Allahu i Madhëruar është Ai që çel çdo mirësi dhe në dorën e Tij është suksesi

0
516

Padyshim që Allahu i Madhëruar është “El Fetahu – Ai që çel çdo mirësi” dhe vetëm prej Tij buron mirësia dhe suksesi.

‘El Fetahu – Ai që çel çdo mirësi’ është një prej emrave të bukur të Allahut të madhëruar, emër të cilin duhet ta njohë dhe ta besojë çdo musliman.

Allahu i Madhëruar ka emra të bukur dhe cilësi të përsosura, dhe ne duhet t’i njohim emrat e bukur të Zotit tonë dhe duhet ta adhurojmë, duke iu lutur Atij me to. Allahu i Madhëruar thotë:

وَلِلَّهِ الْأَسْمَاءُ الْحُسْنَىٰ فَادْعُوهُ بِهَا ۖ

“…dhe se Allahut i përkasin emrat më të bukur, pra lutjuni Atij me ato emra!” (El Earaf: 180)

T’i drejtohesh Allahut të Madhëruar me lutje duke përmendur emrat dhe cilësitë e Tij është ndër adhurimet më me vlerë, ashtu siç është adhurim më vete njohja e kuptimit të emrave të Tij, pohimi i cilësive për të cilën tregon secili emër, si dhe përmbushja e adhurimit përkatës i cili ka lidhje me atë emër.

Në rastin konkret, ne e besojmë se emri ‘El Fetah’ është nga emrat e Allahut. Mësojmë se kuptimi i këtij emri është se: mirësia, begatia, zgjidhja e çdo problemi dhe suksesi janë të gjitha prej Tij dhe prej askujt tjetër. Duke e ditur këtë, ne i lutemi Allahut të na i hapë dyert e mirësive dhe të na bëjë edhe neve hapës të së mirës kudo që ndodhemi!

Pra, emri ‘El Fetah – Ai që çel çdo mirësi’ është nga emrat e Allahut të Madhëruar. Ky emër madhështor është përmendur në Kuranin famëlartë dy herë:

  1. Në ajetin kuranor, në të cilin Allahu i Madhëruar tregon duanë (lutjen) e profetit Shuajb (alejhi selam):

رَبَّنَا افْتَحْ بَيْنَنَا وَبَيْنَ قَوْمِنَا بِالْحَقِّ وَأَنتَ خَيْرُ الْفَاتِحِينَ

 “Zoti ynë! Shpalose (hape) mes nesh dhe mes popullit tonë gjykimin tënd të drejtë, se Ti je më i miri që i hap e i shpalos çështjet!” (El Earaf: 89)

  1. Si dhe në ajetin kuranor në suren Sebe’:

قُلْ يَجْمَعُ بَيْنَنَا رَبُّنَا ثُمَّ يَفْتَحُ بَيْنَنَا بِالْحَقِّ وَهُوَ الْفَتَّاحُ الْعَلِيمُ

“Thuaju: “Ne do të na mbledhë Zoti ynë (në Ditën e Gjykimit). Pastaj Ai do ta hapë çëshjen mes nesh (për gjykim) me drejtësinë e Tij absolute. Ai është Hapësi (që i hap e i zgjidh të gjitha çështjet), i Gjithëdijshmi.” (Es Sebe’: 26)

Duke pohuar se emri ‘El Fetah – Ai që çel çdo mirësi’ është nga emrat e Allahut të Madhëruar, pohojmë gjithashtu se ‘çelja’ – e mirësive dhe e të gjitha çështjeve – është një ndër cilësitë madhështore të Allahut të Madhëruar. Kjo cilësi e Tij e përftuar nga emri ‘El Fetah’, përfshin kuptime të shumta të cilat i kanë përmbledhur dijetarët dhe hoxhallarët e fesë tonë.

Ndër ato kuptime është fakti se Allahu i Madhëruar është Ai i cili hap, shpalos dhe vendos verdiktin dhe gjykimin e Tij mbi njerëzit.

Gjithashtu, Ai është që hap derën e shpërblimit apo dënimit në varësi të asaj që ata meritojnë.

