A duhet te jesh xheloz ndaj bashkeshortes tende?

0
1106

Ndër detyrat e bashkëshortit ndaj gruas është se duhet të jetë xheloz për të. Ajo duhet të shohë xhelozinë e tij.

Porse, duhet të jetë një xhelozi e logjikshme, e cila sjell të mira dhe largon të këqijat. Ai duhet të ketë xhelozi për gruan e tij që të mos zbulojë ndonjë pjesë të trupit, që mos ta zgjasë shikimin kah burrat e huaj, apo të përzihet me ta, apo të flasë me ta pa ndonjë nevojë.

Ndërsa, sa i përket xhelozisë në kuptimin e dyshimeve, hulumtimeve pa nevojë, kjo është xhelozi e ndaluar. Disa njerëz mendojnë se janë xhelozë, ku të tillin e sheh se përcjellë gruan pa ndonjë arsye, dyshon në të pa ndonjë arsye, saqë kur hyn në shtëpi nxiton për tek telefoni i saj, shikon numrat e kontaktuar, nëse cingëron telefoni vjen përskaj saj dëgjon se me kë po bisedon, i përcjell gjërat, kontrollon; dyshon aq shumë në të saqë, nëse ia dëgjon një fjalë i thotë: “Çfarë ke për qëllim?”, e nëse dëgjon ndonjë provokim nga jashtë mendon se e kanë për qëllim gruan e tij. Kështu sjell dyshime për gruan e tij, e pastaj thotë se është xheloz. Por, kjo është xhelozi e ndaluar, sepse i Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka thënë:

“Një pjesë të xhelozisë e do Allahu e një pjesë të saj e urren. Atë që e do Allahu është xhelozia e arsyeshme, ndërsa atë që e urren është xhelozia pa arsye.”Ebu Davudi, (2659), Nesaiu (2558), Ibnu Hibbani (11/4762), Ahmedi (445/5), saktëson shejh Albani në “Sahihu Ebi Davud” 156/19).

Këto, o vëllezër, janë këshilla fetare për ndërtimin e familjes, për kryerjen e detyrave bashkëshortore, që nëse do t’i praktikonin bashkëshortët, të gjithë do të gëzonin lumturi të madhe!

Kështu është çështja e bashkëshortit të mirë, ndërsa sa i përket bashkëshortit jo të mirë, ai i kërkon të drejtat e tij, e ndërsa bashkëshortes nuk ia njeh asnjë të drejtë.

Ai ka sjellje të keqe bashkëshortore, irritohet shpejt, saqë nëse gruaja i kërkon diçka, ai gjëmon, nëse ajo ia përsëritë kërkesën ai mërrolet, nëse ajo këmbëngulë në kërkesë, ai godet gjëra e thyen.

Në shtëpi nuk qëndron me rroba të bukura, ndërsa kur del prej shtëpisë zbukurohet, parfumohet e krihet, e kur kthehet në shtëpi qëndron si në vendin e punës. S’ka dyshim, o vëllezër, se këto janë ndër shkaqet e konflikteve dhe ndarjeve.

I përfundoj këto fjalë me një parim të përgjithshëm nga të drejtat bashkëshortore: mirësjellja bashkëshortore ndërmjet tyre të jetë sipas traditës së njerëzve, gjë për të cilën Allahu thotë:

Jetoni e silluni mirë me to, siç është e njohur!” En Nisa, 19.

Dijetarët kanë thënë se fjala “siç është e njohur”, ka për qëllim adetin, pra siç është adet mirësjellja bashkëshortore ashtu dhe duhet të jenë bashkëshortët.

Pjesë e kësaj mirësjelljeje janë dhe konsulta mes bashkëshortëve, respektimi i mendimit dhe bashkëpunimi në gjërat që sjellin lumturi.

Gruaja të sillet mirë me bashkëshortin duke u konsultuar me të rreth çështjeve të saj, ta marrë mendimin e tij, ta respektojë atë, t’ia respektojë familjen, ta mirëmbajë shtëpinë, të bashkëpunojë me të në çështjet që sjellin lumturi; edhe burri të sillet mirë me gruan e tij, të konsultohet me të, t’ia marrë mendimin nëse është i saktë, të jetë bëmirës ndaj familjes së saj që ajo të shohë të mirat e tij sipas asaj qështë adet.

DETYRAT MES BASHKËSHORTËVE
Dr. Sulejman Ruhejli

Përktheu: Jeton Bozhlani