Duaja qe bente profeti alejhi selam mes dy sexhdeve

0
1484

Tirmidhiu transmeton -dhe e ka saktësuar Shejh Albani- nga Ibën Abasi radijAllahu anhuma se: Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem mes dy sexhdeve thoshte:
“Allahumme-gfir li, uer-hamni, uexh-burni, ueh-dini, uer-zukni/O Allah! Më fal; më mëshiro; më forco; më udhëzo; më furnizo!” [1]
Shpjegim i përgjithshëm: Në këtë hadith Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem na sqaron mënyrën sesi duhet të veprojmë mes dy sexhdeve. Kështu që, prej sunetit është që namazliu të thotë në uljen e tij mes dy sexhdeve “Allahumme-gfir li, uer-hamni, uexh-burni, ueh-dini, uer-zukni”.
Dobitë e përfituara nga hadithi:
1. Pëlqyeshmëria e lutjes me këtë dhikër në uljen/qëndrimin mes dy sexhdeve.
2. Kujdesi i sahabëve radijAllahu anhum në përcjelljen e fjalëve të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe veprave të tij.
3. Kujdesi i Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në mësimin e sahabëve të tij me fjalë dhe vepër.
4. Rënia në sexhde për Allahun e Lartësuar është adhurimi më i miri.
5. Kërkohet nga njeriu që t’i lutet Allahut të Lartësuar që t’ia fal gjynahet atij edhe nëse është njeriu më i devotshëm.
6. Nuk ka Udhëzues, as Furnizues dhe as Mëshiruar përveç Allahut të Lartësuar.
7. Njeriu sado të shumta t’i ketë adhurimet e tij përsëri ai s’mund ta përmbushë të drejtën e Allahut të Lartësuar.
Libri “Dhuratë e çmuar me shpjegimin e lutjeve të saktësuara”
[1] Hadithin e shënon Tirmidhiu me nr. (262). E ka konsideruar të mirë (hasen) imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë!) dhe Shejh Ahmed Shakir (Allahu e mëshiroftë!) në recensimin e “Sunenu Et-Trimidhi” (2/473). E ka saktësuar Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) me nr. (284).

Përktheu: Unejs Sheme