Dhikri ka ardhur në Kuran në më shumë se dhjetë forma

0
1005

Shumëllojshmëria e argumenteve për vlerën e dhikrit

Ibn Kajjim në librin “Medarixhus salikin”, përmend se dhikri ka ardhur në Kuran në më shumë se dhjetë forma. Ai thotë:

    1. Allahu në Kuran na urdhëron që ta përmendim Atë në formë: të pakufizuar (në kohë) dhe të kufizuar. Allahu thotë: “O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun…” Ahzab 41. Dhe thotë: “…dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje!” Ahzab 42. Dhe thotë: “Përmende Zotin tënd me vete, i përulur dhe me frikë…” Araf 205.
    2. Allahu na ndalon nga shkujdesja dhe harresa. Allahu thotë: “dhe mos u bëj nga ata që nuk i kushtojnë vëmendje!” Araf 205. Dhe thotë: “Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, kështu që Ai i bëri të harronin vetveten! Pikërisht ata janë të pabindurit (ndaj Allahut).” Hashr 19.
    3. Allahu na tregon se shpëtimi i njeriut është i kushtëzuar me vazhdueshmërinë e tij në bërjen e dhikrit. Allahu thotë: “…përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni.” Xhumah 10.
    4. Allahu i ka lavdëruar shumë ata që e përmendin Atë dhe na ka njoftuar se ka përgatitur për ta xhenetin dhe falje të madhe. Allahu thotë: “…përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” Ahzab 35.
    5. Allahu na ka njoftuar se ata që angazhohen me gjëra të tjera dhe e harrojnë dhikrin, do të jenë të humbur. Allahu thotë: “O besimtarë, mos lejoni që pasuria dhe fëmijët tuaj t’ju largojnë nga të përmendurit e Allahut. Ata që e bëjnë këtë, do të humbin.” Munafikun 9.
    6. Allahu na ka njoftuar se Ai i përmend ata që e përmendin Atë, si shpërblim për ta. Allahu thotë: …“më kujtoni Mua që Unë t’ju kujtoj dhe falënderomëni Mua e mos i mohoni dhuntitë e Mia (me mosbindje)!” Bekare 152. Ibn Kajjim shpjegon se përmendja që njeriu ia bën Allahut, është e rrethuar me dy përmendje prej Tij:
    7. Allahu e përmend atë kur ia ka mundësuar ta përmendë Atë,
    8. Allahu e përmend atë kur ai e përmend Atë.
    9. Allahu na ka njoftuar se dhikri është vepra më e madhe. Allahu thotë: “dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhja!” Ankebut 45.
    10. Allahu e ka bërë dhikrin përmbyllje të të gjitha veprave të mira, ashtu siç e ka bërë hapje të tyre. Allahu e ka përmbyllur veprën e agjërimit me dhikër, thotë: “Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” Bekare 185, që është tekbiri i cili bëhet në natën e Bajramit. Po ashtu e ka përmbyllur dhe veprën e haxhit, thotë: “Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër!” Bekare 200. Po ashtu e ka përmbyllur dhe namazin, thotë: “Pasi të kryeni namazin, përmendeni Allahun duke qëndruar në këmbë, ulur dhe të shtrirë.” Nisa 103. Dhe namazin e xhumasë, thotë: “Dhe, kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut dhe përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni.” Xhumah 10. Edhe përmbyllja e jetës duhet të jetë me dhikër. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka treguar se atë i cili jetën e tij e përmbyll me dhikër duke thënë “La ilahe ilAllah”, Allahu do ta fusë në xhenet.
    1. Allahu na ka treguar se ata të cilët përfitojnë prej shenjave të Allahut, qofshin shenja fetare apo që i ka vendosur në këtë univers, janë vetëm ata që e përmendin Atë shpesh. I ka përshkruar të tillët “të zotë të mendjes (mendarë)”. Allahu thotë: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët, për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë…” Ali Imran 190-191.
    2. Allahu e ka bërë dhikrin shoqërues të veprave të mira dhe ka treguar se ai është shpirti i këtyre veprave. Veprat e mira, në të cilat nuk ka dhikër ose ka pak, janë sikurse një trup pa shpirt. Allahu thotë: “…dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua!” Ta Ha 14. Po ashtu, Allahu, siç e kemi përmendur dhe më lartë (forma 8), bashkë me agjërimin, haxhin dhe ritet e haxhit ka përmendur edhe dhikrin. Arsyeja pse janë ligjësuar këto adhurime është përmendja e Allahut.