A duhet te shkoj tek fallxhori per tu sheruar?

0
955

Prandaj nuk i lejohet të sëmurit që të kërkojë ndihmë nga fallxhorët të cilët pretendojnë se e dinë të fshehurën. Gjithashtu i ndalohet që të besojë në atë që thonë ata sepse ajo që thonë ata është vetëm përpjekje që t’ia qëllojnë njohjes së të fshehtës me ndihmën e xhinëve, dhe u kërkojnë ndihmë xhinëve në realizimin e qëllimeve të tyre në fallin dhe magjinë e tyre. Gjykimi mbi këta njerëz të cilët pretendojnë se e dinë të fshehurën është kufri (dalja nga feja) dhe devijimi.

Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) ka transmetuar se profeti ﷺ ka thënë:“Kush shkon tek magjistari apo fallxhori dhe i beson fjalëve të tij, e ka mohuar atë që i është zbritur shpallur Muhammedit.” (Ebu Daudi).

Profeti ﷺ gjithashtu ka thënë:“Kush shkon tek fallxhori ose tek parashikuesi i së ardhmes dhe i beson fjalëve të tij, e ka mohuar atë që i është shpallur Muhamedit.” (Hakimi).
“Kush shkon tek parashikuesi i së ardhmes ose tek fallxhori dhe e pyet për diçka, atij nuk i pranohet namazi për 40 ditë.” (Muslimi).

Imran bin Husejn -radijAllahu anhu- ka transmetuar se profeti ﷺ ka thënë:“Nuk është prej nesh ai që beson në ogure (besëtytni), apo ai që i kërkon dikujt tjetër ta bëjë këtë për të, nuk është prej nesh ai që hedh fall, apo ai që i kërkon dikujt tjetër të bëjë fall për të, nuk është prej nesh ai që bën magji, ose kërkon që të bëhet magji për të. Kush shkon tek fallxhori dhe i beson fjalëve të tij, e ka mohuar atë që i është shpallur Muhammedit.” (El-Bezar).

Transmetimet gjithashtu tregojnë edhe kufrin e fallxhorëve dhe të magjistarëve pasi që ata pretendojnë se e dinë të fshehtën dhe ky pretendim është një akt i qartë i kufrit. Këta individë nuk mund të arrijnë qëllimet e tyre pa ndihmën e xhinëve të cilët ata i adhurojnë karshi Allahut. Ata që u besojnë atyre në pretendimin e tyre se ata e dinë të fshehurën, janë njësojë si ata, dhe profeti ﷺ distancohet prej të gjithë këtyre.

Muslimanit nuk i lejohet që të nënshtrojë veten ndaj asaj që supozohet të jetë shërim sikurse shkrirja e plumbit dhe shkrimi i fjalëve të pakuptueshme të shoqëruara me vizatime dhe vija dhe trillime tjera sepse të gjitha këto janë vetëm fall, magji dhe mashtrim i njerëzve. Ai që e pranon atë që ata bëjnë, në fakt e ndihmon gënjeshtrën dhe kufrin e tyre siç thotë Allahu në lidhje me dy engjëjt (Harutin dhe Marutin):”E ata të dy nuk i mësonin askujt (magjinë) para se t’i thoshin: “Ne jemi vetëm sprovë, pra mos bëni kufër! Dhe njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët. Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut. E megjithatë, njerëzit mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi. Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër. Eh, sa e keqe është ajo për të cilën shitën shpirtrat e veta! Ah, sikur ta dinin ata!” El-Bekare, 2:102

Ky ajet dëshmon se magjia është një vepër e kufrit dhe se magjistarët e ndajnë burrin nga gruaja e tij. Ky ajet gjithashtu tregon se magjia vetvetiu nuk mund të ndikojë por vetëm me lejen e Allahut sepse Ai e ka krijuar të mirën dhe të keqen.
Për fat të keq dëmi i magjistarëve të cilët kanë trashëguar njohuritë e tyre nga idhujtarët është rritur dhe ata kanë arritur t’i mashtrojnë njerëzit mendjelehtë. Ajeti gjithashtu dëshmon se ata të cilët e mësojnë magjinë në fakt mësojnë gjëra që i dëmtojnë ata dhe nuk u bëjnë dobi, dhe se ata nuk do të kenë hise në shpërblimin e Allahut në ditën e ringjalljes. Kjo është me të vërtetë një paralajmërim i tmerrshëm që tregon një humbje të madhe në këtë jetë dhe në jetën tjetë, dhe se këta individë kanë shitur veten për një çmim të lirë. Kjo është arsyeja pse Allahu ka folur me përçmim kundër këtyre njerëzve kur Ai thotë:”Eh, sa e keqe është ajo për të cilën shitën shpirtrat e veta! Ah, sikur ta dinin ata!” El-Bekare, 2:102

