Durimi eshte nje nga miresite me te medha qe posedon njeriu

0
564

Ibnul Kajim thotë në “Mjekësia profetike”: “Durimi është gjysma e besimit, sepse kjo është një cilësi që përbëhet nga durimi dhe falënderimi. Ashtu siç thotë njëri nga selefët: “Besimi ndahet në dy pjesë: gjysma është durim dhe gjysma është falënderim.” Dhe i Lartësuari thotë në Suretu Ibrahim, 5: “… vërtet në ato (përkujtime) ka argumente për secilin që është shumë i durueshëm dhe shumë falënderues.”

Durimi në lidhje me besimin është si koka në lidhje me trupin. Ai është tre llojesh:

1. Durim i cili përfshin obligimet e urdhëruara nga Allahu dhe askush nuk duhet të neglizhojë me to.

2. Durim në ato që Allahu ka ndaluar dhe askush nuk duhet t’i kryejë ato.

3. Durim në atë që ka caktuar Allahu (kaderin dhe kadanë) dhe askush të mos i zemërohet asaj.

Kushdo që i përmbush këto tri gradë të durimit, e ka përsosur atë. Për kënaqësinë e kësaj bote dhe tjetrës, bekimi dhe fitorja mund të arrihen vetëm mbi urën e durimit, sepse askush nuk mund ta arrijë xhenetin pa kaluar mbi Urë. Umer ibn el Hatabi ka thënë: ”Ne e arritëm më të mirën në jetë vetëm me anë të durimit”.

Po të reflektonit mbi gradët e perfeksionimit që përfitohen në botë, do të vërenit se të gjitha varen nga durimi. E kundërta e kësaj vjen nga mungesa e durimit. Kështu, kurajo, pastërtia, mirësia dhe dashuria rrjedhin të gjitha nga durimi.

Shumica e sëmundjeve të trupit dhe të zemrës shkaktohen thjeshtë nga mungesa e durimit. Dhe asgjë tjetër nuk do t’i ruante më mirë zemrën trupin dhe shpirtin. Ai është një ilaç i madh, e me të do të gëzosh shoqërinë e Allahut ”sepse Allahu është me durimtarët” (Bekare, 153) dhe me të vërtetë “Allahu i do ata që janë të durueshëm” (Al Imran, 146). “…nëse duroni pa dyshim ai është më i mirë për ata që durojnë.” (Nahl, 126) “O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgatitur dhe, që të shpëtoni, ruajuni dënimit të Allahut.” (Al Imran, 200)