Cdo gje qe duhet te dini rreth muajit Sheval

Muaji Sheval, mirësi dhe rregulla.

Muaji i dhjetë hënor i cili vjen pas muajit të Ramazanit, apo ndryshe hëna e dhjetë sepse çdo hënë me ciklin e saj mbushje-zbrazje përbën një muaj prej muajve hënorë, është muaji Sheval.

Sheval në gjuhen arabe dmth: ngritje apo largim dhe mendohet se është quajtur me këtë emër për shkak se kur është emërtuar për herë të parë ka qenë koha e ndërzimit të deveve, apo koha e zbutjes motit dhe largimit të nxehtësisë.

Hyrja e Shevalit.

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se për hyrjen e Shevalit nuk pranohen më pak se dy dëshmitarë, sepse profeti -alejhi selam- ka thënë: “Agjëroni kur ta shihni hënën, çeleni kur ta shihni atë dhe bëni gjithashtu kurban sipas saj dhe nëse nuk arrini ta shihni atë plotësojeni muajin tridhjetë ditë dhe nëse dëshmojnë dy dëshmitarë agjëroni dhe çelni” E transmeton Ahmedi dhe Nesai dhe e saktëson sheikh Albani.

Fjala e profetit -alejhi selam- [dhe nëse dëshmojnë dy dëshmitarë agjëroni dhe çelni] dmth kushtëzimi i fillimit të agjërimit i cili është gjithashtu dhe fillimi i muajit të Ramazanit dhe çelja e agjërimit i cili është gjithashtu dhe fillimi i muajit të Shevali, me dëshminë e dy dëshmitarëve.

Mirëpo për sa i përket Ramazanit kanë ardhur hadithe të tjera që e lejojnë hyrjen e tij gjithashtu edhe me një dëshmitar dhe ndoshta më i sakti prej tyre është hadithi i Ibn Omerit i cili thotë: “Dolën njerëzit për të parë hënën dhe unë e njoftova profetin -alejhi selam- se e pashë atë. Atëherë profeti -alejhi selam- filloi agjërimin dhe urdhëroi njerëzit për agjërim” e transmeton Ebu Daudi, Darimiu, Ibn Hibbani dhe e saktëson sheikh Albani.

Ndërsa për sa i përket hyrjes së Shevalit nuk kemi hadith tjetër madje kemi një ngjarje tjetër përforcuese që ka ndodhur në kohën e profetit -alejhi selam- siç thotë një prej sahabëve: “Njerëzit ranë në kundërshtim në lidhje me ditën e fundit të Ramazanit pastaj erdhën dy bedevi (banorë të shkretëtirës) dhe dëshmuan te profeti -alejhi selam- duke u betuar në Allah se e kishin parë hënën e re dje në mbrëmje. Atëherë profeti -alejhi selam- urdhëroi njerëzit ta çelin agjërimin dhe të nesërmen të dalin për namazin e Bajramit” e transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.

Dita e parë e Shevalit është festa e madhe e Fitrit.

Fitr në gjuhen arabe dmth çelje dhe është për qëllim çelja e madhe e agjërimit pas mbarimit të muajit të Ramazanit.

Kjo ditë është përmendur në Kuran ku Allahu i madhëruar thotë: “Ta plotësoni kohën e agjërimit, pastaj ta madhëroni Allahun për suksesin e dhënë në mënyrë që ta falënderoni” suretu El-Bakara: 185.

Zejd bin Eslem (dijetar i kohës së tabiinëve i njohur në komentimin e kuranit i vdekur në vitin 136H) në lidhje me këtë ajet thoshte: [ta madhëroni Allahun për suksesin e dhënë] dmth: ta madhëroni Allahun ditën e Fitrit (Çeljes). E transmeton Taberiu.

Kurse i biri i Zejdit që quhet Abdurrahman bin Zejd bin Eslem (edhe ky dijetar i njohur në fushën e tefsirit i vdekur në vitin 182H) shoshte: “Ibn Abasi -radiallahu anhu- thoshte: është detyrë për çdo mysliman që kur sheh hënën e re të Shevalit ta madhërojë Allahun derisa të mbarojë festa e tyre sepse Allahu i madhëruar thotë: [Ta plotësoni kohën e agjërimit, pastaj ta madhëroni Allahun për suksesin e dhënë në mënyrë që ta falënderoni]” e transmeton Taberiu.

Këto thënie të përmendura tregojnë për adetin e njerëzve të asaj kohe sepse banorët e Mekës bënin tekbire që natën e Bajramit kurse banorët e Medinës bënin tekbir vetëm ditën e Bajramit.

