

E dyta: E lejueshmja, që do të thotë mbajtja e izarit deri në nyjet e këmbëve.

Edhe për gratë ekzistojnë dy gjendje:

E para: E pëlqyeshmja, që do të thotë shtimi i rrobës një pëllëmbë poshtë nyjes (masa e lejuar tek burrat që është deri tek nyjet e këmbëve).

E dyta: E lejueshmja, që do të thotë zgjatja e fundit të rrobës një parakrah poshtë nyjes së këmbës.[16]

Kështu vepruan gratë në kohën e Profetit a.s. dhe në kohët e mëvonshme. Për këtë arsye nga kushtet që muslimanët e hershëm u vinin dorëzanëve (jomuslimanëve që jetonin në vendet islame), ishte që gratë e tyre të zbulonin pjesën e poshtme të kërcirit dhe këmbët nga nyja e poshtë, me qëllim që të mos ngjasonin me muslimanet, siç e ka përmendur Ibn Tejmija në librin “Iktida Siratu Mustekim”.[17]

 

Ndër gabimet që ndodhin është:

[3/3] Hyrja në namaz me auret të zbuluar

Janë pikërisht ata baballarë që u veshin fëmijëve siruale të shkurtra (pantallona të shkurtra) dhe i sjellin në xhami në këtë gjendje. Është e vërtetë se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Urdhërojini që të falen kur të jenë në moshën shtatë vjeçare”[18] por ky urdhër nënkupton gjithashtu dhe urdhërimin e fëmijëve për të plotësuar shtyllat dhe kushtet e namazit,[19] prandaj ki kujdes e mos u bëj i pavëmendshëm.

[1] Për më tepër shih “Kritika të rëndësishme rreth rrobave të muslimanëve sot”, fq. 28.

[2] Shiko revistën kuvajtiane “El Muxhtema”, nr. 855.

[3] “Bidajetu el-Muxhtehid” (1/115), “El Mugni” (1/603), “El Mexhmu” (3/171), “Ianetu Talibin” (1/285). Këtu bëhet fjalë për mbulimin e trupit dhe kokës së saj, por nëse rroba është e gjerë dhe e bollshme, ku me tepricën e saj mund t’a mbulojë edhe kokën, kjo gjë lejohet. Buhariu përcjell në Sahihun e tij nga Ikrima, se ka thënë: “Nëse e mbulon tërë trupin me një rrobë të vetme, është e mjaftueshme.” Gjithashtu shiko librin ”Sherh Teraxhim ebuab el-Buhari”, fq. 48.

[4] E përcjell Ahmedi në “Musned” (6/150), Ebu Daudi në Sunen me nr. (641), Tirmidhiu në “El Xhamiu” me nr. (377), Ibn Maxhe në Sunen me nr. (655), Ibn Xharud në “El Munteka” me nr. (173), Hakimi në “Mustedrak” (1/251), Bejhakiu në “Sunen el Kubra” (2/233), Ibn Huzejme në Sahihun e tij (1/380). Tirmidhiu e ka konsideruar këtë hadith të mirë, ndërsa Hakimi ka thënë për të: “Është i saktë sipas kushteve të Muslimit”. Gjithashtu e ka saktësuar Ibn Hibani. Shiko “Nasbu Raje” (1/295) dhe “Telhisu Habir” (1/279).

[5] Shiko “Bedaiu el Feuaid” (3/29), “El Mexhmu” (1/279) dhe “Temhid” (6/366).

[6] E përcjell Maliku në “El Mueta” (1/142), Bejhakiu në “Sunen el Kubra” (1/232-233) dhe ka thënë: “Kjo fjalë është përcjellë gjithashtu nga Bekr bin Mudar, Hafs bin Gajath, Ismail bin Xhafer dhe Muhamed bin Is’hak, të gjithë këta nga Muhamed bin Zejd, ky i fundit nga nëna e tij dhe ajo nga vetë fjalët e Umu Selemes. Zinxhirin përcjellës e ka konsideruar si të mirë edhe Neveviu në librin e tij “El Mexhmu” (3/172). Faktin që kjo fjalë të jetë e Umu Selemes, Abdul Haku e ka konsideruar të drejtë në librin “Telhisu Habir” (1/280) dhe Ibn Abdul Birr në “Temhid” (6/397). Rreth supozimit se ky hadith është thënë nga Profeti a.s. është veçuar vetëm Abdurrahman bin Dinari, siç është përcjellë tek Ebu Daudi në “Sunen” me nr. 640, Hakimi në “El Mustedrek” (1/250), dhe Bejhakiu në “Sunen el Kubra” (2/233). Ebu Daudi ka thënë: Këtë hadith e ka përcjellë Malik bin Enes, Bekr bin Mudar, Hafs bin Gajath, Ismail bin Xhafer, Ibn Ebi Dhijb, Ibn Is’hak, të gjithë nga Muhamed bin Zejd nga nëna e tij, e kjo nga Umu Seleme. Asnjëri prej tyre nuk e ka përmendur të Dërguarin e Allahut a.s., por janë mjaftuar vetëm me emrin e Umu Selemes.

