Cili është më i miri?

0
244

Dhikri e shton shpërblimin e veprës

Sa më shumë që ta përmendësh Allahun gjatë një vepre, shpërblimin e ke më të madh.

Në një transmetim tregohet se i Dërguari salAllahu alejhi ue selem është pyetur: “Cili është më i miri prej atyre që janë në xhami (për namaz)?” dhe thotë: “Ai i cili më së shumti e përmend Allahun.”

Pastaj e kanë pyetur: “Cili është më i miri prej atyre që e falin namazin e xhenazes?” dhe thotë: “Ai i cili më së shumti e përmend Allahun.” E kështu me radhë përmenden edhe veprat e tjera. Në një prej transmetimeve e pyesin: “Cili prej atyre që e vizitojnë një të sëmurë ka shpërblimin më të madh tek Allahu?” dhe u thotë: “Ai i cili e përmend Allahun më së shumti.”

Ibn Kajjim rahimehullah thotë: “Më i miri prej atyre të cilët e kryejnë ndonjë adhurim (vepër), është ai i cili më së shumti e përmend Allahun gjatë atij adhurimi. Prandaj, prej agjëruesve, më i miri është ai i cili më së shumti e përmend Allahun gjatë agjërimit.

Më i miri prej atyre të cilët japin lëmoshë nga pasuritë e tyre, është ai i cili më së shumti e përmend Allahun gjatë kësaj vepre. Prej haxhilerëve më i miri është ai i cili më së shumti e përmend Allahun gjatë haxhit. Kjo vlen për të gjitha veprat e tjera.”

Bazuar në librin “Fikh el ed’ijeh uel edhkar” të shejkh AbduRrezak el Bedër