A lejohet të shkosh tek magjistarët për prishjen e magjisë? Ose e thënë ndryshe: a lejohet të zgjidhet magjia me magji?
Është e ndaluar të shkosh tek magjistarët, apo tek ata që shkruajnë nuska e hajmali për prishjen e magjisë. Kjo sepse një gjë e tillë do të thotë të kërkosh ndihmën e shejtanit për zgjidhjen e magjisë, ngaqë, siç dihet, magjistari mohon fenë, adhuron shejtanin, i lutet atij dhe ther kurban për të. Pejgamberi a.s. është shprehur në një thënie të tij se zgjidhja e magjisë me magji është prej punëve të shejtanit, çka do të thotë se është kategorikisht e ndaluar. Për më tepër që vajtja tek magjistari, tek tyrbja, tek të ashtuquajturat vende të mira, e përkeqëson edhe më shumë gjendjen e të sëmurit, ngaqë magjistari është i keq e i lig, dhe siç dihet njeriu i lig nuk përpiqet për t’u bërë mirë njerëzve, por për t’i dëmtuar ata. Magjistari nuk guxon të prishë një magji të cilën e ka lidhur një magjistar tjetër i ngjashëm me të, pasi nga njëra anë janë të dy njësoj kriminelë dhe nuk ka se si të bëjnë mirë, dhe nga ana tjetër, xhindi që i shërben magjisë nuk varet nga magjistari që përpiqet të prishë magjinë, as nga bashkpunëtorët xhindi të këtij të fundit, por nga magjistari që ka bërë magjinë, ose nga kryetari i fisit të xhindëve me të cili ka lidhje magjibërësi, kështuqë shërbëtori i magjisë nuk i përgjigjet yshtjeve të një magjistari tjetër e as bashkëpunëtorëve xhindi të këtij të fundit. Mirëpo ndonjëherë magjistari merret vesh nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tij xhindi me shërbëtorin e magjisë për ta qetësuar të sëmurin për pak kohë, me qëllim që i sëmuri të mendojë se është shëruar, e për pasojë të therë kurbanët e premtuar për shejtanin dhe t’i japë shumën e premtuar të parave magjistarit . Më pas shërbëtori i magjisë kthehet dhe i sëmuri do të vazhdojë të vuaj e të endet nga një magjistarë tek tjetri, do të harxhojë paratë dhe nuk do të bëjë përmirësim. Ndodh shumë rrallë që magjistarët dhe bashkëpunëtorët e tyre xhindi të merren vesh dhe të zgjidhin magjinë, jo me dëshirën e mirë për të lehtësuar të sëmurin, por me qëllim që të përhapet lajmi se filani është njeri i mirë dhe shëron! Çka bën që njerëzit me halle të dynden në derën e tij, duke kërkuar shërim e qetësi. Në këtë mënyrë shejtanët e arrijën qëllimin, sepse do ta shtrijnë më shumë pushtetin tek njerëzit: njerëzit do t’i hyjnizojnë, do t’i adhurojnë dhe do t’u nënshtrohen më shumë. Ndërsa, magjistarët e badakçijtë arrijnë të zhvasin njerëzit e gjorë të cilët trokasin në dyert e tyre për të gjetur shërim. Nganjëherë magjistari bie dakort me xhindët për prekjen e ca njerëzve, me qëllim që ata të detyrohen të vijnë tek magjistari. Pasi vijnë tek magjistari xhindi mund të dalë, ose mund të vaxhdojë t’i japë mundim të prekurit.
Ndonjëherë kur njeriu nuk ka sëmundje shpirtërore, si: prekje, magji apo mësyshje, por sëmundje me shkaqe patologjike, ose psikike, nëse shkon tek magjistarët, tyrbet, ose të ashtuquajturat vende të mira, mund ta prekin xhindët, çka do të thotë të kërkosh belanë me këmbët e tua. Një fakt, shumë i qartë për këtë që po themi është se numri i njerëzve që vuajnë nga sëmundjet shpirtërore sa vjen edhe shtohet, çka tregon se duke shkuar njerëzit me mijëra tek vendet e ashtuquajtura të mira, ose tek magjistarët, jo vetëm nuk po gjejnë shërim, por po shtohet numri i të prekurve. Ndërsa kur i bën vetë lutje Zotit, kur lexon vetë sure Kurani, ose kur shkon që të të lexojë Kuran një njeri i ditur, i cili i kërkon ndihmë Allahut dhe jo shejtanit, nuk ka rrezik që të prekesh nëse nuk je i prekur dhe, nëse je i prekur, me lejen e Allahut, do të qetësohesh.