E po ashtu, Allahu është Ai që hap dhe cakton fatin e robërve të Tij, dhe këtë e bën në bazë të drejtësisë dhe urtësisë së Tij absolute. Allahu i Madhëruar thotë:

مَّا يَفْتَحِ اللَّهُ لِلنَّاسِ مِن رَّحْمَةٍ فَلَا مُمْسِكَ لَهَا ۖ وَمَا يُمْسِكْ فَلَا مُرْسِلَ لَهُ مِن بَعْدِهِ ۚ وَهُوَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ

“Kur Allahu ua çel njerëzve (derën e mirësisë) prej mëshirës së Vet, atë (mirësi) nuk mund ta pengojë askush. Ndërsa atë çfarë Ai e pengon, askush nuk mund ta japë veç Tij; Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Fatir: 2)

 

Kështu pra, Allahu i Madhëruar është “El Fetahu – Ai që çel çdo mirësi” dhe vetëm prej Tij buron mirësia.

Njohja e këtij emri është hapi i parë që duhet të hedhë cilido që dëshiron arritjen e mirësive dhe të bëhet edhe ai vetë çelës dhe hapës i të mirës.

Ai duhet t’i drejtohet me lutje të sinqertë, plot besim dhe shpresë ‘El Fetah-ut’ – Zotit, i Cili është Hapësi i të gjitha mirësive”. Padyshim që Allahu nuk e lë pa përgjigje lutjen e robit të Tij, kur ky lutet me përgjërim dhe plot shpresë tek Ai.

Hapja e të gjitha mirësive dhe çelja e tyre është në dorën e Allahut të Madhëruar. Ai është që t’i çel dyert e diturisë së dobishme. Ai t’i çel dyert e punëve të mira. Ai të dhuron moral dhe sjellje të mirë për të çelur dhe fituar zemrat e njerëzve.

Disa nga të parët tanë të mirë (selefët – dijetarët dhe hoxhallarët e hershëm), kanë thënë: “Morali i mirë është dhunti e dhuruar nga Allahu i Madhëruar, i Cili kur e do dikë, e nderon me moral të mirë dhe sjellje fisnike.”

Padyshim që Allahu ka ndarë mes njerëzve moralet e tyre, temperamentin e gjithsecilit prej tyre, ashtu siç ua ka ndarë dhe caktuar rrizkun (furnizimin) si dhe ymrin (jetëgjatësinë) e tyre. Të gjitha janë nga Zoti ynë i Madhëruar!

Nisur nga kjo, themi se gjëja e parë që duhet të bëjë muslimani për arritjen e çdo mirësie, është t’i drejtohet Allahut me lutje që t’ja çeli derën për arritjen e kësaj mirësie. Kurrë nuk do të arrish të përvetësosh dituri të dobishme, të kesh mendim të kthjellët, apo të përvetësosh ndonjë sjellje të mirë, apo të kryesh ndonjë adhurim apo çfarëdolloj vepre të mirë, veçse nëse Allahu i Madhëruar të jep sukses e ta hap rrugën për tek ajo mirësi.

Një nga dijetarët e tabi’inëve[1], Mutarrif bin Abdilah e ka thënë shumë bukur: “Nëse do ta kisha zemrën në dorën time të majtë dhe të gjitha mirësitë t’i kisha në dorën time të djathtë, do ta kisha të pamundur të fusja diçka prej atyre mirësive në zemrën time, përveçse nëse ato i vendos Allahu i Madhëruar.”[2] Kjo ngase e gjithë çështja, fund e krye, është në dorën e Allahut të Madhëruar!

Prandaj, ndonjëherë ndodh që dikush mund të dëgjojë një këshillë të dobishme, të cilën nëse do ta zbatonte, do të përfitonte shumë, apo ndodh që të mësojë diçka nga çështjet e fesë së tij, të cilat nëse do t’i praktikonte, do t’i siguronin atij lumturinë si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër, mirëpo fatkeqësisht, vullneti i tij për të punuar është i dobët, dhe kështu ai plogështohet dhe me këtë vepra i pakësohet, dhe sëbashku me të edhe dobia. Kjo ngase i gjithë suksesi, është në dorën e Allahut të Madhëruar dhe se s’ka ndryshim e as forcë përveçse me lejen e Tij!

Shkëputur nga libri: “Si të bëhesh hapës i mirësive”

Autor: Shejhu i nderuar: Dr. Abdurrazak bin Abdulmuhsin El BEDËR

Përktheu: E. AJDINI

[1] Tabi’inët ishin brezi që erdhi pas sahabëve.

[2] “Hiljetu el evlija”, vëllimi 2, faqja 201 dhe “Sijeru el ealemi en nubela”, vëllimi 4, faqja 190.