VLERA E MIRËSJELLJES NDAJ PRINDIT
Allahu Fuqiplotë ka thënë:
“Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet.” Akhaf 15.
Nga Abdullah bin Me’udi përcillet të ketë thënë: “E pyeta Pejgamberin: Cila vepër është më e dashura tek Allahu?” Ai u përgjigj:“Namazi në kohën e tij.” E pyeta “Pastaj cila? Tha: “Mirësjellja ndaj prindërve.”Buhariu
Nga Abdullah bin Omeri përcillet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
“Kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindit, ndërsa hidhërimi i Allahut është në hidhërimin e prindit.”Buhariu
Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet.”Akhaf 15.
Në këtë ajet, Allahu pas përmendjes së teuhidit (njësimit të Allahut me adhurim), nuk e ka përmendur as namazin, as zekatin, as agjërimin, as lëmoshën, por ka përmendur mirësjelljen ndaj prindërve.
Sjellja dhe edukata ndaj prindit duhet të jetë e veçantë. Por edhe fjalët, mënyra e të folurit dhe e të biseduarit me ta duhet të jetë e veçantë.
Kur bisedohet me prinderit, duhet që fjalët të jenë të buta dhe të tregohet mëshirë në fjalë.
Babai dhe nena duhet të veçohet me mirësjellje.
Përveç kësaj, pjesë e kësaj mirësjelljeje është fjala e mirë ndaj tyre.
Allahu nuk e ka bërë radhitjen: së pari bamirësi ndaj të tjerëve e pastaj ndaj prindërve, apo bamirësi ndaj të tjerëve e ndaj prindërve jo.
Nëse e ke përmirësuar nijetin e sinqertë dhe ke vendosur të pajisesh me mirësjelljen e PejgamberitsalAllahu alejhi ue selem e të braktisësh sjelljet e injorancës të cilat nuk i përkasin fesë Islame, atëherë fillo së pari nga prindërit, ngase kështu Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë bërë radhitjen.
Çështja e sjelljes me prindërit është e rëndësisë shumë të lartë. Kanë ardhur tekste kërcënuese për këtë, e gjithashtu dhe tekste premtuese. Pjesë e moralit- e morali i mirë është shkak që njeriu të ketë pozitën më të afërt me Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem në Ditën e Gjykimit-, është edhe mirësjellja ndaj prindërve.
Pastaj autori sjellë një hadith të përcjellë prej Abdullah ibn Mesudit radijAllahu anhu i cili ka thënë: “E kam pyetur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem: “Cila vepër është më e dashura tek Allahu?” Kjo na tregon edukatën e te pareve tane , në kërkimin e dijes, se si janë interesuar për gjëra madhështore, konkrete e me vlerë të lartë. Kjo është një pyetje gjithëpërfshirëse.
Dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i përgjigjet: “Namazi në kohën e vet.”
Gjëja e parë që përmendi ishte namazi në kohën e vet (të përcaktuar), duke na përkujtuar që të jemi të kujdesshëm e të përpiktë në çështjen e namazit. E pyet: “Pastaj cila?” Ai i thotë:“ Mirësjellja ndaj prindërve.” Në përgjigjen e parë përmendi namazin në kohën e vet, pastaj në përgjigjen e dytë përmendi mirësjelljen ndaj prindërve, pra menjëherë pas detyrës ndaj Allahut pason detyra ndaj prindërve.
Pastaj autori sjellë një hadith tjetër përcjellë nga Abdullah ibn Umeri radijAllahu anhu i cili ka treguar se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
Kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindit, hidhërimi i Allahut është në hidhërimin e prindit.”
Ky është hadith inkurajues dhe kërcënues. Nëse prindërit e tu janë të kënaqur me ty, Allahu është i kënaqur me ty.
Fitimi i Kënaqësisë së Allahut është gradë e virtyt i lartë. Nëse njeriu bëhet shkaktar për hidhërimin e prindërve, mos ta largojë nga mendja se mbi të mundë të jetë hidhërimi i Allahut.
E kur e fiton hidhërimin e Allahut, atij i shkatërrohet kjo jetë dhe tjetra. Ne si besimtarë, robër të Allahut, duhet të përpiqemi ta fitojmë Kënaqësinë e Allahut, e cila arrihet përmes veprave, e një prej veprave është dhe kënaqja e prindit.
Andaj, duhet përpjekje e mund për të fituar këtë shpërblim prej Allahut. E lumë për atë i cili e fiton Kënaqësinë e Allahut!
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka treguar veprat me të cilat arrihet Kënaqësia e Allahut, ky shpërblim i madh, dhe na ka tërhequr vërejtjen nga ato gjëra të cilat sjellin hidhërimin e Allahut, e prej tyre është mosrespektimi i prindërve apo të hidhëruarit e tyre.
Thyerja e urdhrave të prindit (kur nuk vien ndesh me urdhrat e Allahut) shkakton hidhërimin e prindit, e gjithashtu mosmirësjellja, mosedukata, fyerja etj. Sidomos atëherë kur janë të moshuar, prindërit kanë nevojë që fëmijët e tyre të jenë afër, me ndihmën e moralet e tyre.
Kur janë në moshën e shtyrë, ata dobësohen, plogështohen, i godet sëmundja, nervoza etj…, e megjithëkëtë, duke u përballur dhe me mungesën e fëmijëve edhe pse janë të gjallë (se kanë ikur dhe i kanë braktisur), me mungesën e përkrahjes dhe mirësjelljen prej tyre, atëherë kjo është një rrezik i madh për ta sjellë hidhërimin e Allahut.
Allahu thotë: “Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë tek ti, mos u thuaj atyre as “of!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj:“O Zoti im,mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” Isra 23-24.
Kur prindi arrin moshën e pleqërisë, ndaj tij duhet bërë durim, ngase pleqëria ka sprovat e saj, si: sëmundja, harresa, nervoza, matufosja etj. Për shkak të gjendjes në të cilën janë si të moshuar, janë të ndjeshëm dhe ndihen se janë ngarkesë për të tjerët, e në momentin kur dikush shfaqë mosdurim ndaj tyre, kjo i rëndon edhe më shumë ata. Por, thuaju fjalë të mira, të cilat sjellin gëzim e disponim tek ta. Kjo është shumë me rëndësi, sepse shkakton kënaqësi tek ta.
Nëse prindi gabon dhe e urdhëron të birin a të bijën për një mëkat, për diçka që nuk i përket fesë së Allahut, për diçka që e kundërshton atë, atëherë ai nuk duhet ta zbatojë atë urdhër, edhe nëse kjo gjë shkakton hidhërim tek ai. Kur prindi është hidhëruar se nuk e ka dëgjuar fëmija i tij në këtë gjë, këtë hidhërim të tij nuk e
llogaritë Allahu. Por, e llogaritë hidhërimin kur prindi është hidhëruar me të drejtë- këtu vlen kërcënimi i ardhur në këtë hadith, për hidhërimin e Allahut. Gjithashtu, kënaqja e prindit nuk duhet bërë duke vepruar mëkate ndaj Allahut, këtë Ai nuk e do dhe nuk shpërblen për këtë kënaqje të prindit. Nëse prindi kënaqet kur fëmija e tij ia ka realizuar dëshirën të bëjë një mëkat, kjo (kënaqje e prindit) nuk është diçka për të cilën Allahu e shpërblen atë (fëmijën e tij). Por, kënaqja e prindit është në atë që e pranon feja dhe që i takon asaj.
Bazuar në librin e imam Buhariut me titull “Libri i mirësjelljes”, me shpjegim të shejkh Abdurrezak el Bedr