ARGUMENTAT E EKZISTENCËS SË ALLAHUT TË MADHËRUAR
-Për ekzistencën e Allahut të Madhëruar dëshmon çdo qelizë e kësaj Gjithësije.
Është Ai që është kjo Gjithësi. Kjo Gjithësi është fryt i mjeshtërisë së Tij.
Në çdo anë dhe në çdo cep të saj dëshmohet fuqia,urtësia dhe mjeshtëria e Tij.
Riprodhimi i krijesave nga një substancë e thjeshtë.Formimi i tyre me tiparet dhe gjymtyrët përkatëse nga kjo substacë.
Shumë llojshmëria e krijesave. Ndarja e çdo lloji në dy gjini.
Dallimi i individëve nga njëri tjetri në mesin e llojit.
Të gjitha këto dëshmojnë për mjeshtërinë madhështore të Tij.
Syri me shumë llojshmërinë e ngjyrave të tij.
Goja me shumë llojshmërinë e shijeve të saj.
Fytyra me shumëllojshmërinë e tipareve të saj.
Të gjitha këto janë fakte që dëshmojnë për mjeshtërinë madhështore të Tij.
Uria,etja, dhimbja,gjumi,të fiktit…etj janë dëshmi të mjeshtërisë së Allahut të Madhëruar që i ka vendosur në organizmin e njeriut për ti tërhequr vëmendjen atij që të kujdeset për trupin e tij.
-Për ekzistencën e Tij dëshmon gjithashtu natyra e pastër dhe racionale e njeriut.
Njeriu për nga natyrshmëria e tij është i prirur që të besojë se ekziston një krijues që e ka krijuar atë dhe që ka krijuar këtë Gjithësi.
Besimi në ekzistencën e Zotit është i rrënjosur dhe i ngulitur në natyrën e njeriut.
Ky besim shtohet dhe forcohet nëpërmjet meditimit dhe reflektimit mbi shenjat dhe gjurmët e fuqisë së Krijuesit të Madhëruar në këtë Gjithësi.
-Për ekzistencën e Tij dëshmon gjithashtu arsyeja e pastër dhe logjika e shëndoshë.
Një logjikë e shëndoshë nuk pranon dot që kjo Gjithësi e Përsosur të krijohet nga hiçi apo nga vetvetiu.Hiçi sipas logjikës së shëndoshë nuk mund të krijojë gjë.Sikurse asgjë nuk mund të krijohet vetvetiu.
-Për ekzistencën e Tij dëshmon gjithashtu fakti që njeriu qysh në lashtësi ka besuar tek Zoti.Sipas të dhënave historike dhe sipas shkrimeve të shenjta njeriu qysh në zanafillën e tij ka besuar në Zot.
-Për ekzistencën e Tij dëshmojnë gjithashtu mrekullitë e pathyeshme me të cilat u përkrahën Profetët, si shkopi i Musait (Paqja qoftë mbi të) dhe dora e tij.
Ndarja e detit në 12 rrugë për të dhe popullin e tij.Mrekullia e ringjalljes së të vdekurve që iu dha Isait (Paqja qoftë mbi të) Mrekullia e ndarjes së hënës më dyshë dhe shpallja e Kuranit me një stil gjuhësorë arab të pashembullt dhe të pasfidueshëm që iu dha Muhamedit (Paqja qoftë mbi të)
-Mohimi i Zotit bie në kundërshtim me natyrshmërinë e njeriut, dhe me arsyen e shëndoshë, si dhe me vlerat dhe traditat e lashta njerëzore.
Përshtati R. Milaqi