Ah! Sikur të mos i kisha shoqëruar Zotit tim askënd!

0
248

Ah! Sikur të mos i kisha shoqëruar Zotit tim askënd!
Jobesimtari i vetëmashtruar pas pasurisë së tij u befasua hap e mbyll sytë kur kopshti, pasuria dhe çdo gjë tjetër iu shkatërrua. Tashmë ai e kishte kuptuar shumë mirë se ai vetë dhe e ardhmja i ishin bërë pluhur e hi. Reflektimi dhe pikëllimi i tij ishte i jashtëzakonshëm. Këtë pikëllim e përshkruan Allahu i Madhëruar në Kuran kur thotë: “Dhe pasuria e tij (e mohuesit) u shkatërrua, kurse ai i rrihte duart për gjithçka që kishte shpenzuar në të (pronën e vet) – e që tashmë ishte shkretuar nga rrënjët -, dhe thërriste: “Ah! Sikur të mos i kisha shoqëruar Zotit tim askënd!”.” Surja “El-Kehf”, ajeti 42.

Edhe pse kishte shpenzuar shumë për këtë kopsht, çdo gjë humbi e u shkretua. Koha që shpenzoi duke u përkujdesur për kopshtin kishte shkuar gjithashtu dëm. Shpenzoi tej mase fizikisht duke e vizituar shpesh, kontrolluar e mbikqyrur, por çdo gjë shkoi dëm. I kushtoi kopshtit të tij ëndrra, projekte, shpresa e pritshmëri.

Jetoi për këtë kopsht e u mbështet plotësisht tek ai. Ja tek është tani i shkretuar në një realitet të hidhur! Sakrifikoi jetën e tij për këtë kopsht, jetë të cilën e jetoi për të. Gjithçka që shpenzoi e sakrifikoi është përpara syve të tij e shkatërruar dhe shkretuar. Kjo është arsyeja e pikëllimit, pikëllim i cili e bëri të rrahë duart e të rikthejë në kujtesë çdo gjë të shpenzuar për atë kopsht! Ishte vetë ai që tha me gjuhën e tij: “Ah! Sikur të mos i kisha shoqëruar

Zotit tim askënd!”
Sa pikëllim i thellë!
Sa humbje e madhe!
Sa jetë e shkuar dëm!
Sa moshë e shkretuar!
Sa njeri i humbur!

“Histori Kuranore…”, vëll. 2
Unejs Sheme