Begatitë që ka qumështi

0
1229

Aishja, radiallahu anha, tregon se, kur i jepnin qumësht të Dërguarit të Allahut, alejhi selam, ai thoshte tri herë me radhë: “Begati ose dy begati…” (Ibn Maxhe, Ahmedi)
Allahu i Lartësuar thotë: “Ju edhe në kafshët keni mësim (përvojë). Ne ju japim të pini nga ajo që është në barkun e tyre, nga bashkimi ndërmjet sekrecioneve të gjendrave dhe të gjakut, qumësht të pastër, të shijshëm (të lehtë) për ata që e pinë.” (En Nahl 66)
Transmetohet nga Ibn Abbasi, radijallahu anhu, se i Dërguari i Allahut, alejhi selam, ka thënë: “Kur Allahu i dhuron dikujt një ushqim, ai le të thotë: “O Allah! Na dhuro begati në të dhe na dhuro ushqim më të mirë se ai.” Ndërsa, kur Allahu i dhuron dikujt qumësht, ai le të thotë: “O Allah, na dhuro begati në të dhe na e shto atë.” Unë di se vetëm qumështi zëvendëson çdo lloj ushqimi e pijeje.” (Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe, Ahmedi)
Kurtubiu në tefsirin e tij për këtë ajet ka thënë: “Qumështi, padyshim, që i zëvendëson të gjitha ushqimet, sepse ai është ushqimi i parë i njeriut dhe nëpërmjet tij rritet dhe zhvillohet trupi i tij.”
I Dërguari i Allahut, alejhi selam, ka thënë: “Xhibrili më solli një enë me verë dhe një enë me qumësht e unë zgjodha atë me qumësht. Xhibrili më tha: “Ti ke zgjedhur natyrshmërinë e pastër (fitren), ndërsa, sikur të kishe zgjedhur verën, populli yt kishte për të humbur.”” (Buhariu 4/125)
Profeti, alejhi selam, lutej që Allahu ta shtonte qumështin, sepse ai është ushqim i dobishëm dhe i begatë. Argumenti për këtë gjendet në hadithin e Ibn Abbasit, ku profeti, alejhi selam, nuk lutet duke thënë: “…e na dhuro ushqim më të mirë se ai”, por thotë: “…na e shto atë.”
Ibn Kajim thotë: “Qumështi është pija më e dobishme për trupin e njeriut, sepse ai përmban vlera ushqimore dhe e pasuron atë me gjak. Ai i ka shërbyer njeriut qysh kur ka qenë foshnjë dhe i përshtatet më së miri natyrshmërisë së tij.”

“Kërkimi i begatisë” – Nasir ibn Muhamed el Xhedi