Gjithashtu ka edhe një realitet tjetër të asaj kohe që ia vlen të përmendet në këtë vend në lidhje me tekbiret e festes. Ebu Abdurrahman Es-Sulemij (dijetar prej tabiinëve të mëdhenj të Kufes i vdekur në vitin 70H) thoshte: “Tekbiri në festen e fitrit ka qenë më i fortë se në festen e kurbanit”  E transmeton Hakimi, Darakutni dhe e saktëson sheikh Albani.

Një praktikë tjetër e veçantë e ditës së çeljes.

Një praktikë tjetër e veçantë e kësaj dite është ngrënia para namazit për të dalluar fitrin (çeljen) nga agjërimi siç ka ardhur nga Enesi -radiallahu anhu-: “Profeti -alejhi selam- nuk dilte ditën e Fitrit pa ngrënë disa hurma dhe ai i hante ato tek” e transmeton Buhariu. Dhe në lidhje me urtësinë e kësaj praktike janë dhënë dy mendime:

I pari: Është e pëlqyeshme çelja para namazit që të mos mendojë njeri se duhet të vazhdojë agjërimi deri në faljen e Bajramit.

I dyti: Është e pëlqyeshme çelja para namazit për të përshpejtuar zbatimin e urdhrit të Allahut për çelje duke qenë se çelja e asaj dite është shumë e afërt me agjërimin.

Agjërimi në Sheval.

Në Sheval ka një agjërim të pëlqyeshëm dhe të veçantë për këtë muaj dhe që është pasimi i Ramazanit me gjashtë ditë të këtij muaji.

Ebu Ejub El-Ensari -radiallahu anhu- tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Ai që agjëron Ramazanin dhe pastaj e pason atë me gjashtë ditë të Shevalit është për të si agjërimi i gjithë kohës (vitit)” e transmeton Muslimi.

Pasimi i Ramazanit me gjashtë ditë të Shevalit barazohet me agjërimin e vitit në shpërblim sepse Allahu i madhëruar ka premtuar në kuran se çdo të mirë e shumëfishon në dhjetë të mira: “Kush vjen me një të mirë ka për të dhjetë të tilla dhe kush vjen me një të keqe ka për të vetëm atë dhe atyre nuk u bëhet padrejtësi” suretu El-En’am: 160.

Mbi bazën e këtij ajeti e ka shpjeguar profeti -alejhi selam- barazimin e këtij agjërimi me vitin siç tregon Theubani shërbëtori i profetit -alejhi selam- se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kush agjëron gjashtë ditë pas fitrit, plotëson me to vitin sepse kush vjen me një të mirë ka për të dhjetë të tilla” e transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson sheikh Albani.

Në një transmetim tjetër Theubani -radiallahu anhu- thotë se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Agjërimi i Ramazanit është sa dhjetë muaj dhe agjërimi i gjashtë ditëve është sa agjërimi i dy muajve dhe kështu plotësohet viti” e transmeton Ibn Khuzejme dhe e saktëson sheikh Albani.

Mbi këtë bazë llogaritje gjithashtu është marrë edhe agjërimi i tre ditëve në muaj si agjërimi i vitit sepse çdo ditë është me dhjetë ditë dhe tre ditë në muaj janë me tridhjetë ditë pastaj përsëritja e kësaj pune në çdo muaj sjell agjërimin e vitit. Profeti -alejhi selam- e ka porositur Abdullah bin Amr bin El-As -radiallahu anhu- duke i thënë: “Agjëro në çdo muaj tre ditë sepse çdo e mirë është e barabartë me dhjetë të tilla dhe kështu barazohet me agjërimin e gjithë kohës (vitit)” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ibn El-Kajim në librin El-Menar El-Munif ka një thënie shumë të dobishme në lidhje me faktin se pse profeti -alejhi selam- ka zgjedhur që këto gjashtë ditë të jenë në Sheval dhe jo në ndonjë muaj tjetër dhe thotë: “Në faktin se këto ditë janë nga Shevali ka një urtësi të hollë dhe ajo është se ato janë rregulluese për Ramazanin për mangësitë që mund të kenë ndodhur gjatë agjërimit si synetet për namazin apo si dy sexhdet e harresës pas tij. Prandaj profeti -alejhi selam- ka thënë: [pastaj e pason atë…] dmth e ndjek atë me agjërim (vullnetar siç ndjek namazin farz me namaz sunet)”.

Dy çështje në lidhje me agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit.

Çështja e parë: Kur dhe si duhet të jetë agjërimi i këtyre ditëve?

Imam Tirmidhiu -Allahu e mëshiroftë- i cili është prej transmetuesve të këtij hadithit thotë: “Ibn El-Mubarek (dijetar i madh i kohës së tabiinëve që ka jetuar mes viteve 118-181H) ka zgjedhur që këto ditë të jenë në fillim të muajit.