[7] Shiko pyetjet e Ibrahim bin Hanit që i ka bërë Imam Ahmedit, me nr. 286.

[8] “Kitabul Um” (1/77), “Xhamiu Tirmidhi” (2/216) bashkë me shënimet e Ahmed Shakir, po në këtë libër.

[9] Sahabëve të parë që emigruan nga Meka për në Medinen e Profetit a.s.

[10] “Hixhabu el Mereti el Muslime”, fq. 61.

[11] Suretu Nur, 31.

[12] “El Muhala” (3/216).

[13] D.m.th. nga gjysma e kërcirit apo nga nyjet e këmbëve, siç është thënë diku tjetër.

[14] Pjesën e parë të hadithit, duke përjashtuar pyetjen e Umu Selemes, e ka përcjellë Buhariu në kapitullin e rrobave: “Ai që tërheq zvarrë rrobat nga mburrja dhe mendjemadhësia” (10/258) me nr. 5791. Ndërsa Tirmidhiu e ka përcjellur të plotë në temat që flasin për rrobat: “Kapitulli i argumenteve të ardhura për zvarritjen e fundit të rrobës së gruas”, (4/323) me nr. 1731. Pas kësaj Tirmidhiu thotë: “Ky është hadith i mirë dhe i saktë”; Ebu Daudi në kapitullin e rrobave: “Sa duhet të jenë përmasat e fundit të rrobës”, (4/65) me nr. 4119; Ibn Maxhe në kapitullin e rrobave: “Sa duhet të jetë fundi i rrobës së gruas”, (2/1185) me nr. 3581. Hadithi është i saktë. Për këtë shiko “Vargun e haditheve të sakta” me nr. 460. Për këtë dëshmon dhe një hadith tjetër i përcjellë nga Enesi tek Ebi Jala në “Musned” (6/426) dhe Taberaniu në “El Eusat” siç thuhet në “Fet’hul Bari” (10/259).

[15] Ndërsa Tirmidhiu në “El Xhami” (4/224) ka thënë: “Në këtë hadith tregohet lejimi që gratë t’i tërheqin zvarrë fundet e rrobave të tyre, sepse kjo i mbulon më shumë.”

[16] “Fet’hul Bari” (10/259).

[17] “Iktida Siratu el Mustekim” fq. 59, “Hixhabu el Mereti El Muslime” fq. 36-37, “Gjërat më të rëndësishme të gruas muslimane” fq. 82-83, “Vargu i haditheve të sakta” (1/750).

[18] E përcollën nga hadithi i Seburas: Ibn Ebi Shejbe në “El Musanef” (1/347), Darimiu në Sunen (1/333), Ebu Daudi në Sunen (1/133), Tirmidhiu në “El Xhami” (2/259), Ibn Huzejme në Sahihun e tij (2/102), Ahmedi në Musned (3/404), Ibn Xharud në “El Munteka” me nr. 147, Tahaviu në “Mushkil el Athar” (3/231), Darekutni në Sunen (1/230), Hakimi në Mustedrak (1/201), Bejhakiu në “Sunen el Kubra” (2/14) dhe (3/83-84). Për këtë hadith Tirmidhiu ka thënë: “Hadith i mirë dhe i saktë’. Gjithashtu, e ka saktësuar Ibn Huzejme, Hakimi dhe Bejhakiu, e këta dy të fundit kanë shtuar: “Hadithi është sipas kushteve të vëna nga Muslimi dhe për të dëshmon një hadith, që përcillet nga Abdullah bin Amër, të cilin e transmetojnë: Ebu Daudi në Sunen (1/133), Ahmedi në Musned (2/187), Ibn Ebi Shejbe në “El Musanef” (1/347), Darekutni në Sunen (1/230), Hakimi në Mustedrak (1/197), Bejhakiu në “Sunen el Kubra” (3/84). Hadithi është i mirë.

[19] Njëri nga shënimet e shejh Albanit në librin “Hixhabu el Mereti ue libasuha fi Salat” të Ibn Tejmijes.