Allahu i lartësuar thotë: “Në të vërtetë, ka pasur njerëz që kërkonin mbrojtje nga xhindët, por kjo vetëm sa i bëri xhindët edhe më gjynahqarë, më tiranë e më të dëmshëm” [el Xhinn: 6]. Komentuesit e Kuranit kanë treguar se në perudhën paraislamike, që quhet periudha e xhahilijes (paditurisë) kur njerëzit qëndronin në ndonjë luginë gjatë udhëtimit, thonin: “Kërkojmë mbrojtjen e të madhit të kësaj lugine”, duke pasur për qëllim, të parin e xhindëve që ndodheshin aty, dhe kështu xhindët morën shkas për t’i dëmtuar akoma më shumë njerëzit. Nga ajeti i sapopërmendur mësojmë se nuk lejohet të kërkojmë mbrojtje e ndihmë nga xhindët dhe se një gjë e tillë, nga njëra anë i çon njerëzit në humbje dhe, nga ana tjetër, i bën xhindët më të guximshëm për të dëmtuar njerëzit. Në vend të kësaj që njerëzit thonin, në kohën paraislamike, Pejgamberi i Islamit, Muhamedi a.s. na ka mësuar që t’i kërkojmë ndihmë e mbrojtje vetëm Allahut. Ai ka thënë: “Kushdo që ndalet në një vend dhe thotë aty: “Mbrohem me fjalët e përkryera të Allahut nga sherri (e keqja) i asaj që ka krijuar”, atë nuk do të dëmtojë asgjë derisa të zhvendoset nga ai vend”.
Po ashtu Allahu thotë: “Ditën, kur do t’i tubojë të gjithë, do t’u thotë engjëjve: “Vallë, këta juve ju adhuronin?”. Ata do të thonë: “I lartësuar je Ti, o Zoti ynë! Ti je Mbrojtësi ynë, jo ata. Ata adhuronin xhindet dhe shumica e mohuesve u besonin atyre.”. [Sebe’: 40 -41].
Gjithashtu, thotë: “Ditën kur Ai do t’i tubojë të gjithë, do të thotë: “O tog i xhindëve! Ju keni mashtruar shumë njerëz!” – Ithtarët e tyre midis njerëzve do të thonë: “Zoti ynë! Ne përfituam prej njëri-tjetrit, por tani ne arritëm afatin tonë të cilin na e pate caktuar Ti”. Allahu do të thotë: “Zjarri do të jetë vendbanimi juaj. Atje do të qëndroni përherë (dhu nuk është ndryshe), veçse si të dojë Allahu. Zoti yt është vërtet i Urtë dhe i Gjithëdijshëm”.” [El Enam: 128]. Përfitimi i njeriut nga xhindi është se xhindi i kryen disa punë, i bën disa shërbime dhe jep disa informacione, ndërsa përfitimi i xhindit nga njeriu është se ky i fundit e madhëron, i kërkon ndihmë, i lutet dhe i nështrohet. Nga ajeti del se fakti që njeriu mund të ketë ndonjë dobi në këtë botë nga lidhje me xhindin, nga adhurimi e hyjnizimi i tij, si dhe nga vajtja tek magjistari nuk do të thotë se këto gjëra janë të ligjshme, përkundarazi ato janë pjesë e idhujtarisë dhe njerëz të tillë rrezikojn të dënohen në zjarrin e xhehenemit.
Si përfundim, është e ndaluar kategorikisht të shkosh e të kërkosh shërim tek magjistarët, falltarët, të ashtuquajturit njerëz të mirë, astrologët, pseudohoxhallarët të cilët shkruajnë nuska e hajmali, vendet e ashtuquajtura të mira, tyrbet etj., pasi shërimi nuk është në dorë të tyre, por vetëm në dorë të Allahut, andaj duhet ta kërkosh vetëm nga Allahu; vetëm Allahu të mbron nga shejtanët dhe vetëm Ai e largon dëmin e tyre nga trupi yt. Allahu thotë: “A adhurimi i të tjerëve veç Allahut është më mirë apo adhurimi i Allahut i Cili i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen dhe ju bën juve trashëgimtarë në tokë?! Vallë, a ka krahas Allahut perëndi tjetër?! Sa pak që reflektoni!” [En Neml: 42]. Po ashtu Ai thotë: “Rasti i atyre, që zgjedhin mbojtës të tjerë në vend të Allahut, është si rasti i merimangës që zgjedh rrjetën e vet për shtëpi. Por shtëpia më e dobët është pikërisht rrjeta e merimangës. Veç sikur sikur ta dinin ata!” [el Ankebut: 41]. Gjithashtu Zoti thotë: “Vetëm Allahu është Ai i Cili, kur sëmurem, më shëron”. [Esh Shuara: 80].
Nëse shkon tek njerëz të tillë a në vende të tilla, jo vetëm që nuk do të gjesh shërim, por do të të përkeqësohet gjendja dhe do të vuash më shumë. Ndoshta tek ata mund të ndjesh ndonjë qetësim, por qetësia nuk do të zgjasë shumë dhe shqetësimet do të të kthehen përsëri, ndoshta edhe më të forta se më parë.