Allahu u ka ligjësuar mënyra robërve të Tij me të cilat ata mund të mbrohen kundër magjisë para se të ndodhë ajo. Ai gjithashtu nga mëshira e Tij, mirësia, dhe për të përmbushur të mirat e Tij, ka sqaruar se si ata mund të shërojnë veten e tyre pasi të ndodhë ajo. Këto që vijojnë janë disa nga mënyrat me të cilat ata mund të mbrohen kundër magjisë para se të ndodhë ajo, po ashtu ta largojnë magjinë në mënyra të lejuara Islame pas ndikimit të saj në njerëzit. Një nga mënyrat më të rëndësishme për t’u mbrojtur kundër magjisë para se të ndodhë ajo është që të mbrosh veten tënde me Kuran dhe me lutjet profetike sikurse leximi i ajetit Kursi, ku Allahu thotë:“Ai është i Përjetshmi (i Cili nuk vdes kurrë) dhe është Mbajtësi (Mbikëqyrësi) i çdo gjëje që ekziston. Atë nuk e kap as kotje dhe as gjumë. Gjithçka që gjendet në qiej dhe në tokë është vetëm e Tij. Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai pos me lejen e Tij? (Allahu) Ai di se çfarë u ndodh krijesave të Tij në këtë botë, dhe çfarë do t’u ndodhë atyre në botën tjetër, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga dituria e Tij përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursi i Tij shtrihet mbi qiejt dhe tokën dhe kujdesi i Tij ndaj të dyjave nuk i vjen rëndë. Ai është i Larti, Madhështori!” El-Bekare, 2:255

Ky ajet duhet të lexohet pas çdo namazi farz, pas lutjeve të mbrëmjes dhe mëngjesit dhe para rënies në gjumë. Ky ajet është ajeti më madhështorë në Kuran. Gjithashtu duhet lexuar tre suret e fundit të Kuranit, nga një herë pas çdo namazi farz (pas namazit të drekës, ikindisë, jacisë), si dhe tre herë pas faljes së sabahut dhe pas namazit të akshamit:Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm. Allahu është Es-Samed (Zotëruesi i Vetëmjaftueshëm, Absolut me të gjitha cilësitë e përsosura në shkallën më të Lartë, për të Cilin kanë nevojë të gjitha krijesat dhe të gjitha Atij i drejtohen; i Përhershmi; i Pafillim dhe i Pambarim; Ai s’ka nevojë për asgjë; as ha dhe as pi). Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe s’ka asnjë të barabartë ose të krahasueshëm me Të!” El-Ikhlas, 112:1-4

Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit që të më mbrojë nga sherri i gjithçkaje që Ai ka krijuar dhe nga sherri i natës kur kaplon terri, dhe nga sherri i falltarëve që fryjnë në nyje (duke bërë magji), dhe nga sherri i smirëziut kur vepron me smirë.” Felek, 113:1-5

Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve, Sundimtari i njerëzve, i Adhuruari (i vetëm me të drejtë) i njerëzve nga sherri i djallit cytës që fshihet (pasi cyt) e që hedh dyshime në gjokset e njerëzve (qoftë ai djall) prej xhinëve apo njerëzve!” Nas, 114:1-6

Përveç kësaj duhet lexuar dy ajetet e fundit të sures El-Bekare ku Allahu (më i Larti) thotë:”I dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të tij e po ashtu edhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij, dhe thanë: ”Iu përgjigjëm thirrjes dhe respektuam urdhrin. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë! Dhe te Ti do të kthehemi!” Allahu nuk obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij. Secili merr shpërblim për atë (të mirë) që ka vepruar dhe (po kështu) secili merr dënim për atë (të keqe) që ka vepruar. “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë! Zoti ynë, mos na ngarko neve barrë të rëndë siç i ngarkove ata që ishin para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me atë për të cilën ne nuk kemi fuqi! Na i shlyej mëkatet, na i mbulo të këqijat, na mëshiro. Ti je Mbrojtësi ynë, na ndihmo kundër kuvarëve (mohuesve)!” El-Bekare, 2:285-286