Dhikri sjell shpërblime e nderime të shumta prej Allahut

0
1481

Shpërblimet e nderimet e Allahut që vijnë prej dhikrit nuk i gjejmë në asnjë prej veprave të tjera të mira me të cilat e adhurojmë Atë, me gjithë faktin se dhikri është adhurimi më i lehtë. Për ta përmendur Allahun duhet vetëm ta lëvizim gjuhën, e nuk ka lëvizje më të lehtë sesa lëvizja e saj (për dallim prej lëvizjeve të organeve dhe gjymtyrëve të tjera). Nëse ndonjë organ apo gjymtyrë e trupit tonë do të lëvizte si gjuha gjatë ditës e natës, do të lodhej shumë. I Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush thotë “La ilahe ilAllahu wahdehu la sherike leh, lehul mulku ue lehul hamdu, ue huwe ale kul-li shejin kadir”5 100 herë gjatë ditës, ka shpërblim sikur t’i lirojë 10 robër, i shkruhen 100 shpërblime (punë të mira), i fshihen 100 mëkate dhe do të jetë i mbrojtur prej shejtanit deri në mbrëmje. Askush nuk ka bërë vepër më të mirë sesa ky, përveç atij që ka vepruar njëjtë apo ka thënë më shumë se kaq.” Buhariu dhe Muslimi.

Një vepër kaq e thjeshtë me shpërblime të shumta! Transmetohet se i Dërguari salAllahu alejhi ue selem thotë: “Kush thotë “subhanAllahi ue bihamdihi”6 gjatë ditës 100 herë, i shlyhen mëkatet edhe nëse janë sa shkuma e detit.” Buhariu dhe Muslimi. E ne e dimë se sa e shumtë është shkuma e detit. I Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Të them “SubhanAllah, elhamdulilah, la ilahe ilAllah dhe Allahu ekber”, është më e dashur për mua sesa e gjithë bota (dhe jeta e kësaj bote).” Muslimi.

Bazuar në librin “Fikh el ed’ijeh uel edhkar” të shejkh AbduRrezak el Bedër