Shkuarja te fallxhorët
I Dërguari (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka vendosur rregulla të qarta të cilat ndalojnë çdo shkuarje te fallxhorët. Ai ka thënë se: “Namazi i kujtdo që i afrohet ndonjë fallxhori dhe e pyet atë për ndonjë gjë nuk pranohet për 40 ditë dhe netë.”(Muslimi).
Ndëshkimi në këtë hadith është thjesht për afrimin te një fallxhor dhe pyetja e tij për kureshtje. Ky ndalim mbështetet gjithashtu edhe nga hadithi i Muaui ibn Hakem es-Sulemit, në të cilin ai thotë: “O i Dërguari i All-llahut, ka disa njerëz prej nesh që shkojnë te fallxhorët.”I Dërguari (Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) iu përgjigj:“Mos shkoni tek ata.”(Muslimi).
Ky ndëshkim i ashpër është caktuar për shkuarjen tek fallxhorët pasi është hapi i parë në drejtim të besimit te fallxhorët. Në qoftë se dikush shkon atje duke dyshuar se a është i vërtetë tregimi i fatit apo jo, dhe në qoftë se disa prej thënieve të fallxhorit dalin të vërteta (siç e treguam se bashkëpunojnë me xhin për të kaluarën, ndërsa për të ardhmen vetëm 1/100 mund të dinë), ai me siguri do të bëhet një besimtar i zjarrtë dhe i zellshëm i fallxhorëve.
Besimi te fallxhorët
Islami e cilëson mosbesimtar çdokënd që shkon te fallxhori dhe beson se ai di të padukshmen dhe të ardhmen. Ebu Hurejra dhe Hasani transmetojnë nga i Dërguari (Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) se ai ka thënë: “Kushdo që i afrohet një fallxhori dhe beson çfarë ai thotë, ka mohuar atë që iu shpall Muhammedit.” (Ahmedi dhe Ebu Daudi).
Një besim i tillë i jep krijesave disa prej cilësive të All-llahut në lidhje me dijen e të padukshmes dhe të ardhmes. Pra, ai rrëzon Teuhidin Esma ue Sifat (Njëshmërinë në Emrat dhe Cilësitë e All-llahut) dhe paraqet shirk në këtë aspekt teuhidi. Për analogji, në kufër përfshihet edhe leximi i librave ose shkrimeve të fallxhorëve, dëgjimi i tyre në radio ose shikimi në televizion, sepse këto janë mjetet më të zakonshme me anën e të cilave sot fallxhorët përhapin thëniet e tyre. All-llahu thotë qartë në Kuran se askush veç Tij nuk e njeh të padukshmen, madje as i Dërguari (Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të) All-llahu thotë: “Çelësat e fshehtësisë janë vetëm tek Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di askush veç Tij …” (6:59) .
Allahu i ka thënë të Dërguarit Muhammed, ‘alejhi selam.:“Thuaj: “Unë nuk kam në dorë për veten time as ndonjë dobi, as ndonjë dëm, veç çfarë do All-llahu. Sikur ta dija të fshehtën, do të shumoja për vete të dobishmet e nuk do më prekte gjë e keqe….””(7:188).
Prandaj të gjitha metodat e ndryshme që përdoren nëpër botë nga fallxhorët ose treguesit e fatit janë të ndaluara (p.sh. parja e filxhanit të kafesë, hedhja e fallit me letra, horoskopi, orakulli etj. sh.p.). All-llahu thotë në Kuran: “S’ka dyshim se vetëm All-llahu e di kur do të ndodhë kiameti, Ai e di kur e lëshon shiun. Ai e di se ç’ka në mitra, e veç Tij nuk e di kush çfarë do t’i ndodhë nesër, dhe askush nuk e di, veç Tij, se në ç’vend (ose kohë) do të vdesë. All-llahu është më i Dijshmi, më i Njohuri.” (31:34).
Ne duhet të kemi kujdes me librat, revistat, gazetat apo dhe individët të cilët, në një mënyrë ose në një tjetër, thonë se e dinë të ardhmen ose të padukshmen. P.sh. kur një musliman që merret me parashikimin e motit parashikon shi, borë ose kushte të tjera klimatike për të nesërmen, ai duhet të shtojë shprehjen “Insha All-llah” (në dashtë All-llahu). Gjithashtu, kur mjekja muslimane e informon pacienten e saj se do të lindë një fëmijë në këtë apo atë ditë, ajo duhet të shtojë “Insha All-llah”, sepse këto parashikime janë vetëm vlerësime të bazuara mbi informacion statistikor.