Është transmetuar prej tij gjithashtu se ka thënë: agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit ndarazi është e i lejueshëm”.

Pra, lejohet edhe agjërimi i tyre bashkë edhe ndarazi por agjërimi i tyre bashkë dhe në fillim të Shevalit është më mirë sepse tregon përkushtim siç e thonë disa prej dijetarëve (shafitë dhe disa hanbeli).

Çështja e dytë: ai që ka ditë të paagjëruara nga Ramazani, a bën të agjërojë këto ditë para se të plotësojë Ramazanin?

Hadithi nga ana e jashtme e përmend këtë mirësi për atë që ka agjëruar Ramazanin dhe pastaj e pason atë me gjashtë ditët e shevalit dhe nuk duket se i bën vend atij që ka ditë të paagjëruara nga Ramazani.

Ebu Hurejra -radiallahu anhu- është pyetur për një çështje të ngjashme siç tregon Uthman bin Meuhib se një burrë e pyeti Ebu Hurejren: “Unë kam ditë nga Ramazani, a të agjëroj dhjetëditëshin (e Dhul-Hixhes) vullnetarisht? Ai i tha: Jo. Ai i tha: Pse? Ai i tha: fillo me detyrën e Allahut pastaj bëj punë vullnetare sa të duash” e transmeton Abdurrazaku me zinxhir të saktë.

Kjo fetva është fetvaja e disa tabiinëve si: Said bin El-Musejjib (tabiin i madh i vdekur pas 90H), Said bin Xhubeir (tabiin i vdekur në vitin 95H), Ibrahim En-Nekhaij (tabiin i vogël dhe dijetar i Kufes i vdekur në vitin 196H). Shih: Sahih El-Bukhari, Musannef Ibn Ebij Shejbe dhe Mussanef Abdurrazak.

Është transmetuar nga Ebu Bekri -radiallahu anhu- një thënie që vlen të përmendet këtu, thënie kjo me të cilën porosiste Omerin -radiallahu anhu- para se të vdiste: “Kije frikë Allahun, o Omer dhe dije se për Allahun janë disa punë të ditës që nuk i pranon natën dhe disa punë të natës që nuk i pranon ditën dhe se ai nuk pranon nafile pa kryer farzin” e transmetojnë Ibn Ebij Shejbe dhe Ebu Nuajm. Kjo thënie e Ebu Bekrit është transmetuar mursele (me shkëputje në zinxhir) por më që është transmetuar në dy rrugë të ndryshme transmetimi dhe transmetuesit janë besnikë atëherë kjo e forcon atë.

Fjala e tij [nuk pranon nafile pa kryer farzin] tregon që njeriu duhet të merret fillimisht me detyrën e Allahut.

Në lidhje me këtë çështje se duhet agjërimi i Ramazanit para gjashtë ditëve të Shevalit është edhe fetvaja e disa dijetarëve të kohës sonë si:  Muhamed Nasirudin El-Albani dhe dy sheikhëve të tjerë Ibn Baz dhe Ibn El-Uthejmin -Allahu i mëshiroftë-.

Shevali është prej muajve të haxhit.

Allahu i madhëruar në kuran thotë: “Haxhi është në muaj që dihen, atëherë kush e bën detyrë në to haxhin të mos bëjë as gjëra të kota, as prishje dhe as debate në haxh” suretu El-Bakara: 197.

Komentuesit e kuranit prej sahabeve si: Abdullah bin Umer, Abdullah bin Abas, Abdullah bin Mesud -radiallahu anhum- thonë se muajt e haxhit të përmendur në kuran janë: Shevali, Dhul-Kade Dhul-Hixhe.

Kjo që thuhet në ajet nuk do të thotë se haxhi mund të kryhet në secilin prej muajve të përmendur por do të thotë se kush mbërrin për umre në shtëpinë e Allahut në Qabe në njërin prej këtyre muajve dhe heq ihramin duke pritur haxhin, atëherë ai duhet të bëjë kurban dhe ja ç’thotë Abdullah bin Umeri -radiallahu anhu- në lidhje me këtë çështje: “Kush bën Umre në muajt e haxhit në Sheval, apo në Dhul-Kade, apo në Dhul-Hixhe para kohës së haxhit pastaj qëndron në Meke për haxh derisa të vijë haxhi, e ka ndarë haxhin nga umra dhe duhet të bëj kurban dhe nëse nuk gjen atëherë të agjërojë tre ditë në haxh dhe shtatë ditë kur të kthehet nga haxhi” e transmeton imam Maliku me zinxhir të saktë.

Read Previous

Si te agjerosh gjithe vitin duke agjeruar 6 ditet e muajit Sheual

Read Next

10 veprat qe i ndodhin njeriut kur ben gjynahe